Deklasifikimi/Grushti i shtetit në Iran u propozua nga britanikët

Postuar në 09 Gusht, 2017 11:30

Në qershor të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit deklasifikoi 1007 faqe dokumentacion sekret që preknin aktivitete të CIA-s, NSA-së mes të cilave mediat veçuan dokumentet që kishin të bënin me rrëzimin Mohammad Mosaddeq në Iran në vitin 1953. Siç rezultonte nga publikimet, SHBA ka qenë shumë e pasigurtë në operacionin e ndërmarrë asokohe, zyrtarët e CIA-s madje urdhëruan anullimin e tij, për shkak se nuk dëshironin që roli I SHBA të ekspozohej sidomos në kushtet kur Mosaddeq reagoi përmes ushtrisë. Të dhënat zyrtare konfirmonin atë që përflitej prej kohësh, se suksesi i kësaj ndërhyrjeje i atribuohet operativit të CIA-as, Kermit Roosevelt, i cili vijoi punën dhe nuk zbatoi urdhërin e eprorëve. Rrëzimi i Mosaddeq ishte një akt i paligjshëm që përmendet shpesh si kundërargument sa herë që SHBA predikon demokraci, pa folur për pasojat politike të mëdha të asaj që u gatua në vitin 1953. Revolucioni islamik në Iran është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rrëzimit të Mosadeqq, pra është një faturë që paguhet akoma sot nga SHBA.

Mirëpo dy dokumente të reja, publikuar nga sektori i Arkivës të Universitetit “George Washington”, hedhin dritë mbi një rol të britanikëve në ato ngjarje. Bëhet fjalë për dy Memo, njëra e datës 26 nëntor 1952, e hartuar nga zv.ndihmës sekretari i Shtetit, Henry Byroade, i cili informon eprorin e tij se britanikët kanë kërkuar një takim për të diskutuar mundëisnë e një grushti shteti në Iran. Memoja e dytë mban datën 3 dhjetor 1952 dhe është përmbledhje e diskutimeve të bëra për këtë qëllim. Publikimi konsiderohet i rëndësishëm pasi për herë të parë  ekspozohet roli i britanikëve në ngjarjet e vitit 1953, të cilët refuzojnë publikimin e dokumenteve të tyre dhe siç raporton faqja e GW University, “kanë bërë presion edhe ndaj SHBA që të mos publikojë dokumente për këtë ngjarje”.

Ambasadori britanik Steel që referon pikëpamjen britanike vlerëson se largimi i Mosadeqq është i domosdoshëm për të luftuar me më shumë efikasitet komunistët iranianë të Tudeh, që rrezikojnë të marrin pushtetin. Por këtu, qasja britanike është tinzare edhe në raport me SHBA, pasi mendohet se Britania kishte interes në rrëzimin e Mosadeqq për shkak se ky i fundit kishte shtetëzuar industrinë e naftës në vitin 1951. Meqenëse për administratën Truman nuk ishte konveniente dhe e zgjuar të mbështetej Britania në pretendimet koloniale mbi Iranin, pasi do të favorizonte komunistët, britanikët korrigjuan qasjen duke propozuar për SHBA një aksion në thelb antikomunist. Truman refuzoi deri në fund idenë e rrëzimit të Mosadeqq. Pas largimit të tij në janar të vitit 1953, amerikanët nuk e përjashtojnë më një grusht shteti ndaj kryeministrit iranian, por dy memot këtu nuk sqarojnë arsyet për ndryshimin e qëndrimit amerikan.

Në memon e dytë, të dhjetorit 1952, pala amerikane referon opinionin e ambasadorit amerikan në Teheran, Loy Henderson, sipas të cilit “Mosadeqq është një antikomunist i sinqertë”.

Propozimi britanik hidhet poshtë dhe në rekomandimet e veta, Byroade nënvizon se çdo gabim në administrimin e grushtit të shtetit, mund të sjellë reagimin e dhunshëm të sovjetikëve, bashkimin e komunistëve të Tudeh me liderin nacionalist Ayatollah Abolqasem Kashani që do të minonte stabilitetin dhe do të përfaqësonte një situatë shumë më të rëndë sesa ajo aktuale.

Është interesante se vetë zyratrët amerikanë konstatojnë se britanikët që dalin me këtë propozim nuk kanë asnjë ide se kush mund të zëvendësojë Mosadeqq dhe mjaftohen me këmbënguljen se “me Mosadeqq lufta ndaj komunizmit nuk ka shpresë”. Fati i një vendi të tërë që vendoset në një zyrë nga disa njerëz të motivuar nga interesa fare konkrete, pa një plan apo strategji. Thjesht duan të heqin një pengesë. Nuk është çudi të mendohet se rikthimi Shahut të jetë improvizim, ndaj edhe ajo që ndodh sot në raportet Iran  - SHBA ka një shpjegim shumë logjik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.