SHBA diskrediton publikisht Llallën, reagim i paprecedentë i Prokurorisë

Postuar në 02 Shkurt, 2017 11:18

Shtetet e Bashkuara të Amerikës diskreditojnë edhe publikisht atë që sot mban detyrën e Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, shkëlqesinë e tij, Adriatik Llalla. Ambasadori amerikan Donald Lu foli pa dorashka për kreun e organit të akuzës në Shqipëri, zyrtarin e parë të piketuar nga ndërkombëtarët që ka vepruar kundër reformës në drejtësi.
“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës. Në nëntor dhe dhjetor prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterëve të ILDKPI që është thelbësor për Vettingun. Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetua e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit Emërimeve në Drejtësi që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua nga sekretarja e Kuvendit, bazuar në Kushtetutë. Por prokurori i Përgjithshëm solli një liste vetëm me 3 anëtarë. Kushtetua përcaktonte se anëtarët duhet të përzgjidheshin me short, dhe secili solli listat më të gjata për këtë pozicion. Në dallim me to, prokurori i Përgjithshëm zgjodhi vetëm 3 emra, përzgjedhur pa preferencë për të plotësuar 3 poste”, - tha ai.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Prokurorisë, përmes një deklarate të paprecedentë ku akuzon ambasadorin amerikan si shantazhues dhe sorosian. 

Deklarata e Prokurorisë::

Prokuroria e Përgjithshme është gjendur ditën e sotme në një sulm të hapur dhe të paprecedent nga ambasadori aktual në Tiranë, z. Donald Lu, lidhur me qëndrimet e institucionet përsa sa i përket Reformës në Drejtësi dhe kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Dëshirojmë të njoftojmë median dhe, nëpërmjet Jush, edhe opinionin publik shqiptar se, këto sulme tërësisht jo-diplomatike nuk janë aspak të reja për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Sa i përket Reformës në Drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët kanë mbështetur që në fillimet e saj nevojën për reformim. Në qëndrimet zyrtare dhe publike, Prokuroria ka identifikuar problematika në draftet kushtetuese dhe ligjore, për të cilat ka shprehur qëndrimet e saj parimore dhe në frymën e së drejtës.
Duhet theksuar se këto qëndrime kanë gjetur mbështetjen e plotë në Opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, siç dihet tashmë, ka rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të drafteve të propozuar nga ekspertët e huaj, të mbështetur publikisht nga Ambasadori Lu. Sa i përket procedurës së kandidimit të anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ftojmë zotin Lu dhe ekspertët e tij të rilexojnë ligjin përkatës mbi kriteret e anëtarëve të këtij institucioni. Është shumë e rëndësishme që ambasadori Lu të lexoj variantin zyrtar, si në shqip, ashtu edhe në anglisht.
Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambjentet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë.
Për fat të keq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm.
Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza. Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet.
Ky reagim i Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, vjen menjëherë pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, mbi presionet dhe shantazhet e vazhdueshme të ambasadorit Lu kundrejt institucionit.

Alarmi për zgjedhjet 

Një një panoramë ku opozita flet për banda dhe skalione kriminelësh që po bëhen gati të vjedhin zgjedhjet, ndërsa qeveria mundohet të injorojë çdo artikulim që vjen nga selia e PD-së, ka dalë në skenë sërish arbitri ndërkombëtar. Ambasadori amerikan Donald Lu ka lëshuar alarmin për mundësinë e vjedhjes së zgjedhjeve, zakon i hershëm në Shqipëri. 
“Këta politikanë do t’i vjedhin zgjedhjet sërish. Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi syshqiponja, politikanë, gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen të vjedhin zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe gjithçka e tjetër në ekonominë e vendit”- deklaroi ambasadori amerikan, Donald Lu.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.