Suksesi i Serbisë në angazhimin mes Perëndimit dhe Rusisë

Postuar në 08 Korrik, 2017 09:35

Një ditë më parë disa media serbe njoftuan se ShBA dhe BE synojnë ndërtimin e një qendre humanitare në Serbi, e ngjashme me atë të rusëve në Nish. Vendndodhja e supozuar e kësaj qendre u tha se ishte Uzice, ndërkohë që citohej edhe zyrtari amerikan i Departamentit të Shtetit, Yee, të jetë shprehur se “në fund i takon Serbisë të vendosë, por ne sqarojmë si partnerë atë që po ndodh
Nuk di ndonjë qendër tjetër humanitare ku punonjësit të kenë nevojë për imunitet diplomatik”, shton Yee, duke aluduar për statusin e veçantë të punonjësve rusë në qendrën e Nishit. 
Sot presidenti serb, Aleksander Vuçiç, ka mohuar se ShBA dhe BE synojnë, apo kanë kërkuar ngritjen e një qendre humanitare në Serbi, duke hedhur poshtë lajmet në media. 

ShBA kanë tashmë një bazë në territorin tonë, bazën e Bondsteel”, deklaroi me ironi Vuçiç. 
Lajmin e ka mohuar kategorikisht edhe ministrja e Transportit e Serbisë, Zorana Mihajloviç. Mirëpo drejtori i aeroportit të Ponikves, Sasha Savic , ka përsëritur se për projektin në fjalë edhe ShBA edhe BE kanë shprehur interesim. Është bërë një aplikim për fonde në këtë drejtim në BE duke kërkuar 600 mijë euro. 
“Erdhën nga ambasada amerikane dhe e pëlqyen idenë dhe u ra dakord që do të vinin sërish në 2017-ën. Projekti u ndërpre befas nga delegacioni i BE-së në Serbi. Mendoj se kjo ndodhi nga informacioni që morën se arabët duan të investojnë para në aerportin e Ponikves”, është shprehur më tej ai. Më tej akoma, zyrtari në fjalë sqaron se ka patur telefonata nga ambasada amerikane për projektin për të cilin nuk është hequr dorë, por duket se është shtyrë.

Mediat serbe e kanë marrë gjerësisht lajmin për ta inkuadruar si investim në lëmin e sigurisë nga ShBA. Çka pavarësisht se mohohet nga Vuçiç, një bazë vërtetësie e ka. Mjafton shqetësimi i shtuar amerikan për qendrën ruse të Nishit për të kuptuar se diçka po luan. Nuk është çudi që vetoja amerikane për krijimin e ushtrisë së Kosovës të lidhet pikërisht me këtë lojë finoke të Serbisë mes Perëndimit dhe Rusisë, kur nga njëra anë deklarohet neutraliteti ushtarak, nga ana tjetër blihen armë dhe sisteme të sofistikuara nga Rusia, shpallet BE-ja simdrejtim strategjik, por rusëve u lejohet një bazë në Nish, duke mos hequr dorë për asnjë çast nga Kosova si Pazar i mirë në këtë drejtim. Është po ajo taktikë e ndjekur nga Tito dikur e që duket se funksionon, si për të rritur vlerën strategjike, ashtu edhe për të marrë para, pa harruar se në kësi rastesh stabiliteti kalon në duart e të mëdhenjve që nuk duan të lejojnë prishje ekuilibri. 

Këtë lojë është përpjekur ta luajë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, kur flet për alternativa të tjera dhe bashkim me Kosovën, por duket se çelësi i një diplomacie të tilë qëndron te dyzimi mes dy të mëdhenjve, ndërkohë që Shqipëria është e rreshtuar qartë. Më interesant në këtë kuadër është lëvizja nga Kosova. Sot Albin Kurti deklaronte për Klan Kosova se nën drejtimin e qeverisë së tij, ushtria kosovare do të krijohet në koordinim me Tiranën dhe Kroacinë. Dy vija bashkëpunimi që kundërvendosin gjeopolitikën rajonale përkundrejt planit të përgjithshëm bashkëpunues të ndërmarrë me nismën e Berlinit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.