Intervista/“Europës i mungojnë personalitetet që dinë të sjellin ndryshimin”

Postuar në 21 Tetor, 2016 13:23
Alessandro Zaccuri

Geert Mak, gazetar dhe shkrimtar holandez flet për Europën dhe krizën e saj. Në një intervistë për “Avvenire” Mak thotë se entuziazmi i viteve ’90, ai i rënies së Murit të Berlinit ushqeu një iluzion që është fara e krizës së sotme. Iluzionin se ajo energji poIzitive do të zgjidhte problemet, një gabim që mohoi nevojën e politikave dhe praktikës që plotëson emocionet. Intervista ka rëndësinë e vet për të kuptuar atë vështrim që vjen nga brenda Europës për situatën e tanishme, “ku ka kapluar frika” që i hap rrugë nacionalizmave. Shohim një Europë që vuan sot një krizë shpirtërore, por edhe një krizë të njerëzve që mund të sjellin ndryshimin. Dhe kjo nuk është një krizë e vogël apo pa pasoja.

Kjo nuk mjaftonte?(fjala është për entuziazmin e madh që shpërtheu me rëniën e Murit të Berlinit)

Entuziazmi nuk mjafton për të menaxhuar situata komplekse si ato që po fermentoheshin. Bashkimi Europian konsiderohej tashmë një fakt i kryer, e megjithatë askush nuk shqetësohej për të zhvilluar një politikë të përbashkët për temat kyçe si imigracioni dhe ekonomia. Ushqehej iluzioni se marrëveshjet e Shengenit nga njëra anë dhe monedha e përbashkët nga ana tjetër mjaftonin për të zgjidhur problemin. Nuk ishte kështu.

Çfarë mungoi?

Realizmi. Ose nëse preferoni përballja me realitetin. U mjaftua me kënaqësinë e formulimit të parimeve kumbuese, të cilët kishin nevojë për t’u përkthyer në praktikë përmes një serie vendimesh konkrete. Edhe mbrojtja e demokracisë u arsyetua me ndërhyrjen ushtarake në Afganistan dhe Irak, me pasojat që tashmë i dimë.

E keni fjalën për situatën në Lindjen e Mesme?

Në fakt edhe për atë në Europë. Euforinë e pushtoi depresioni dhe sot ndjesia dominuese është frika që po çon drejt rilindjes së vrullshme të nacionalizmave. Kështu aiç është formuluar, vëllazëria mes popujve u shfaq si një vlerë abstrakte, e paaftë të përballojë peshën e realitetit. Mjafton të mendojmë për përhapjen e papunësisë së rinisë, për tragjedinë e imigrantëve, për të gjitha dramat e pazgjidhura e të cilat infektojnë sensin moral të europianëve.

Vlen kjo edhe për Shtetet e Bashkuar të Amerikës?

Atje kuadri është pjesërisht i ndryshëm. Në ShBA është shumë e përhapur bindja, shumë e ngjashme me një besim fetar, e veçanësisë së fatit kombëtar. Është ai famshmi Përjashtim amerikan që në fazën e tanishme po infektohet me retorikën populiste të vënë në punë nga Donald Trump. Shikoni, libri im mbi ShBA-të merr shkas nga një udhëtim i John Steinbeck në vitin 1960. Gjysmë shekulli qysh atëherë, kur nisa të ndjek gjurmët e tij, personat që takova nuk bënin gjë tjetër veçse më përsërisnin të njëjtat koncepte. “Asokohe ishim më të varfër sesa tani”, thoshin, “por ishim të bindur se fëmijët tanë do të kishin një jetë më të mirë se ne”. Sot kjo shpresë është vanitur, në vend të saj ka zënë vend frika.

Pra është shpresa ajo që mungon?

Po, por mungojnë edhe personalitetet që dinë të prodhojnë një ndryshim. Në Europë, na pëlqen apo jo, vetëm Angela Merkel ka ditur të marrë nisma kurajoze. Në nivel global pastaj, Papa Françesko përfaqëson një përjashtim të jashtëzakonshëm dhe befaues. Kanë kaluar dy vjet nga fjalimi i tij në Parlamentin Europian, por asaj analize nuk mund t’i heqësh asgjë për kthjelltësinë dhe aktualitetin. Dhe nuk e kam për çështje fetare.

Ju jeni besimtar?

Jam djali i një pastori kalvinist, besimi ka patur një rol të rëndësishëm në jetën time. Nuk mund ta quaj më veten besimtar në kuptimin tradicional të fjalës, por mbetem i bindur se realiteti nuk ezaurohet brenda asaj që shohim. Kriza e botës së sotme, sipas meje, është mbi të gjitha një krizë shpirtërore.

http://www.avvenire.it/Cultura/Pagine/LUnione-astratta-carente-di-speran...

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.