Siguria shtesë, si një gjobë shtesë

Postuar në 24 Tetor, 2016 13:54

Me miratimin e ligjit për masat shtesë të sigurisë, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, nuk ka humbur kohë. Ai ka nisur të promovojë Shqipërinë e ekspozuar nga krimi i rrugës, që në statistika të tjera rezulton i ulur. Ky risk i lartë shërben si argument për të imponuar marrjen e masave teknologjike që burojnë nga ligji i ri, gjithnjë me synimin zyrtar siç shprehet ministri: për të çuar në zero goditjet kriminale. Por a është vërtet ky shqetësimi i tij? Pse, ndërkohë që problemi i ditës është përhapja e kanabisit, ministri angazhohet në vetë të parë për të takuar operatorët e karburanteve të shitjes me pakicë të cilëve u sugjeron kamera, automatë elektronikë etj.?

Për të gjetur një përgjigje do të duhet të shohim atë që ka thënë ministri vetë në takimin e sotshëm. Si fillim është situata, ashtu siç e paraqiti ai.

Statistikat e Policisë së Shtetit në vitet e fundit falsin qartë për një fenomen jo pak shqetësues lidhur me vjedhjen dhe grabitjen e pikave të karburantit. Nga viti 2011 deri në 2016 janë mbi 170 vjedhje dhe janë zbuluar jo më shumë sesa 40% e tyre. Kjo sepse jemi përpara një lloj fenomeni kriminal, i cili ka vështirësi në hetim dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve”, tha ministri.

Pra në pesë vite janë mesatarisht 34 vjedhje në një vit, apo ndryshe, 0.09 vjedhje në një ditë. A është ky numër shqetësues sa të imponojë një proces zinxhir teknologjik? Aspak. Për më tepër që ministri që sot kërkon vendosjen e kamerave ka pranuar po vetë, se të gjitha pikat e karburantit janë të pajisura me kamera. Dhe madje të një cilësie shumë të mirë. Tha Tahiri më tej:

Thuajse të gjithë pa përjashtim sot keni bërë investimet tuaja personale për të pasur një sistem kamerash në çdo pikë karburanti. Thuajse të gjithë pa përjashtim këtë e keni bërë si pasojë e vetëdijes suaj se duhet ky investim për të qenë më të sigurt”.

Për çfarë duhet atëherë një ligj i ri i posaçëm, kur shumë mirë me një urdhër, apo VKM detyrohen karburantet të lidhin kamerat me serverin e policisë, apo shërbimin server që sugjeron policia me detyrim kohor për ruajtjen e imazheve? Pse vallë duhet një debat aq i madh për një proces që është i realizuar tanimë nga vetë pikat e karburanteve? Merr më shumë vlerë kjo pyetje kur shohim Sajmir Tahirin, që deklaron vetë se do të mjaftonte qoftë edhe vendosja e një automati elektronik për pagesën natën, pra shmangien e parave kartëmonedhë për të eliminuar rrezikun e grabitjeve.

Nëse automatet elektronike të marrëdhënies financiare ndërmjet konsumatorit dhe shitësit të karburantit do ishin vendosur 5 vite më parë, sot vjedhjet e karburanteve do ishin zero. Vjedhjet me dhunë të karburanteve do të ishin zero”, tha ministri.

Këtu një parantezë: a janë automatet pjesë e detyrimeve të ligjit? A parashikon ligji i ri këtë masë? Ministri duhet ta shpjegojë këtë, pavarësisht se operatorët nuk e kundërshtojnë. Së dyti, ndoshta konsiderohet si investim i vogël, por një automat shkon dikur rreth 8000 euro...

Këtu vjen edhe një kontradiktë tjetër. Ministri po na thotë se kamerat janë tashmë, por duhen vendosur automatë elektronikë – një për çdo karburant – që të shmanget ajo shifra prej 0.09 vjedhje në ditë. Është krejt pra i pakuptimtë se përse gjithë ai debat për të bërë një ligj të ri, zbatimi i të cilit nis me një sektor ku nuk ka boshllëk serioz teknologjik që i ndihmon sigurisë.

Këtë dilemë, ministri i Brendshëm, ky individ i diskredituar, e ka zgjidhur duke dhënë nga vetja, pra duke cituar dëshirat e veta, e jo ligjin, një ide “moderne”. Shikoni se si shprehet dhe çfarë thotë Sajmir Tahiri, kur u ka kujtuar operatorëve se kamerat ata i kanë vendosur “pa konsultimin me policinë”:

Unë do të doja që ky standard të ishte deri në nivelin e njohjes automatike të targës dhe memorizimin automatik të personit dhe targës në komunikim të vazhdueshëm online non stop me policinë. Në mënyrë që policia të dijë që në atë moment, nëse një targë që paraqitet në atë sekondë në një pikë karburanti është e falsifikuar apo jo dhe kjo sot nga pikëpamja teknologjike është fare e lehtë. Kjo mund të na marrë kohë, kjo pa asnjë dyshim do të na marrë energji dhe jo pak burime financiare, por duhet të hedhim hapin e parë me garantimin e një sistemi që mundëson një nivel minimal të kritereve teknologjike, të sistemit të kamerave”.

Pra kamerat duhet të jenë të lidhura me policinë dhe ato duhet të realizojnë fotografimin automatik të personit dhe të targës. Të bëjnë atë që quhet Face Recognition. Këtu hyjmë në diskrecionin e ligjit për të dhënat personale dhe shohim se ministri nuk i referohet Ligjit për kamerat kur e sugjeron këtë gjë. Ai i referohet Vetes. “Unë do të dëshiroja”, thotë ai në një shprehje që krijon pasiguri të madhe.

Nga ana tjetër, të paktën termi “memorizim automatik i targës” na kthen prapa në kohë disa muaj, te diskutimi për konçesionin e targave me çip, për të cilat u propozua që çdokush të paguante 48€ për çdo çip(http://www.reporter.al/koncesioni-me-i-ri-i-qeverise-95-milione-euro-per...). Pra ky operacion që synon zyrtarisht rritjen e sigurisë, në fakt kalon nga një propozim i mëparshëm i administruar nga ministria e Transporteve që drejtohet nga LSI. Kujtojmë këtu se kjo e fundit ishte një nga polemizueset kryesore të ligjit të ri për kamerat, ajo kërkoi amendime shtesë etj., duke lënë kështu dyshimin se në këtë farsë të sigurisë mund luhet një lojë për një konçesion të ri. Ministri nuk është bindës në atë që thotë. Ai edhe si jurist nuk referon detyrimet e ligjit, por spekullon me shifra minimale dhe ambicie teorike për zero vjedhje. Këto nuk vlejnë në një mjedis ku funksionon llogaria dhe ekonomia. Promovimi i nevojave për kamera, lidhje me policinë, këtë memorizimin automatik të fytyrave dhe targave, nga vetë Tahiri, nxit dyshime serioze se këtu jemi para një pazari që do të ndajë para për shërbime të reja që prodhohen nga ligje dhe shqetësime fiktive.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.