Dinastia diktatoriale e Koresë së Veriut. Një amalgamë ideologjike unike

Postuar në 07 Shtator, 2016 21:48

“The New York Review of Books” i kushton në numrin e fundit një shkrim biografik dhe politik Kim Jong un, diktatorit të Koresë së Veriut.
Pak gjëra dihen mbi njeriun që drejton sot Korenë në të njëjtin stil dhe frymë, por sidomos bazuar mbi të njëjtën ideologji që konceptoi dhe vuri në jetë gjyshi i tij i famshëm, Kim Il Sung.

Shkrimi ka interes edhe për Shqipërinë, pasi dinastia koreane ka disa të përbashkëta me regjimin shqiptar të Enver Hoxhës.

Andrew J. Natan, autori i shkrimit, vë në dukje atë që tanimë pranohet gjerësisht: regjimi korean nuk ka si doktrinë Marksizëm – Leninizmin edhe pse Partia Komuniste Koreane nisi si e tillë.

Ideja kryesore që i mvishet Kim Il Sung është “Juche”, deri diku ajo që në Shqipëri e njihnim si “Të ecim me forcat tona”. Por në Kore, Il Sung e mistifikoi këtë ide. Ndërkohë që në Shqipëri ajo u adoptua si një fazë tranzitore apo taktikë kalimtare përballë vakuumit që la Kina, në Kore, ajo është filozofia dhe doktrina finale.

“Regjimi koreanoverior pra nuk është as stalinist dhe as konfucianist, siç përshkruhet shpesh. Ai aderon në një ideologji që quhet Kimilsungizëm, përqendruar në nocionin e “juche” (vetëmjaftueshmëria). Kjo ideologji u përshkrua njëherë nga Kim Jong – il(i ati i Kim Jong –un dhe djali i Kim Il Sung) si
“një ide origjinale që nuk mund të shpjegohet brenda strukturës së Marksizëm – Leninizmit...një ide e zbuluar rishtas në historinë e mendimit njerëzor”. Ajo bazohet rreth idesë se “njeriu, jo natyra, mban pozocionin e Zotit në botën materiale; juche është ajo që Bruce Cumings e quan “zemra e padepërtueshme e solipsizmit nacional koreanoverior”, shkruan Natan.

Mbi këtë gjetje ideologjike, një lloj nacionalizmi partikularist që huazon edhe nga kristianizmi e fe të tjera, Kim Il – Sung legjitimoi veten. Ai likujdoi rivalët e vet filosovjetikë dhe filokinezë për ta prezantuar veten jo si ndjekës, zbatues apo imitues i ndonjë lideri, filozofie, apo mendimi të huaj, por si “ati themelues...Krijuesi i Idesë së Pavdekshme të Juche dhe Njeriu më i Madh në 5 000 vjet të historisë koreane”.

Il Sung pra është paradigma ideologjike e regjimit, por edhe fara e tij biologjike që ushtroi pushtetin deri në vitin 1994.
Djali i tij, Kim Jong –il ishte një pasues i natyrshëm: ai qëndroi pranë të atit për të drejtuar operacionet e terrorizmit, kontrabandës etj., për 20 vite për të marrë pushtetin nga viti 1994 deri kur vdiq në vitin 2011.
Me obsesionin e legjitimitetit, Kim Jong – il ndryshoi vitin e lindjes nga 1941 në 1942 për t’i dhënë një përkim jubilar me datëlindjen e të atit, që ishte viti 1912. Edhe Kim Jong – un e ndjek këtë linjë që i ngjan një ushqimi supersticioz për popullin, por që ndoshta është edhe një autosugjestionim: Un mendohet se ka lindur në vitin 1984, por e ka ndryshuar vitin në 1982. Madje ai ka shtuar qëllimisht në peshë dhe mban prerjen e flokëve si Il Sung.

“Regjimi koraenoverior ka zgjidhur me sukses sfidën kryesore në regjimet totalitar: trashëgimin e pushtetit”, shkruan Natan.

Dhe për dikatorin aktual, kjo nuk është pak. Ai është fëmija i tretë i Kim Jong – il dhe u shfaq si pretendent vetëm dy vitet e fundit para se Jong – il të ndërronte jetë.

Djali i madh, Kim Jong – Nam, lindur në vitin 1971 duhet të ishte pasardhësi. Por ai u kap në vitin 2001 duke kaluar me pasaportë false bashkë me familjen në Japoni ku dëshironte të çonte fëmijët në Disneyland në Tokio. Kaq mjaftoi për ta likujduar atë si kandidat në sytë e Jong –il. Jong –nam shtyn ditët e tij në Makao në Kinë ku thuhet se është i dhënë pas kumarit.

Djali i dytë, Kim Jong – chul thuhet se ishte shumë femëror, ndaj edhe rruga për diktatorin aktual u hap. I padururar dhe me prirjen për t’u imponuar, Jong – un nuk shkëlqeu në shkollë. Ai studoi në një shkollë private në Zvicër ku u dha pas basketbollit. Me ardhjen në pushtet ai u dëshmua shumë më agresiv sesa i ati, i cili priti tre vjet në shenjë vajtimi për Il – Sung derisa mori postet drejtuese.

Kim Jong – un u hodh menjëherë në aksion. Ai likujdoi duke e pushkatuar Jang Song – taek, njeri i afërt i babait të tij, burrë i motrës dhe me shumë pushtet. Thuhet se ai mbante lidhje me Jong – nam çka bindi dikatorin aktual të lante hesapet shpejt. Vetëm dy vjet pasi mori pushtetin.

Kim Jong – un likujdoi edhe të afërmit e tij, madje edhe të shoqen e Song – taek që vuante nga demenca. Ky i fundit ishte interlokutori kryesor i kinezëve të cilët siç shkruan Natan u shokuan nga kjo lloj goditjeje edhe mbi familjarët.

“Ata e interpretuan një keqtrajtim kaq flagrant të interlokutorit të tyre kryesor në Phenian, të cilin e vlerësonin si një reformator racional, si një fyerje”, shkruan Natan, duke nënvizuar se Kina është aleati kryesor formal i Phenianit.

Një aspekt që ka jo pak rëndësi është suksesi i propagandës që ndjek Pheniani.

“Duke qenë një regjim që nuk përkufizohet te Marksizëm Leninizmi që angazhohet për përësimin e standardeve materiale të jetesës, por më tepër një regjim nacionalist në të cilin lideri mishëron virtytet koreane - që nuk përfshijnë shkëlqimin intelektual – inferioriteti i gjenisë së liderit krijon më pak probleme nga sa mund të marrë me mend një i jashtëm”, vijon shkrimi.

Është unike edhe kategorizimi i popullsisë në Kore ku duket se Lufta e Klasave udhëhiqet vetëm nga një premisë: besnikëria ndaj familjes Kim dhe shtetit.
Shoqëria koreane ndahet në 51 kategori të cilat vetë grupohen në 3 kasta: Zemra, të lëkundurit dhe armiqtë. Kim Jong – un thuhet se ka zbutur privacionet mbi kriterin e ndarjes klasore, në funksion të mbështetjes publike. Statusi klasor është i trashëgueshëm çka na sjell ngjasnmëri me format e luftës biografike që dikur ndiqej në Shqipëri.
Dhe njësoj si te ne në kohën e Enver Hoxhës, çdo luhatje shoqërohet me goditjen edhe të familjes. Privacioni është njohur si problem, por konformizmi i jetës është shumë i madh.

“Regjimi toleron tregje të vogla private që përmirësojnë furnizimin me ushqime, fermerët mund të mbajnë pjesë të të korrave të tyre, ndërmarrjet mund të shpërndajnë disa të ardhura për punëtorët dhe stafin dhe një numër i kufizuar tregëtarësh mund të lëvizin në kufirin kinez”. Një përzierje mes NEP, praktikave jugosllave që mbajnë në këmbë një minimum mbi urinë.

Mbetet interesant reagimi dhe adoptimi i politikave të dinastisë Kim nisur nga përvoja kineze. Kim Il – sung likujdoi kundërshtarët nisur edhe nga ajo që Lin Biao tentoi me Mao Tse Dong, pra një rrëzim. Dhe parë nga llogaritë e pushtetit nuk e kishte gabim. Në vitet ‘2000 kinezët sërish u përpoqën të bindin Kim Jong – il që të kryente reforma si ato të ndjekura prej tyre. Por Jong – il u përgjigj se reforma në atë shkallë që sugjeronin kinezët do të ishin politikisht vetëvrasëse. Dhe rasti i vetë Kinës në vitin 1989, pas 10 vjet reformash të Deng Xiaoping, i jepte të drejtë të dyshonte.

Nuk mungojnë paralelet me Gjermaninë Lindore që jetonte përbri Gjermanisë Perëndimore që e sfidonte modelin e saj në çdo hap. Por lideri korean duket se ka trashëguar instinktet e pushtetit: ndërkohë që shton dozën e lojërave ushtarake, ai rrethohet nga artilieria koreanoveriore dhe vetëimponohet si “lideri që mishëron virtytet koreane” brenda vendit të vet. E vërteta është se një hapje e Koresë së Veriut do të prodhonte milionë emigrantë dhe kësaj i druhen të gjithë. Sa i përket programit bërthamor, Natan shkruan se kinezët e shohin atë si problem që burimisht nis në Washington dhe te kërcënimet për rrëzimin e regjimit të dinastisë Kim. Pavarësisht se duket tekanjoz dhe ende larg autoritetit dhe legjitimitetit të dy parardhësve të vet, Kim Jong – un ka ditur të luajë: kërcënimet e tij bërthamore angazhojmë Korenë e Jugut, Japoninë dhe ShBA në një drejtim që Pekinit zyrtar nuk i pëlqen dhe nuk i intereson. Ndaj Kina gjendet e detyruar të luajë ndërmjetësin në një gjeopolitikë që përcaktohet në një masë nga Pheniani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.