Trump mund të vizitojë Serbinë

Postuar në 24 Shtator, 2017 11:18

Mediat serbe njoftuan së fundmi se presidenti amerikan Donald Trump mund të vizitojë Serbinë. Kreu i shtetit serb, Aleksandër Vuçiç, u tha mediave se Trump e kishte pranuar ftesën e bërë dhe me gjasë një vizitë do të kryhet. Të njëjtat lajme kanë përcjellë edhe media të ndryshme greke, sipas të cilave zv.presidenti Mike Pence ka përcjellë për zyrtarët grekë premtimin se Trump do të vizitojë edhe Greqinë.

Nga të dyja zhvillimet eventuale, vizita në Serbi ka më shumë rëndësi në planin simbolik, por edhe gjeopolitik. Kjo edhe sepses iç raporton “B92”, në Serbi në harkun e një vitit pritet të kryejnë vizita, presidenti turk, Erdogan, ai francez Macron dhe me gjasë Trump. Në Serbi ka qenë edhe presidenti rus dhe kinez, që dëshmojnë për rëndësinë në rritje të këtij vendi, i vendosur mes Lindjes dhe Perëndimit edhe për qasjen politike, përveç se si gjeografi. 

Vizita e Trump është e para e një presidenti amerikan që nga viti 1980 kur ish-Jugosllavinë e vizitonte Jimy Carter. Për disa vëzhgues në Serbi ky zhvillim tregon se presidenti amerikan ka vënë nën kontroll, apo i ka ikur kontrollit të atij që quhet “Shteti i nëndheshëm”(deep state), të ashtuquajturat struktura të padukshme që menaxhojnë pushtetin e vërtetë.

http://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2017&mm=09&dd=22&nav_id=10...

Nga ana tjetër, çdo prezencë politike amerikane në Serbi nuk mund të mendohet pa Kosovën në axhendë. Por në ndryshim nga vite më parë kur kjo çështje implikonte edhe emocione në Serbi, tani politika serbe është më racionale dhe po di të orientojë mirë interesin e vet në një rajon që po rifiton vëmendjen e aktorëve të mëdhenj. 

Në një opinion të vetin ambasadori amerikan Kyle Scott jep disa të dhëna që flasin për një afrim të ShBA-së drejt Serbisë, por edhe për një nivel tjetër strukturor marrëdhëniesh. 
Sipas tij që nga viti 2001, biznesi amerikan ka investuar gati 4 miliardë dollarë në Serbi dhe aktualisht biznesi amerikan punëson 17 000 serbë. Në 15 vjet ShBA kanë dhënë 1 miliardë dollarë asistencë. Shifra krejt të tjera nga prezenca amerikane në Shqipëri, e cila është kryesisht në rolin e një tutori. 

http://cordmagazine.com/comment/usa-h-e-kyle-randolph-scott-us-ambassado...

Kanë kaluar 18 vjet që nga koha kur ShBA bombarduan Beogradin dhe qytetet serbe dhe politika amerikane po rivendos kontakte të nivelit të lartë. Çka dëshmon se faktori shqiptar nuk ka më privilegjet e dikurshme të cilat duhet thënë se nuk ka ditur t’i kapitalizojë. 

Në të gjithë rajonin tonë, dy shtetet shqiptare përfliten më shumë nga të gjithë për dominim të krimit, për korrupsion dhe çka ka më të rëndësi, për një klimë biznesi të keqe, shenjë e mosfunksionit të vetë sistemit juridik e politik që është në fuqi formalisht. Sado hile që të bëjnë drejtuesit politikë të këtij vendi, apo të Kosovës, nuk do shumë mend për t’u kuptuar se bota shqiptare nuk ka ende mundësinë e manovrës gjeopolitike si në rastin e Serbisë. Ajo e ka të lidhur fatin e vet dhe interesat kryesore me ShBA, sidomos po të shihet se çfarë ndodh me krizat ciklike brenda nesh.

Dhe ShBA nuk i zëvendëson dot as Turqia dhe as BE, pse Kosova dhe ky zgjerim dhe fuqizim i shqiptarëve është investim direkt i ShBA dhe ndoshta i padëshiruar për shumë arsye edhe brenda disa vendeve të Europës. Në këtë kontekst mund të shihet më mirë se cili është dëmi i deklaratave prej bufoni për Trump si rrezik për qytetërimin perëndimor. Shqipëria dhe shqiptarët nuk e kanë luksin e budallallëkut në politikë dhe sidomos nuk kanë as luksin dhe statusin që të thonë atë që mendojnë në një botë që po rreshtohet në llogore. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.