"Nuk e di" për partinë, por ekonomia është shumë mirë

Postuar në 01 Shkurt, 2016 19:11

Debati politik-publik që buron nga Partia Socialiste ka fituar një përmasë të re, deri diku komike. Diskutimet për nenet e statutit të kësaj partie, për zgjedhjet për kryetar, apo edhe për demokracinë e brendshme, ka vite që dëgjohen, e që shamatojnë skenën politike. Ato nuk kanë interesimin e dikurshëm, ndaj edhe rëndësi kanë fituar "debatet" për qeverisjen e PS-së. 

Një arsye për këtë është edhe integriteti i aktorëve në lojë: përballë kryeministrit Edi Rama, një politikan shumë problematik dhe i aftë të themelojë çdo stanjacion të mundshëm përmes dukjes “revolucionarizuese”, qëndron Ben Blushi. I pabesueshëm thujase plotësisht, politikan pa rezultate reale, por vetëm me sjellje të mirë politike. Një njeri që nuk ka marrë përgjegjësi tjetër përpos kritikës në momente kritike: të kujtojmë këtu shkrimet e Blushit kur Fatos Nano po largohej nga pushteti. E megjithatë edhe Fjala e thënë vlen. Dhe mirë që është edhe ajo.  

Ç’është me çuditshme, Fjala ende krijon frikë. Vetëm në këtë prizëm mund të lexohet “opinioni” i sotshëm i ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili i është drejtuar Blushit, si profesor i realitetit ekonomik.  Ka shumë interes çfarë thotë Ahmetaj, qoftë edhe për argëtimin gratis që ofron. “Nuk rri dot pa thënë opinionin tim kur argumentat shtrihen nga ato statutore, tek ato ekonomike. Sepse në këto të fundit, ashtu siç kemi ndarë me njëri- tjetrin në shumë debate, dëgjoj sintoninë e një muzike që vjen përtej oborrit tonë, nga kundërshtarët tanë politikë”, shkruan Ahmetaj(http://www.gazetatema.net/web/2016/02/01/nje-pergjigje-me-shifra-ekonomike-ben-blushit/). Përkthimi i parë politik i kësaj ndërhyrjeje: Blushi nuk ka platformë. Ai është nihilist. Ai ka rënë pre e korit të PD-së, që mohon çdo gjë për të fshehur rrënimin që la pas. Dhe me një ton paternalist, Ahmetaj këshillon në distancë Benin. “Ben, ekonomia nuk ka shkuar në rënie por në rritje.

Ben, konsumi ka ardhur në rritje dhe jo në rënie. Rreth 2% në tremujorin e tretë të 2015.

Ben, papunësia nuk është rritur, përkundrazi, punësimi është rritur”.

Në të vërtetë, Blushi, siç përmendëm më lart, mund të kritikohet për çdo gjë, por jo për leximin e realitetit. Pasi në këtë rast, Beni i Ekonomisë, po vë në diskutim edhe konsensusin e përgjithshëm se Beni tjetër, ai i kritikave, ka qenë gazetar i mirë. Dhe që situata nuk është mirë, kjo lexohet si rreshti dominues në çdo tekst politik të kohëve të fundit.

Por shqetësuese këtu, për aq sa mund të quhet e tillë diçka që thuhet nga njerëz jo seriozë si ministri në fjalë, është se mesazhet e një kritiku “të brendshëm”, administrohen me të njëjtën përgjigje si ndaj atyre që vijnë nga “jashtë oborrit”.

A thua vërtet këta ministra e qeveritarë besojnë realisht në rritjen e punësimit, të ekonomisë, të investimeve etj.? A thua vërtet, edhe në biseda miqësore(!!!) këta “shtetarë” flasin për ekonominë, rritjen, punësimin, njësoj siç i dëgjojmë në media? Nëse kështu flitet edhe privatisht, kjo është për t’u shqetësuar me të vërtetë, pasi kështu konfirmohet humbja e komunikimit mes një pjese të shoqërisë dhe qeverisë, e cila ka bërë besim të vetin një statistikë që nuk po e përjetojmë realisht.  

Ministri premton se “rritja ekonomike këtë vit do të jetë 3.5%”, duke harruar se vitin e kaluar u parashikua 3% e mbërriti në 2.7%. Dhe këtë e quan të folur me shifra.

Ministri vëren se “në të folurën pa shifra të mikut tim Ben Blushi, shoh populizëm”, por po kaq populizëm ka edhe në këtë leksion të tij. Një leksion që shkon për llogari të Kongresit të 19 marsit, i cili nëse mund të bëjë ndonjë gjë të mirë, është të përcjellë ministra si ky. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.