Rreziku i shembjes së BE-së*

Postuar në 03 Shtator, 2017 11:28
Ivan Krastev - Centre for Liberal Strategies, Sofie

"Njeriu priret ta shohë rendin në të cilin jeton, si të natyrshëm", shkruante Czeslaw Milosz në vitin 1951, duke përmbledhur përvojën tragjike të brezit të luftës në Evropë. Më tej ai shkruan: "Shtëpitë përgjatë të cilave ai kalon rrugës për në punë duken më shumë si shkëmbinj që ngrihen nga toka sesa si produkt i dorës së njeriut ... Ai nuk mund të besojë se një ditë në rrugën që ai njeh mirë, ku flenë mace dhe luajnë fëmijë, mund të shfaqet një kalorës dhe të fillojë t'i kapë kalimtarët me lak ... Për ta thënë me një fjalë: ai sillet pak si Çarli Çaplini në filmin "Ethet e floririt", i cili hidhet sa andej këndej në një kasolle, që gjendet pranë buzës së një shkëmbi të rrezikshëm. "

Për evropianët Bashkimi Evropian ishte një botë e tillë natyrore. Por ajo nuk është më. Në fund të vitit 2016, të shkatërruar nga Brexiti dhe të pasigurt nga fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane, shumë evropianë ranë thellësisht në dëshpërim. Dhe u përhap bindja se ora e Bashkimit Europian në histori kishte marrë fund.

Një e çarë përmes Evropës

Tani, nëntë muaj më vonë, gjendja shpirtërore ka ndryshuar. Fitorja e Trumpit u ka rikthyer shumë evropianëve vlerësimin e tyre për projektin evropian. Dhe fitorja zgjedhore e Emmanuel Macronit në Francë mbi bazën e një platforme të qartë pro-evropiane ka bërë që shumë të besojnë se BE-ja do të ketë një shans të dytë dhe se do të bëjë maksimumin e saj. Eurobarometri, i publikuar muajin e kaluar, shënon një rritje të ndjenjës publike ndaj BE dhe një monedhe të vetme. Dhe të dhënat ekonomike janë gjithashtu inkurajuese.

Por entuziazmi i verës 2017 mund të jetë po aq i shkurtër dhe çorientues si dëshpërimi në fund të vitit 2016. Megjithëse "Momenti i Macronit" e ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjendjen shpirtërore në Evropë, ai nuk ka zgjidhur asnjë nga problemet që BE-ja ka aktualisht. Ndërkohë që mund të shpresojmë që një udhëheqje e re franko-gjermane do të ketë sukses në tejkalimin e ndarjes që u shfaq në mes të Veriut Europian dhe Evropës Jugore pas krizës financiare, ka gjithnjë e më shumë shenja se kriza e refugjatëve mund të thellojë më tej ndarjen mes Lindjes dhe Perëndimit.

Një paradoks lindoro-perëndimor

Paradoksi i gjendjes aktuale është se edhe pse sondazhet e opinionit tregojnë një konvergjencë të qëndrimeve ndaj refugjatëve dhe emigrantëve në Lindje dhe në Perëndim (publiku perëndimor është bërë më i shqetësuar dhe skeptik, ndërsa evropianolindorët e kanë zbutur pak qëndrimin e tyre në krahasim me vitin e kaluar) , ndërkohë që tensionet ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes po përshkallëzohen në BE.

Muajin e kaluar, kryeministri hungarez Viktor Orban ka bërë të qartë: "Njëzet e shtatë vjet më parë ne në Evropën Qendrore kemi besuar se Evropa është e ardhmja jonë - sot ne kemi përshtypjen se ne jemi e ardhmja e Evropës." Disa javë më vonë, presidenti francez, Emanuel Macron iu përgjigj kritikave nga Varshava për idetë e tij për reformimin e tregut të punës të BE-së me fjalët: "Qëndrimi i një vendi që ka zgjedhur për t'u vetëizoluar në Evropë nuk do ta kërcënojë në asnjë mënyrë arritjen e një kompromisi ambicioz ".

Përmbledhtazi mund të thuhet se udhëheqësit populistë në Evropën Qendrore nuk mund ta shohin më BE-në dhe vlerat e saj si një model që duan të ndjekin. Nga ana tjetër, liderët perëndimorë e marrin faktin që qytetarët e vendeve të Evropës Qendrore kanë zgjedhur njerëz si Viktor Orban dhe Jaroslaw Kaczysnki, si shkak për të injoruar frikën e ligjshme të Evropës Qendrore. Ata kanë frikë se disa nga reformat e propozuara, nëse nuk shoqërohen nga iniciativa të tjera politike, mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre.

*Titulli origjinaal: Frika nga një përçarje e Evropës

"DW"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.