“Rritja ekonomike për 2016-ën pritet 2.3-2.5%. Të përfundohen reformat, ndryshe investitorët do të largohen”

Postuar në 18 Janar, 2016 13:52

Rritja e pritshme për vitin 2016, sipas organizatave ndërkombëtare nuk do të jetë 3.4% siç pretendon qeveria, por 2.3-2.5%. Këtë thotë Presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipërisë, Silvio Pedrazzi, i cili përmes një interviste të publikuar nga “Monitor” apelon edhe realizimin e reformave, për kalimin drejt një ekonomie që edhe eksporton.

Më poshtë intervista:

Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen ekonomike në 2016 në Shqipëri? Cilat janë mundësitë dhe rreziqet?

Bazuar në vlerësimet e organizmave ndërkombëtare për Shqipërinë, ne presim një rritje të moderuar të PBB-së në nivelin 2.3-2.5%, por kjo, jo e shpërndarë në mënyrë të barabartë në sektorë të ndryshëm.

Ekonomia e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me ato të partnerëve më të mëdhenj, tradicionalë, Italisë dhe Greqisë, por rreziqet kryesore, në periudhë afatshkurtër mund të vijnë nga ngadalësimi i ekonomive më të mëdha botërore, d.m.th SHBA dhe Kina.

Sa i përket situatës së brendshme ekonomike është shqetësuese, megjithatë projektet e mëdha infrastrukturore mund të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme për zgjerimin, por është e nevojshme të mbahet nën kontroll të rreptë borxhi publik. Në të njëjtën kohë të nxiten sipërmarrësit vendas përmes investimeve të reja, kjo edhe për të rritur konsumin e brendshëm… Kjo nuk do të jetë e lehtë!

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me Investimet e Huaja Direkte?

Kompanitë e huaja vendosin të investojnë bazuar në disa faktorë kryesorë, si: kthimi i investimeve, avantazhet konkurruese, kapitali i kërkuar, si dhe mjedisi i të bërit biznes. Në këtë drejtim, vendi duhet të punojë shumë për të përmirësuar atë çka është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të autoriteteve vendore. Kjo do të thotë se është vërtet e nevojshme të përfundohen reformat e mëdha dhe të ofrohen stimuj shtesë, si parakusht për tërheqjen e Investimeve të reja të Huaja Direkte.

Mosrealizimi i këtyre përmirësimeve do të reduktonte tërheqjen, duke e kaluar atë në favor të vendeve të tjera fqinje. Ne nuk mund të presim investime të reja, të konsiderueshme, në rast se nuk plotësohen këto kushte.

Si e parashikoni mjedisin e të bërit biznes për vitin 2016?

Mjedisi i biznesit pritet të përmirësohet vitin e ardhshëm, për shkak të reformave të shumta të nisura nga qeveria, natyrisht edhe në qoftë se do të realizohet një ndryshim efektiv në sistemin gjyqësor. Sa i përket trendit të konsumit, situata është shqetësuese, duke pasur parasysh nivelin aktual të pagave në vend. Unë nuk jam aq optimist nëse do të ketë një përmirësim të fortë në nivelin e besimit. Në këtë drejtim, një mjedis më i qetë politik do të ndihmonte në mënyrë të konsiderueshme.

Si i vlerësoni masat e qeverisë kundër informalitetit? Si mendoni se do të ndikojë përjashtimi i biznesi të vogël nga taksat?

Të gjithë në këtë vend duhet të kuptojnë se lufta kundër informalitetit shkon në favor të të gjithë qytetarëve të ndershëm, për mënyrën e drejtë të shpërndarjes së barrës fiskale. Në fillim mund të jetë e vështirë të mposhten sjelljet që kanë zgjatur për shumë vite, por në fund shteti do të korrë sukses. Lidhur me heqjen e taksës mbi biznesin e vogël, unë jam kundër në parim. Në vend të kësaj mase do të kishte qenë më mirë të përcaktohej një nivel minimal, i qëndrueshëm, që nuk do ta kishte ‘vrarë’ biznesin e vogël. Megjithatë, unë i kuptoj arsyet pse është anuluar dhe shpresoj se në kohën e duhur, ajo do të rivendoset.

Gjithmonë e më tepër dëgjojmë mbi nevojën e krijimit të një modeli të ri ekonomik, ndërkohë që burimet aktuale të rritjes ekonomike po pakësohen. Cilat janë rekomandimet tuaja, ku dhe si duhet të fokusohet qeveria?

Jam plotësisht dakord. Qeveria duhet të identifikojë aktivitetet që, potencialisht, mund të gjenerojnë më shumë eksportin dhe të reduktojnë importin. Shqipëria ka nevojë për më shumë industri prodhuese, për të rritur prodhimin e produkteve bujqësore, për zhvillimin e turizmit dhe për të mbështetur prodhimin e energjisë. Shumë aksione po ndërmerren, por ndiej një sens urgjence në finalizimin e tyre. Shqiptarët, dua të them sipërmarrësit lokalë, duhet të jenë aktorët kryesorë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.