Vizita në Beograd, katalizator për defaktorizimin e Edi Ramës në botën shqiptare

Postuar në 20 Tetor, 2016 15:28

Ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar sot në Facebook një status ku komenton vizitën e Edi Ramës në Beograd. Komenti vlen të sillet edhe si një qëndrim politik i formuluar mirë mbi tema të politikës së jashtme, ndonëse bashkë komentet për raportet me Greqinë, duket qartë një përpjekje për të defaktorizuar Ramën në botën shqiptare. Dhe jo pa sukses, nëse shohim se vizita e kryeministrit në Beograd prodhoi jo pak keqkuptime. Më poshtë komenti i Berishës: 

"Një polemikë e ashpër, si asnjëhere më parë që nga koha e Enver Hoxhës ka shpërthyer midis analistëve dhe pseudo-analistëve, patriotëve dhe pseudo-patriotëve, filo dhe anti-serbëve, avoketërve dhe kundershtarëve të Edvin Kristaq Ramës për deklaratat dhe qëndrimet e tij në vizitën fundit në Beograd dhe Nish.

Nuk do të ndalem këtu në komentet e asnjërit prej këtyre shkrimeve por me keqardhje konstatoj se në tërësi, natyrisht jo të gjitha, me pasion jane pozicionuar sipas dasisë kufitare të kombit dhe janë fokusuar në aspekte të veçanta por jo në raportin e këtyre qëndrimeve dhe deklaratave me interesin kombëtar, i cili është një dhe i pandarë, është pantotenik aty ku jemi shqiptarë.

Pra si të thuash, shumë nga reagimet, shkrimet dhe analizat nuk janë marrë me trungun, aq sa të duket se degët dhe gjethet as që i kanë lejuar që ta shohin atë!

Interesi kombëtar, të themi si boshti i përpjekjeve për të realizuar qëllimet më të mëdha nga një komb, natyrisht ka problematikat e veta kur kombi është i ndarë në dy apo më shume shtete siç është rasti ynë. Më qartë se në çdo fushë tjetër, interesi kombëtar shprehet në politikën e jashtme të kombit, në rastin tonë të dy shteteve të kombit.

Dua të theksoj që në fillim se, dashje pa dashje kjo polemikë e pashembullt në jo pak raste mori tone dhe nuanca, të cilat gjykoj se në fund të fundit i duheshin Edi Ramës për ti thënë Sandrit, siç e quan ai me prëkëdheli Vuçicin, dhe jo vetëm atij, se nuk je vetëm ti që kundershtohesh nga serbët por tani jemi njëlloj sepse dhe unë anatemohem nga shqiptarët pse vij në Beograd, paçka se në këtë mes serbët kanë qenë pushtuesit, agresorët kurse shqiptarët kanë qenë viktima.

Mirëpo për Ramën kjo ka pak rëndësi.

Por le të kthehemi dhe një herë tek raporti i qëndrimeve dhe deklaratave të Ramës dhe polemikës që ato ngjallen me interesin kombëtar.

Në këtë kontekst, në rast se qëllimi i vizitave të Ramës në Beograd do të ishte lehtësimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve dhe marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, çka do te ishte dhe interesi kombëtar, efekti i vizitës së tij është qartësisht i kundërt, dhe kjo, për hir të së vërtetës jo për shkak të udhëheqjes së Kosoves, por për faktin e thjeshtë se Rama punon vetëm për interesin e pushtetit të tij personal dhe jo aspak për interesin kombëtar, për të cilin ai është i huaj aq sa ç'është për një njeri që nuk i plas nëse e quajnë hero apo tradhëtar.

Nuk po ndalem këtu në faktin se kjo praktike, deklaratat dhe qendrimet e Ramës në Beograd dhe Nish i ndajnë politikanët shqiptar në ‘good boys’ and ‘bad boys’ forcojnë në Beograd dhe tek miqtë e Serbisë idenë e lindur serbe se të keqinj apo djaj që meritojnë çdo gjë janë shqiptarët e Kosovës dhe jo aq ata të Shqipërisë.

Përsëri, lidhur me interesin kombëtar, në qoftë se nuk duam të ringjallim polemikat e vjetra, duhet të shtrojmë pyetjen a është e interesit kombëtar sjellja e kryeministrit të Shqipërisë si një provokator ordiner në Prishtinë, në Beograd ndaj Kosovës zyrtare dhe qytetareëve të saj.

Për fatin tonë më të keq, që nga studimet e Kretchmer gjer sot, në shëmbëllesën psikologjike ne njihemi si inteligjente por mjerisht dritëshkurtër dhe ndofta akoma më keq ne jemi kujtesë-shkurtër.

Edi Rama, pa bërë betimin në Parlamentin e vendit si kryeministër, vrapoi në Prishtinë, por jo me mesazhin e mirëkuptimit. Ai shkoi aty me mesazhin e përçarësit, dhe si një provokator ordiner ai boshatisi parlamentin e Kosovës për shkak të qendrimit të tij të qëllimshëm përçmues ndaj arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Ata që mendojnë se ajo ishte një pakujdesi, iu them se gënjeni veten.

Rikujtoj këtu se Rama ishte ministër me shumë influencë në kohën kur Rugova anulloi vizitën e refugjatëve te ardhur nga Kosova në Shqipëri dhe u detyrua, për shkak të qëndrimit poshtërues të qeverise shqiptare ndaj tij, të fluturojë nga Roma në Maqedoni! Për të mos rikujtuar këtu atentatin e organizuar kundra tij më 21 shkurt të vitit 1991 nga policia sekrete e regjimit komunist.

Edvin Kristaq Rama është bir në shpirt dhe gjak i atij grupi drejtuesish komunistë, antishqiptarësh, që të udhëhequr nga të plotfuqishmit e Beogradit shiten sa herë jua kërkon interesi i pushtetit të tyre Kosovën dhe çështjen shqiptare, dhe më pas, për të justifikuar krimin e tyre të shëmtuar ndaj saj, ata urrenin atë për vdekje dhe mbillnin ditë e natë urrejtje për Kosovën dhe kosovarët!

E kam theksuar dhe përsëri e theksoj se ndarja shekullore në shumë aspekte ka ndarë shqiptarët. Por mendoj se një nga ndasitë e mëdha tonat si komb qëndron në asimetrinë e qartë të ndjeshmërisë së shqiptarëve të Shqipërisë krahasuar me shqiptarët e viseve të tjera shqiptare ndaj barbarive, genocidit serb në Kosovë por dhe në trevat e tjera të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Dhe kjo asimetri shprehet si nje difiçit tejet serioz, si një plagë neë interesin tonë kombëtar. Përpjekjet për të zvogëluar apo dhe zhdukur këtë difiçit dhe jo thelluar atë, i shërbejnë interesit kombëtar dhe duhet të jenë një objektiv madhor kombëtar.

Në tërë politikën shqiptare të 25 viteve të fundit, Edi Rama ka dëshmuar vullnet patologjik për të thelluar më shume se kushdo tjeter këtë asimetri. Është Rama, ish kryetari i bashkisë që i vuri çelësin e artë të Bashkisë së Tiranës, Bregoviçit dhe jam i sigurt se ndjehet krenar me aktin e tij, më së paku pervers.

Po në këtë drejtim, citimi i doktrinarit kryesor të genocidit dhe shfarosjes së shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë por edhe veriun e Shqipërisë të serbomadhit nobelist, Ivo Andriç, nuk është as rastësi dhe as pakujdesi siç duan ta servirin serbofilët, kriptoserbofilët apo avoketërit e Ramës. Citimi i Andriç është përzgjedhje e qëllimshme e Edi Ramës dhe këshilltareve të tij serbofilë për të provokuar shqiptarët, të cilët zbatimi i doktrinës së Andricit iu kushtoi dhjetëra e mijëra jete, qindra e mijëra deportime nga trojet e tyre shekullore, flet shumë. Injorimi i këtyre krimeve të rënda të paparashkrueshme kundër njerëzimit më së paku është përdhosje e varreve të viktimave të projektit Andriç.

Natyrisht Rama dhe këshilltarët e tij serbofilë i dinin të gjitha këto, por bazuar në moton se "nuk më behet vone në më quajnë hero apo tradhëtar" ata bënë përzgjedhjen e tyre cinike dhe mendoj se kjo moto ilustron më qartë se çdo gje tjetër qëndrimin e Edvinit ndaj interesit kombëtar.

Për ne shqiptarët, nobelisti Ivo Andriç është nje shkrimtar kriminel plotësisht i denjë jo për çmim Nobel, por po të ishte gjallë të gjykohej në Hagë si doktrinar i njërit prej genocideve më të shëmtuara në Europë, genocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, i cili vetëm në vitet 45-47 ka grirë në kasaphanën e tij së paku 4 herë më shumë shqiptarë se në luftën e fundit.

Ndokush mund të më thotë se po shfajësoj Vason?! Jo jo aspak, por bash per Nobelin e tij, Ivo behet më i rëndësishëm dhe më i besueshëm për ato që ai ka shkruajtur dhe projektuar kundra shqiptarëve!

Në Beograd Rama ishte një provokator i ulët ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Rrugët, urat ndërtohen për të rritur bashkëpunimin, mirëkuptimin midis vendeve dhe kombeve:

Ndërtimi i autostradeës "Ibrahim Rugova" nga autoritetet e Kosovës në vitet më të para të pavarësisë, nuk është vetëm një vepër madhore me interes kombëtar por dhe me interes të madh rajonal. Një kontribut i Kosovës në integrimet dhe bashkëpunimin rajonal.

Në këtë aspekt pa diskutim është i mirepritur ndërtimi i autostradës Nish-Merdare. Por është cinizëm dhe provokacion banal për interesin kombëtar, Kosovën, qytetarët dhe autoritetet e saj të flasësh për muaj të tërë për autostradën Nish - Durrës vetëm e vetëm se serbëve ju vret veshët faktorizimi rajonal i Kosovës, dhe të flitet apo të përmendet autostrada Prishtinë - Durrës apo autostrada Ibrahim Rugova!

Skandaloz dhe me pasoja të renda është firmosja fshehtas nga përfaqësuesit e qeverive, të Ramës dhe Vuçic i marrëveshjes, dokumentit për këtë rrugë dhe projekte të tjera, sikur Kosova të mos ekzistonte apo territori i saj të ishte një çështje apo çiflig Rama-Vuçiç. A nuk është kjo një thikë e mprehtë ndaj interesit tonë kombëtar?

Sëfundi, në vleresimin tim, finalizimi me sukses i procesit të Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë është një interes jetik kombëtar për çdo shqiptar, i cili do përcaktojë paqen e qëndrueshme ose luftën tjetër të përgjakshme në Ballkan. Çdo pykë, cdo përpjekje për të dobësuar pozicionin e Kosovës në këtë proces është në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar.

Këtu nuk konsideroj të tillë mbështetjen publike të Kosovës nga Shqipëria. Por ata që janë të sinqertë në këtë mbështetje, e paraqesin atë si mbështetje me citim eksplicit ndaj qeverisë së Kosovës të zgjedhur nga qytetarët e saj për ti përfaqësuar ata, përndryshe ajo merr ngjyra paternaliste, nuk i shërben Kosovës dhe interesit kombëtar por i dëmton ato.

Natyrisht këto pak rrjeshta i shkruajta për ata që besojnë se interesi kombëtar duhet të jetë ylli ynë polar drejt të ardhmes që meritojme si komb. Kurse për Ramen dhe apatridet si ai, që mendojnë se për ata, hero apo tradhetar është e njëjta gjë, më duhet t'u them se janë të pashpresë dhe se vendin e kanë në koshin e plehrave të historisë së kombit tonë!"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.