"Përgjegjësinë për dështimin e reformës e kanë udhëheqësit tuaj"

Postuar në 02 Shkurt, 2017 12:57
Bern Borchard - Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë

Kuptimi etimologjik i fjalës demokraci është “pushtet i popullit”. Do të thotë se pushteti për të qeverisur vendin nuk i jepet një personi apo grupi personash të caktuar, por pjesëtarëve të një komuniteti si i tërë. Nuk është vetëm e drejta për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur, por mbart edhe përgjegjësinë për ta nxitur qeverinë të mbajë premtimet e bëra. Ka ardhur koha që ju, populli, ta merrni në kontroll dhe të jeni të vetëdijshëm për pushtetin tuaj të vërtetë. Këtë 18 qershor, ju keni një rol shumë të rëndësishëm si vendimmarrës. Do të vendosni për parlamentin tuaj të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Kërcënimi më i madh për demokracinë është se ajo merret si e mirëqenë: qytetarë që mendojnë se nuk mund ta ndryshojnë sistemin, se janë të tjerët ata që duhet të garantojnë transparencën dhe llogaridhënien e të zgjedhurve. Kohët e fundit, është drejtuar gishti nga OSBE-ja për dështimin e procesit të reformës zgjedhore, por a i keni pyetur udhëheqësit tuaj përse reforma nuk ka ecur më përpara? Vërtet besoni se e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është futja e votimit dhe numërimit elektronik teknikisht të brishtë?

Lexova në lajmet ndërkombëtare se Holanda po i kthehet numërimit të votave me dorë për të ruajtur besimin te zgjedhjet. Unë mund t'ju them se kemi nxitur, kemi inkurajuar, kemi bërë thirrje për reforma dhe jemi përpjekur që ato të bëhen realitet, që kur dolën në dritë rekomandimet e fundit të OSBE/ODIHR-it, në vitin 2013 dhe në vitin 2015. Është detyrim i çdo shteti pjesëmarrës të OSBE-së, në këtë rast Shqipërisë, që të adresojë me shpejtësi rekomandimet e ODIHR-it.

Ne kemi ofruar mbështetje teknike për zbatimin e tyre dhe e mbajtëm premtimin kur ofruam të sillnim ekspertizë ndërkombëtare të nivelit të lartë për çështjet zgjedhore. Ka ende kohë për të rregulluar raportimin financiar, për të ndihmuar në shmangien e mashtrimit zgjedhur duke rritur gjobat, për të ndaluar që kronikat televizive të përgatitura nga partitë të transmetohen pa kontroll, si edhe për të garantuar kuotat gjinore. Por, ne
nuk mund ta bëjmë reformën për ju! E keni ju në dorë që të përfshiheni, të angazhoheni, të bashkoheni dhe ta kërkoni. Ekziston një opinion i përgjithshëm se OSBE-ja dhe ndërkombëtarët janë këtu për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Jo. Ne jemi këtu për të ndihmuar, për të këshilluar, për t’iu dhënë praktikat ndërkombëtare më të mira, por ne nuk mund të ndikojmë në mënyrë thelbësore dhe as të legjitimojmë sjellje apo rezultate. OSBE/ODIHR-i do të vëzhgojë zgjedhjet në Shqipëri. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë do të jenë dëshmitarë të zgjedhjeve dhe punës së KQZ-së, komisionerëve, partive dhe votuesve. ODIHR-i nxjerr një raport për zgjedhjet dhe rekomandime të vyera për fushat ku nevojiten përmirësime, me qëllim që të përmbushen standardet ndërkombëtare dhe të respektohet legjislacioni i brendshëm. Në raportet e ODIHR-it, gjeni këshilla të rëndësishme për përmirësime, por ODIHR-i nuk është arbitër dhe as garantues për zgjedhje të pastra. Gjithçka që mund të bëjnë vëzhguesit ndërkombëtarë është të japin këshilla dhe të përpiqen të shohin shembuj të praktikave të mira dhe të këqija, por ata nuk mund të ndryshojnë thelbësisht sjelljet apo rezultatet.

Nëse doni zgjedhje të lira e të ndershme kërkojuani partive politike që t ppunojnë për to. E kanë ata në dorë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme – me mënyrën si mbledhin fonde, me mënyrën si bëjnë fushatë, me kandidatët që vënë në lista, me personat që zgjedhin si komisionerë dhe me mënyrën si numërojnë votat. Ka ende kohë për të forcuar kodin zgjedhor, por tik-taku ecën. Kini parasysh një gjë: ju, qytetarët e Shqipërisë, jeni forca më e rëndësishme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jeni ju që vendosni nëse do ta shisni votën tuaj apo jo. Jeni ju që vendosni ta fotografoni apo jo fletën tuaj të votimit. Jeni ju që vendosni të pranoni apo jo shfrytëzimin e hierarkive të shërbimeve publike. Jeni ju që vendosni të jeni apo jo një komisioner i ndershëm. Jeni ju që vendosni të toleroni apo jo krimet kundër kodit zgjedhor. Jeni ju që vendosni nëse do të votoni apo jo. “Ne kemi demokracinë që meritojmë”. Të hënën, më 19 qershor, mëngjesin pasardhës, qytetarët e Shqipërisë do të kenë rezultatin që meritojnë dhe udhëheqësit që meritojnë. Demokracia nis nga ju!

Comments

Submitted by keno kotorri (not verified) on

Kush I zgjedh keta a ka ndonje pergjegjesi ?
Ne se vota vidhet kush ka , qofte e terhorazi pergjegjesi,??/
Kur nuk jane te ndershem apo legjitim a duhet te huajt ti llogarisin ata ????

Submitted by Nje nga populli (not verified) on

Dhe, ne lidhje me reformen ne drejtesi, a eshte pyetur ky popull? Apo zoti Lu eshte mesuar -si Enver hoxha dikur- te flase ne emer te popullit shqiptar?! Po juristet, gjykatesit, prokuroret, juristet e huaj, c'mendim kane per kete reforme ne drejtesi dhe menyrat qe po perdor politika dhe ekzekutivi ta fusin (gjoja) ne fuqi?!.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.