Ekspozohet sërish ILDKPI, hetim për kreun e AMA-s

Postuar në 23 Janar, 2017 11:21

Gentian Sala, kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive është vënë zyrtarisht nën hetim nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pas publikimit në media të deklaratave të tij të pasurisë dhe bashkëshortes, e cila vetëm në 1 vit u shtua me 164 mijë euro. Një rast që ekspozon sërish institucionin që duhet të kontrollojë dhe verifikojë pasurinë e zyrtarëve të lartë, por që kujtohet t’u futet hetimeve sa herë pasuria e zyrtarëve bëhet çështje mediatike dhe për pasojë nxjerr zbuluar edhe ILDKPI-në.

Pak ditë më parë ILDKPI u vu sërish në lëvizje për deputetin Alfred Peza sapo media publikoi një kontratë të bashkëshortes së tij për blerjen në vlerën e më shumë se 1 miliardë leke të aksioneve në një bankë të nivelit të dytë.

Të dy këta zyrtarë kanë qenë subjekte të kontrollit dhe verifikimit të pasurisë, por në deklaratat e tyre ILDKPI nuk ka vënë re asnjë anomali, derisa sa media ekspozoi dy zyrtarët dhe pasurinë e tyre që nuk justifikohet nga të ardhurat e tyre të pagës.  Vetë ILDKPI u vu në hetim nga Prokuroria për mosnisjen e anjë hetimi zyrtarësh në 3 vitet e fundit, por Gjykata e Lartë e pushoi çështjen duke mos lejuar organin e akuzës të sekuestrojë serverin e të dhënave të ILDKPI-së. Një institucion përmes të cilit qeveria mund të tregonte vullnetin për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe në këtë mënyrë të legjitimonte edhe retorikën se gjithçka do të nisë me reformën në drejtësi. 

Pasuria e pajustifikuar e Salës

Gentian Sala, kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive merr zyrtarisht 740 euro rrogë mujore, por pasuria e tij për vitin 2015-2016 është shtuar me 164 mijë euro, ndërkohë që të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes llogariten në 17 280 euro. Në formularin e deklarimit te pasurisë të vitit 2015 Gentian Sala ka deklaruar se zotëron një apartament në zonën e ish Bllokut, njëkohësisht edhe 4700 m2 tokë arë në Kruje – Mazhe e Madhe.

Më 5 shkurt 2015 bashkëshortja e Gentian Salës, ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 217.5 metra katror në “Rezidencen Platea” që ndodhet rrugës për në Dajt. Njëkohësisht tek e njëjta zonë deklaron dhe blerjen e dy vendeve të parkimit. Shuma e paguar për blerjen e shtëpisë dhe te garazhit është 97,000 euro (nëntëdhjetë e shtatë mijë euro).

217.5m 2 x 400 euro/m2=87000 euro ndërsa vendet e parkimit kushtuan 10.000 euro. Çmimi në këtë rezidencë në rrugë zyrtare konfirmohet nga firma se është 600 euro metri katror. Pra vlera normale e shtëpisë do të ishte 130 500 euro. Por përtej kësaj, a e justifikon burimin e 97.000 euro-ve bashkëshortja e Kreut të AMA-s?

Dorela Sala bashkëshortja e kryetarit të AMA deklaron në formularin e deklarimit të pasurisë se të ardhurat e saj vijnë nga puna në firmën “Delioitte Albania” me një rrogë mujore 700 euro, (vjetore 8 400 euro) dhe pranon se në këtë kompani ka afro 22 muaj që nga 1 marsi 2013 deri në 1 janar 2015... Dorela Sala në formular ka deklaruar se ka në zotërim sende me vlerë ora, vathë, byzylyk në shifrën 38.000 euro dhuratë nga familja, por pa thënë konkretisht se nga cili dhe mbi ç’bazë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.