Propozimi i Kokëdhimës, mekanizëm për t’i dhënë fund rolit të Gramoz Ruçit

Postuar në 14 Nëntor, 2015 20:04

Sot u bë publik lajmi se koordinatori i Jugut për Partinë Socialiste, Koço Kokëdhima, depozitoi(më 21 tetor) një draft përmes të cilit sugjeron ndryshime në strukturën organizative të saj. Po kështu, në përputhje me objektivin e zgjerimit të anëtarësisë, si objektiv i vënë nga kryetari i kësaj partie, por edhe në funksion të përshtatjes së PS-së me strukturat e reja, Kokëdhima ka sugjeruar edhe njëherë shtyrjen e afatit për mbajtjen e Kongresit. Ku qëndron thelbi i propozimit të Kokëdhimës? “Shqiptarja.com” që ka publikuar lajmin, jep edhe skemën e re organizative, e cila reflekton ndarjen e re administrative në linjën: Rajon, Bashki në varësi deri tek Organizata Socialiste.

Me statutin aktual, skema organizative parashikon Asambletë e Rretheve, kryetarin e PS-së së rrethit që përfshin “kryetarët e partisë të njësive vendore; delegatët e Kongresit të Partisë të rrethit;  kryetarët e bashki/komunave të rrethit, anëtarë të partisë; kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë të bashki/komunave; kryetari i FRESSH dhe kryetarja e FGS të rrethit”. Struktura kryesore koordinative është Këshilli Koordinues i Partisë në Qark. Mirëpo këto përcaktime janë shkelur me kohë, qëkurse Kokëdhima mori detyrën e Koordinatorit rajonal, duke i paraprirë ndryshimeve që sot sugjeron vetë, e duke relativizuar dispozitat statutore. Po të hedhim një sy në skemën ekzistuese, vihet re se nuk krijohet mundësia për përqendrim pushteti në ansjë prej hallkave lokale, ndonëse PS-ja është një parti që për traditë kujdeset për strukturat. Kështu shpjegohet fuqia e kryetarit, e Sekretariatit, mishëruar në figurën e Gramoz Ruçit dhe e disa kryetarëve të Bashkive kryesore. Pra kombinim i pushtetit ekonomik me atë politik e bën në thelb PS-në një parti të centralizuar, ku divergjencat pasqyrohen vetëm në Kryesi apo në Asamble. Aty ku edhe vendoset realisht.

Nëse propozimi i Kokëdhimës do të bëhet realitet, PS-ja i hap rrugën krijimit të poleve të fuqishme të pushtetit “poshtë” kryesisë, e cila për rrjedhojë do të duhet që të përfshijë në gjirin e vet drejtuesit e Rajoneve, që sot janë shumë më tepër sesa Qarqet e dikurshme. Mund ta përfytyrojmë që tani një parti që operon me një kryetar me fuqi të mëdha ekzekutive dhe një kryesi me nënkryetarë, apo minikryetarë nga rajonet. Pyetja që lind këtu është: çfarë detyre mbetet për Sekretariatin Ekzekutiv, apo kreun e Asamblesë Kombëtare? Apo më saktë: Çfarë pushteti?

Pyetje të tilla kanë shumë rëndëis në një parti si PS-ja që e konsideron statutin si rrugë kontrolli dhe kufizimi të pushtetit, përveçse përfaqësimi. Roli i deritanishëm i Gramoz Ruçit, ekulibristi i PS-së, por edhe hija e fortë ndaj pushtetit të Edi Ramës në PS, merr goditje në themel, nëse propozimi i Kokëdhimës vihet në jetë. Prej kohësh flitet se Edi Rama ka bashkëjetuar i detyruar me Ruçin, sikurse ky i fundit nuk ka munguar të shfaqë fuqinë sa herë është dashur. Situatat e tanishme dhe ndërhyrjet përmes Kokëdhimës, janë një sinjal se kryeministri shqiptar po mendon edhe largimin nga pushteti. Kontrolli mbi partinë nevojitet jo vetëm për garanci apo për të ruajtur ndikimin, por edhe sepse përmes saj bëhet e mundur që lojtarë të vegjël, të krijuar në inkubatorët e tekave të Edi Ramës, si Erjon Veliaj dhe Sajmir Tahiri, të mbeten të tillë deri në fund, përmes faljes permanente te vullneti katapultues që krijon një skemë e këtillë organizative dhe legjitimimi i atyre që kanë pushtetin ekonomik. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.