Zullumet e Kokëdhimës dhe soji i socialistit

Postuar në 20 Shtator, 2016 14:05

Para ca ditësh bëri bujë një ngjarje në takimin e Koço Kokëdhimës në PS-në e Vlorës. Një drejtues i Forumit Rinor Eurosocialist, diçka që thuhet se ekziston me të vërtetë, Klajdi Myzaferaj, kundërshtoi prezencën e Kokëdhimës dhe në mënyrë demonstrative u largua.

Edhe deputeti i qarkut Fatmir Toçi doli e dha një intervistë ku ia qëndiste Kokëdhimës të gjitha, në një deklaratë shfryrjeje për të gjitha frustrimet që mentori i dikurshëm i Edi Ramës i ka shkaktuar që nga ardhja e PS-së në pushtet.

Sot për “çudinë” vetëm të ndonjë shakaxhiu në Vlorë, u shfaq Shpëtim Gjika, ish-kryetar i Bashkisë, i cili u bë për spital nga përplasja me Edi Ramën dhe Kokëdhimën. Çfarë thotë Gjika? Ja po sjellim dy radhë nga ajo që ka botuar gazeta “Tema”:

Gjatë gjithe kesaj periudhe, per arsye nga me te ndryshmet, kam zgjedhur te hesht! Pertej heshtjes time, kam percjelle me vemendje, dhe per fat te keq edhe me shqetesim, ngjarjet dhe zhvillimet ne PS-ne e Vlores! Fillimisht, edhe pse jo fort i bindur per domosdoshmerine akute te kesaj reforme, jam pajtuar ne paqe me te, duke menduar dhe besuar qe qellimi dhe objektivi i saj, vetem do ta forconin dhe shendoshnin PS-ne e Vlores! Por a iu permbajt z.Kokedhima ketij orientimi apo objektivi? Sipas mendimit tim, absolutisht JO! Djallezisht, nga i ngarkuari me Reformen ne Vlore, z.Kokedhima, u abuzua me nocionin “pranime te reja”! Them u abuzua, sepse nderkohe qe afroheshin ne parti te rinj e te reja( dhe shume mire u be qe u afruan), perjashtoheshin nga gara me kriter moshen (apo ca me keq akoma pa kritere fare), anetare dhe drejtues te organizates sone nder vite, dhe aktiviste te suksesshem fushatash fituese”.

Sikur të mos kishte emra aty brenda ky tekst të kujton ato autokrtitikat e shëndosha, nga të cilat mandej mbin e harliset si i tërbuar motivimi për të zbuluar armikun. Dhe Shpëtim Gjika, pasi heshti, e ka ndarë mendjen: ai do bëjë detyrën si socialist i vërtetë. Të shpëtojmë partinë që desh na e mbyti Koço Kokëdhima.

Është shumë interesant fakti se këta që sot shkruajnë e flasin kështu kanë qenë miq të Kokëdhimës dikur. Madje edhe letraxhinj të gazetës “Shekulli” që e kishin si dritaren e tyre e të partisë. Sepse asokohe, Kokëdhima ishte pritës e përcjellës i Edi Ramës, mësues, ndaj aty "edhe ne si vargan socialistësh bëjmë adetin".  Plus edhe një çikë inat labi kjo punë, se helbete nuk shkon që një nga Qeparoi të na bëjë kaposhin në Vlorë.

Nëse dëgjojmë atë që na thotë kryeministri Edi Rama, ky individ fobik ndaj mediave, çështjet e brendshme të Partisë Socialiste, janë vetëm interes i socialistëve. Pra ato nuk përbëjnë interes publik. Edhe pse e dimë shumë mirë që kjo është vetëm një provë e frikës që ka Edi Rama, do të duhet të pyesim edhe ne: More zotërinj, po kujt po i rruhet se çfarë bëni ju në parti? Apo mos vallë e dini se Partia dhe Populli janë një?

Merr vlerë kjo pyetje edhe kur sheh se nuk ka asgjë parimore në këtë kundërvënie ndaj Kokëdhimës. Sot ata që flasin, flasin me liçencë të Edi Ramës, ose se po kërkojnë të fërkohen edhe njëherë nga partia siç bën Shpëtim Gjika. Jo se Kokëdhima nuk e meriton këtë mësim që po merr tani. E meriton dhe madje meriton edhe më shumë për arrogancën që në disa raste e ka të pajustifikuar, për miopinë që ka treguar duke mosvlerësuar se adn-ja politike e socialistit nuk e pranon diskutimin, as polemikën, as rivalitetin dhe konkurencën. Ajo është një adn që njeh dhe operon me mekanizmin e direktikvës që shihet si autoriteti ndaj së cilës duhesh konformuar.

Pavarësisht se çfarë ishte reforma e Koço Kokëdhimës, ajo në thelb synonte të prishte ekuilibrat në PS. Dhe kjo është shumë. Madje tepër. Kokëdhima synoi të sillej në parti si me bizneset e veta: promovon ide të reja, kërkon të strukturojë prezencën e vet, por mandej atë që ndërton e prish. Dhe siç pritej  - mesa duket vetëm nga ai jo – Partia i tregoi vendin. Sepse nxënësi i tij Rama e ka kuptuar shumë mirë se disa gardhe nuk kapërcehen. Se trillet kanë kufi dhe se kur rrethohesh nga heshtja e atyre që nuk flasin, kjo është e rrezikshme.

Kjo shfaqje e ka një dobi sepse kënaq një lloj kurioziteti për këtë sojin e socialistëve. Një kuriozitet politik që ka të bëjë me vendimin unanim pro kryetarit. Gjithnjë pro kryetarit. Ka mençuri në këtë sjellje, ndonëse për të zezën e Shqipërisë, një mençuri bizantine që sot na ofron afirmimin e Edi Ramës në pushtet të pakufizuar në PS. Edhe pse ky afrimim vjen duke zyrtarizuar gënjeshtrën si letër e hapur nga poshtë. Kur Shpëtim Gjika, një ish – mësues që doli nga Bashkia e Vlorës si pjesëtar i një shtrese tjetër, kuptohet vetëm me djersën e ballit, na flet për rrezikun e PS-së së Vlorës, ai na gënjen. Në vitin 2015 kur Koço Zullumi ishte prezent në qarkun e Vlorës, PS-ja bëri kërdinë në fitore. Dritan Leli, kryetari aktual i Bashkisë, që sipas disa zërave nuk e njeh Vlorën mirë edhe si shtrirje, fitoi me mbi 15 mijë vota më shumë. Ku qëndron ky rrezik? Fuqia e vetme që ka Kokëdhima aktualisht është vetëm njohja e Edi Ramës nga shumë afër. Ky presion në rritje ndaj tij ka për rrjedhojë vetëm dy qëllime, përpos servilizmit:

Të diktojë izolimin total të tij, të bëjë me dije për të gjithë socialistët se çdo gjë që del nga goja e Kokëdhimës nuk ka vlerë(Nuk është çudi që shitja e Shekullit të ketë rënë pikiatë) dhe së fundmi të shmangë pazarin e vetëm të Koços: atë me LSI-në. Me gjasë do të shohim ende shumë pendesa socialistësh në vijim deri sa të vijë edhe pretenca për përjashtimin final dhe nxjerrjen në pension. Model jo i keq veprimi politik i cili mund ta instruktojë Barba Koçon edhe me mësimin e një Autokritike. Në fund të fundit, siç thotë dikush, Kokëdhima, njësoj si disa të tjerë në vitin ’90 “u emërua biznesmen”. Pra le të Rilindë Socialisti, që xhanëm aty ka qenë përherë.

Shaptilografisti

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.