Dehumanizmi si degjenerim i politikës dhe Nard Ndoka

Postuar në 02 Shkurt, 2016 14:43
Fitim Zekthi

Nuk kishte pamje më të shëmtuar sesa ajo e komisionit të Ligjeve pak ditë më parë, kur një grup deputetësh nisën të gajasen së qeshuri pas një lapsusi të deputetit Nard Ndoka. Këta deputetë bash sikur të jenë qenie të udhëhequra vetëm nga reflekset pavloviane, nisin të qeshin gjithnjë sapo deputeti Nard Ndoka nis e flet (edhe kur nuk bën lapsus.) Edhe në ambiente të tjera të sferës publike, në media sociale etj., ka kohë që ka shpërthyer një pandemi e vërtetë dhe që ka në qendër deputetin Nard Ndoka. E vënë në lojë duke e quajtur filozof apo njeri të ditur, duke nënkuptuar se ai është në fakt e anasjellta. Nuk dihet se si nisi kjo marrëzi gati kolektive dhe cila mendje djallëzore e ushqeu dhe ushqehet me të. Gjithkush e di se deputetët e komisionit të Ligjeve nuk janë njerëz më të ditur apo më të moralshëm sesa deputeti Ndoka. Çfarë gjëje të mençur për shembull kanë thënë, dëshmuar apo shkruar Bashkim Fino, Fatmir Xhafa, Pirro Lutaj, Ulsi Manja apo Dashamir Peza etj. E njëjta gjë edhe për moralin. Për askënd nuk mund të thuhet se zotëron ndonjë ndershmëri të rrallë. Kjo sa për ilustrim të një fakti, sepse edhe po të ishin më të ditur dhe më të ndershëm, edhe po të ishin shkencëtarë (??) të rrallë, do të ishte e ndyrë të gajaseshin me lapsusin e z. Ndoka. Në fakt, komisioni i ligjeve është vetëm një rast i një fenomeni problematik dhe të rëndë në shoqërinë tonë, sidomos në jetën politike dhe publike: tallja. Tallja nuk duhet të ngatërrohet me humorin. Tallja përdor gjuhë përçmuese, kërkon ta bëjë dikë të duket qesharak. Tallja është dehumanizuese. Humori ka të bëjë me zbavitjen, shkaktimin e të qeshurës dhe ngjalljen e gëzimit. Tallja është një sport popullor në parlament, në qeveri, në emisionet televizive, në rrjetet sociale të facebook-ut apo të tjera syresh. Ish-kryeministri Fatos Nano u tall me gati të gjithë komitetin e përgjithshëm drejtues të PS në vitin 2001, për dy ditë me radhë. Namik Dokles i kujtonte të shoqen, Qefseren, që votonte Fatos Nanon, Luan Hajdaragës i kujtonte pilafin, Angjelit i kujtonte shkëmbin e Pëllumbit etj. Ilir Meta, në një mënyrë më uniforme dhe drejtvizore, të gjithë ligjërimin e tij e ka tallës, përçmues, shpotitës. Ka raste kur tallja bëhet e dukshme dhe raste kur ajo është më implicite, dhe raste kur e dukshmja dhe implicitja gjenden njëherazi aty, si për shembull te tallja që bën ai kur thotë që po qeveris me të rinj që iu jep hapësirë atyre, apo tallja që bën kur bën spot kundër blerjes së votës.

Talljen e gjen kudo te politikanë si Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Taulant Balla dhe sidomos tek Edi Rama. Që të gjithë këta për shembull, i drejtohen Flamur Nokës me Muli. Kryetari Edi Rama gati në çdo seancë i drejtohet Edmond Spahos duke e tallur o profesor, i thotë Flamur Nokës flamur pa shkop ose shkop pa flamur ose flamur pa bisht. Rama gjatë gjithë fushatës i drejtohej Berishës si plaku me jelek. Iu drejtua në një rast Jozefina Topallit në parlament duke i thënë “… më prit edhe 8 orë.. .se kur nuk ke Saliun do të vij unë”. Rama i drejtohet deputetes Albana Vokshi, duke i thënë ‘Pamela’, d.m.th. vë në lojë pamjen e saj. Rama tallet edhe me njerëzit, kur iu jep leje legalizimesh duke iu thënë ‘si i ke bërë kaq shumë fëmijë’, apo ‘ti rri gjithë ditën duke pirë birra dhe në darkë shkon dhe rreh gruan në shtëpi, ti rri luan loto’ etj. Rama iu drejtua një kandidati të PD-së për kryetar bashkie në Konispol, si Malo saldatori. Rama tallet në promovime librash si në rastin e promovimit të librit të Rudina Xhungës ku tha: “… po shoh Rudinë, që po na promovon dhe Kim Mehmetin që po bën atë që bën gjithmonë, po promovon veten”. (Kim Mehmeti kundërshtoi aty për aty këtë sjellje të Ramës.) Të njëjtën gjë bën Rama edhe me gazetarët vazhdimisht.

Tallja gjendet në krye të sjelljes edhe në disa programe televizive, ku ftohen hallexhinj që bëjnë si shkencëtarë ose zbulues të mëdhenj. Tallja gjendet edhe te programe të tjera, ku hallexhinj të tjerë vijnë e zihen vëllai me vëllanë në studio televizive. Tallja është edhe mes aktorësh apo këngëtarësh. Pak ditë më parë, një aktor tha për dikë tjetër që atij i mungojnë vetëm veshët e gomarit. Tallja është kudo, edhe në rrugët apo kafenetë e Shqipërisë, ku shurdhi, i verbëri, i dobëti apo gjithkush mund të kthehet në objekt talljeje i atyre që mendojnë se janë të zgjuar dhe të fortë.

Në shkencat sociale tallja është një element dehumanizues, që vjen nga një mendje abuzuese. Tallja reflekton botën e tyre të brendshme, ku viktimat janë vetëm përfaqësime dydimensionale dhe asgjë më shumë. Ata që tallen janë objekte të zhveshura nga emocioni dhe nevojat apo nga zgjatime të tjera të vetes, ndaj nuk meritojnë trajtim njerëzor dhe empati. Studiuesi izraelit, Sam Vaknin thotë se njerëz të tillë janë shpesh narcisistë – të zhytur në fantazi grandioze, të shkëputur nga realiteti dhe të dashuruar me veten e tyre false, të mbushur me ndjesi të gjithëpranisë, gjithëpushtetit dhe paranojës. Janë këto ndjesi, ato që bëjnë që deputetët e komisionit të Ligjeve të qeshin kur bën lapsus Nard Ndoka. Janë këto ndjesi që i shtyjnë njerëzit të tallen me të tjerët, t’i kthejnë në objekte dydimensionale. Shoqëria duhet ta përçmojë talljen me përbuzje dhe neveri. Në qoftë se shoqëria do të vazhdojë të argëtohet kësisoj, atëherë shkatërrimi është i pandalshëm, pasi dehumanizmi mes nesh rritet me këtë ushqim. Totalitarizmat, komunizmi, nazizmi kishin në themel të tyre dehumanizmin. Dihet çfarë talljesh bëheshin me hebrenjtë, me familjet e kulakëve, me priftërinjtë, hoxhallarët etj..

"Mapo"

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Zoti Fitim, te pergezoj per kete trajtese. Varferia mendore e kritike shkencore ne te cilen eshte zhytur tere shoqeria shqiptare pa dallim personash, tregon kete nivel emancipimi.
Problemi i talljes tregon se nuk kane ndonje ndryshim te madh i rrituri ne bllok me ate fshatarin e thjeshte, i pasuri me te varferin.
Po te pyetet Kryeministri se a ndjehet mire ta talle ai fshatari "pa buke", ç'do te thoshte?
Ju mund ta kishit trajtuar edhe problemin e talljes therese qe di te beje nje i varfer.
Ai di te talle me mire se Kryeministri apo se te gjithe deputetet, por nuk e ben, nuk e ben se respekton drejtuesin, te zgjedhurin, poziten ne pushtet.
I varferi, pra, di te talle shume bukur dhe rende.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.