Trashet "zullumi" i Sejkos me rikonstruksionin e Hotel Dajtit

Postuar në 12 Qershor, 2017 18:37

Banka e Shqipërisë vazhdon të heshtë lidhur me procedurën që ka ndjekur ndaj kompanisë që i ka dhënë ndërtimin e ish-Hotel Dajtit pas një tenderi me vlerë 18 mln euro. Edhe Shoqata e Ndërtuesve është shprehur se ky tender është zhvilluar në mungesë të plotë transparence. 
Drejtues të saj sqaruan se, në procese të ngjashme, entet publike konsultohen me shoqatën dhe ajo i ve në dispozicion një listë me kompani, të cilat kanë aftësi teknike të mira për të ndërtuar vepra të ngjashme.

Mënyrën e fshehtë dhe në mungesë të plotë transparence për procesin se si është bërë prokurimi i ish – Hotel Dajtit e ka denoncuar edhe një nga anëtarët e organit më të lartë të drejtues të Bankës së Shqipërisë.

Arben Malaj, pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës ka bërë një reagim në Facebook, ku kërkon që Banka Qendrore të ofrojë transparencë maksimale dhe të garantojë efiçencë në përdorimin e çdo qindarke apo investim të saj.

Malaj këtë postim e ka bërë duke shpërndarë një kronikë të Televizionit Klan, ku thuhet se godina “Dajti” do të kushtojë 6 milion euro më shumë se ajo e ndërtimit të selisë qendrore, edhe pse sipërfaqja është 3500 metra më e vogël.

“Në çdo rast përballë njoftimeve apo shqetësimeve publike, Banka e Shqipërisë si çdo entitet tjetër publik, duhet të ofrojë transparencë maksimale dhe të garantojë efiçencën maksimale të përdorimit të çdo qindarke në çdo shpenzim apo investim të saj. Transparenca duhet të jetë e menjëhershme, ndërsa sfida e efiçencës së shpenzimeve një prioritet i matshëm dhe i përhershëm”-shkruan Malaj, ndonëse ai mund të kërkonte vetë informacion si anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. 

Hijet e dyshimit për një tender të paracaktuar u përforcuan edhe më shumë kur Banka Qendrore refuzoi të japë shpjegime, lidhur me procedurat e ndjekura si dhe koston e punimeve. Ajo që dihet është fakti se arkitekti që kryeson skuadrën e projektit është italiani Marco Petreski, i njëjti qe kreu punimet për rikonstruksionin e godinës qendrore të Bankës së Shqipërisë.
 
Por dyshimet që shoqërojnë këtë proces janë mbi vlerat financiare me të cilat do të kryhen punimet. Ato dyshohet të jenë shumë më të larta se vlera reale, duke ngritur pikëpyetje lidhur me përfitimet e mundshme në mënyrë abuzive. Se kush është përfituesi i kësaj procedure abuzive dhe aspak transparente, këtë do ta faktojë padia që shoqata e ndërtuesve do të depozitojë në prokurori për të mësuar të vërtetën, që vetë Banka Qendrore vijon ta mbajë të fshehtë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.