Gërdeci, biznes politik me Drejtësinë

Postuar në 15 Mars, 2016 23:03

Dje në emisionin e Rudina Xhungës u shfaq një intervistë me Guy Lawson, gazetar, i cili ka shkruar një libër për ngjarjen e Gërdecit të vitit 2008. Gazetari në fjalë bëri të ditur se ka gjetur informacione që implikonin në ngjarjet e Gërdecit, ku nga shpërthimi i një fabrike demontimi municionesh gjetën vdekjen 26 njerëz, ish-kryeministrin Sali Berisha, ministrin e dikurshëm të Mbrojtjes Fatmir Mediu, por edhe ish-zyrtarë të ambasadës amerikane, që sipas tij “mbyllën njërin sy”.

Nëse do të kthehemi mbrapa në kohë, shpërthimi i Gërdecit më 15 mars 2008, u mbyll në nivel politik me një shpejtësi të rrufeshme, pas një vizite në spitalin ushtarak të Edi Ramës dhe Erjon Braçes, asokohe opozitarë, që pasi dëgjuan raportimin e Berishës i rrahën shpatullat dhe u larguan.

Në fillim të prillit Shqipëria u pranua anëtare e NATO-s, më 21 prill, brenda natës u realizua marrëveshja për shkatërrimin e Kushtetutës që garantonte kompetenca të kryeministrit dhe reduktim kompetencash për presidentin. Mazhoranca e dikurshme veproi shumë shpejt: ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dha dorëheqjen, shefi i Shtabit të Ushtrisë nuk dihet nga iku, ndërkohë që Berisha, që e kishte mbyllur pazarin me Edi Ramën, asistoi ekonomikisht familjet e dëmtuara nga shpërthimi. Konkluzioni? Në zgjedhjet e vitit 2009, në zonën e Gërdecit fitoi sërish Berisha, apo ndryshe, i akuzuari kryesor i ngjarjes në Gërdec.

Kjo parantezë e shkurtër ka rëndsi për të mbajtur parasysh se përgjegjësia për ngjarjen në fjalë nuk mund të reduktohet më te një person apo dy tre të tillë: me qëndrimet dhe reagimet që pasuan, fajësia i ka njollosur nga pak të gjithë.

Qeverinë e dikurshme sepse figuron organizatore, për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë, të vrasjes së 26 njerëzve dhe përfitimin me skemë korruptive të milona dollarëve nga pasuria kombëtare.

Ish-opozita me Edi Ramën në krye, që lau duart si Pilati në funksion të përfitimit të një konçesioni kushtetues, i cili edhe ai rezultoi pa efekt në zgjedhjet e vitit 2009.

Biznesi që u përfshi në skemën e demontimit, i cili nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi menaxheriale, por rendi pas një skeme fatale që e solli ngjarjen në finalizim. Janë po këta përfaqësues biznesi që kanë marrë pafajësi dhe ç’është më interesantja, janë ende efikasë në kapjen e ndonjë lejeje ndërtimi sot. Pra janë sërish afër tryezës së pushtetit.

Jo pa faj janë edhe vetë qytetarët, ata të Gërdecit që pranuan paratë e qeverisë për të harruar të afërmit, sikurse të gjithë qytetarët që me heshtje ia dhuruan të drejtën e protestës një partie si PS-ja që është e molepsur në këtë ngjarje me pazaret e veta.

Gjyqësori dhe prokuroria, si aktorët e mbylljes së mundësisë për të bërë drejtësi, si kufiza plotësuese aktive në mbylljen e syve para një ngjarjeje që po rihapet më shumë nga mediat dhe gazetarë të huaj.

Një përgjegjësi jo e vogël i do kërkuar edhe PD-së, e cila mund të ndërhynte ndaj marrëzisë së një kryeministri të implikuar tërësisht. Publikimi i procesverbaleve të mbledhjes së qeverisë të datës 17 shkurt 2007, ku diskutohej për krijimin e fabrikës së demontimit, zbulon se mes ministrave ka patur zëra të arsyeshëm dhe kundër imponimit të Berishës. Por heshtja e madhe që pasoi shpërthimin e dënon këtë parti dhe të djathtën në tërësi me statusin e një bishti të Sali Berishës, i cili operoi me shpejtësi dhe efikasitet si në planin politik ashtu edhe atë penal.

Në vargun e gjatë të përgjegjësive dallohet qartë një gabim i pashmangshëm që u konsumua në emër të domosdoshmërisë për rotacion: shpresa për drejtësi u delegua sërish tek një opozitë që edhe kauzat e veta nuk dinte t’i mbronte. Një rotacion që nuk arrin të përcillet në të gjithë degëzimin e sistemit, sa kohë që sot shohim afër kryeministrit ish-opozitar, po ata biznesmenë, po ato grupe interesi që deri më dje vilnin paranë publike, asistonin dhe propozonin projektligje, VKM dhe konçesione, nuk është rotacion, por stanjacion i mbuluar pas siglave partiake. Në thelb ky është regjimi i vërtetë për të cilin dikur ulërinte opozita. Kjo opozitë që sot ka ndryshuar regjistrin kur flet për shtetndërtim dhe reforma që “prishin rehatin dhe prekin interesa”.

Cili është interesi i prekur në zbardhjen e kësaj ngjarjeje që është arkivuar? Kjo është një pyetje që kryeministri aktual duhet t’i japë përgjigje. Është programi i tij politik që flet për drejtësi dhe zhdukje të pandëshkueshmërisë; është prononcimi i tij më 21 gusht 2015 - kur deklaron se për Gërdecin duhet “paraprakisht që drejtësia të vihet në kushte pune” që mandej ajo të behet - ajo që ngre shqetësimin. Për çfarë shtendërtimi flitet kur nuk arrihet që as të rihapet procedura hetimore për një krim të përmasave të tilla, apo një tjetër si ai i 21 janarit? E nëse një reformë e tillë nuk realizohet, a mos vallë kjo do të thotë se këtij kapitulli i është vënë kapaku?

Mazhoranca po hyn aktualisht në vitin e fundit të mandatit të vet të tanishëm, por asnjë gjë e prekshme nuk justifikon formulat me të cilat ajo mburret. Të flasësh për shtetndërtim, nuk do të thotë të bësh korrigjime, apo të ndryshosh ndonjë dorë në menaxhimin e parasë publike, as të shantazhosh duke paralajmëruar hapjen e ndonjë dosjeje të nxehtë. Jo, shtendërtim do të thotë ndryshim praktikash si ato të vendimmarrjes politike në tavolina qejfi me biznesin, do të thotë ndalim i një lobimi negativ që vijon prej vitesh nga e njëjta dorë njerëzish që po trashen vetëm si mjelës të shtetit përmes politikanëve. Një pushtet korporativ, ndërtuar ekskluzvisht mbi vjedhjen e parasë publike, në armiqësi me iniciativën e lirë dhe mbi kënetizimin e hapësirës dhe interesit publik. Shtendërtim do të thotë që të çmontosh me vepra atë që e ke premtuar me fjalë.

Gërdeci dhe 21 janari janë çështje të cilave axhenda e PS-së nuk mund t’u shmanget formalisht, megjithëse sot alibitë janë gati: Drejtësia dhe Ilir Meta. Por këto nuk janë pengesë që një parti, apo një kryeministër të tregojë më së paku vullnetin për të bërë disa gjëra, të cilat jo vetëm nuk i kemi parë, por përkundrazi, po dëshmojmë sesi interesi publik që qëndron pas këtyre krimeve po përdoret si kartë negociimi. Dhe kjo nuk mund të mbulohet gjatë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.