Diplomaci paralele me Athinën

Postuar në 12 Tetor, 2016 13:24

Vizita e Ilir Metës në Athinë duket se po nxjerrë në plan të dytë protagonizmin e deridjeshëm të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati apo kryeministrit Rama lidhur me Greqinë. Manovra me përgjigjien e Komisionerit Hahn u duk sikur i dha qeverisë shqiptare një lloj revanshi në raport me axhendën shqiptaro-greke, por një vizitë e papritur e kryetarit të kuvendit Ilir Meta në Greqi projektoi një linjë tjetër të politikës së jashtme me Greqinë, të distancuar nga qasja e kryeministrit Rama dhe partnerit në qeveri, Shpëtim Idrizi.

Meta u takua së fundmi në Athinë me kryeministrin Cipras, ku dhe i përcolli mesazhin se në Tiranë mund të negociohet jo vetëm me Edi Ramën dhe Ditmir Bushatin, por me të tjera palë që promovojnë axhendën e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, larg retorikës nacionaliste.

"Do t’ju lutesha që të bënit përpjekje të tjera në drejtim të lëhtësimit të politikave për emigrantët pasi kjo është shumë e rëndësishme për të dy vendet tona, jo thjesht për miqësinë, por për vëllazërinë midis shqiptarëve dhe grekëve. Në 26 vjet janë krijuar kaq shumë lidhje midis dy vendeve, midis dy popujve, lidhje familjare, shoqërore, njerëzore, ekonomike, tregtare sa që nuk mund të ketë më forcë as politika për t’iu kundërvënë kësaj marrëdhënie mjaft të fuqishme njerëzore në radhë të parë mes dy vendeve”, - tha Meta.

Nga ana e tij, Kryeministri grek Tsipras e vuri theksin te përmirësimi i marrëdhënieve dhe mbrojtjen e perspektivës së fqinjësisë së mirë. "Ky takim zhvillohet në një moment të veçantë. Një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy shteteve fqinje. Marrëdhënie të cilat gjatë rrugëtimit të tyre historik kanë pasur edhe tensione, kanë pasur edhe probleme, por kanë pasur edhe kohërat e mira. Dhe ne duhet të zgjidhim problemet dhe të kenë mbarëvajtjen e tyre. Duhet të mbrojmë perspektivën e fqinjësisë së mirë, ta mbrojmë atë nga zërat ekstremistë, nacionaliste. Në këtë kuadër, unë dua t’ju falënderoj juve sepse ju keni qenë gjithnjë përballë këtyre zërave nacionaliste. Përfaqësoni Kuvendin e Shqipërisë, institucionin më demokratik, kjo është një gjë shumë e rëndësishme, është djepi i demokracisë, dhe siç e dini Greqia është vendi që e ka lindur demokracinë"-theksoi Cipras.

Lëvizja e Ilir Metës për të zbutur tonet me Athinën vërtetojnë edhe njëherë krisjen e madhe të koalicionit të majtë dhe pasigurisë për të ardhmen e tij. Përveç llogarive elektorale që lidhet me të drejtën e votës së emigrantëve dhe zbatimin e saj që në zgjedhjet e 2017, kreu i LSI-së nuk mund të çojë përpara një axhendë nacionaliste që rrit votat e PDIU-së, parti me të cilën Rama mund të zëvendësojë LSI-në mandatin e ardhshëm.

Nga ana tjetër Edi Rama ka ulur thuajse në zero kreditet e tij në Athinë, duke atakuar politikisht si kryeministrin grek, Aleksis Cipras ashtu edhe qëndrimet e Greqisë, i përkëdhelur nga ideja e një axhende të re mbi Ballkanin Perëndimor, që mban firmën e Berlinit. Ajo që ndodh me Shqipërinë është se kemi dy qeveri paralele brenda një koalicioni që udhëhiqet mesa duket nga axhenda personale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.