Tri partitë kryesore në “dilemën e të burgosurve”

Postuar në 10 Tetor, 2015 01:16

Qysh nga 2009-ta (kur hyri në fuqi sistemi aktual elektoral), rezultatet zyrtare të zgjedhjeve  parlamentare  shqiptare kanë treguar se asnjëra nga tri partitë kryesore (PS, PD, LSI) nuk ka qenë në gjendje të krijojnë qeverinë, pa bërë koalicion me një prej dy të tjerave. Edhe nga një sondazh që kam bërë kohët e fundit (http://www.respublica.al/2015/09/23/sondazh-ps-640-mij%C3%AB-vota-pd-620-mij%C3%AB-lsi-175-mij%C3%AB-partia-%E2%80%9Cbojaxhi%E2%80%9D-70-mij%C3%AB ), por edhe nga rezultatet e zgjedhjeve lokale 2015, rezulton e njëjta gjë - asnjëra nga tri partitë kryesore shqiptare  nuk është në gjendje të krijojnë qeverinë e vetme, pa bërë koalicion me një prej dy të tjerave.

Duke filluar nga korriku i këtij viti, kur Fatmir Mediu, një aleat i ngushtë i Lulzim Bashës hodhi idenë e një marrëveshje të madhe mes PD-së e PS-së, për të ndryshuar sistemin elektoral në dëm të LSI-së, dhe për ta rikthyer sistemin politik në një rivalitet të thjeshtë bi-polar mes PD-së e PS-së, u zhvillua një betejë mediatike, nga e cila dukej se LSI-ja do të dilte e humbur. 

Por pas një mesazhi publik të Ilir Metës para disa ditësh nga Skrapari, ku u përmendën “malsorë” dhe “doktorë”, që po thanë “po”, thonë “po”, duket se skenari i një marrëveshje PD-PS për ndryshimin e sistemit elektoral është arkivuar – “Doktori” e mori mesazhin e “Malsorit” nga Skrapari…

Tani e vetmja lojë politike interesante në kryeqytetin tonë provincial mbetet loja me kungulleshka – nëse do të ndërrohen 2 ministra apo 4 ministra brenda koalicionit PS-LSI. E cila të kujton “dilemën e të burgosurve” në teorinë e lojës, një nga teoritë më kryesore të matematikës moderne.

“Dilema e të burgosurve” është rasti më i thjeshtë në teorinë e komplikuar të lojës. Dy të burgosur janë të interesuar t’i përmbahen një pakti të bërë para arrestimit, në mënyrë që të dy të dalin pa lagur. Por në qoftë se njëri çedon, duke akuzuar pjesërisht tjetrin prapa krahëve, mund ta pësojë nga kundërsulmi i pritshëm i partnerit, i cili mund t’i zhysë të dy më thellë. Dhe si përfundim, situata zgjidhet në mënyrë racionale, me një ekulibër ku të dyja palët dalin pa lagur. (Me fjalë, kjo duket një lojë e thjeshtë, por matematikisht shprehet me formula jo shumë të thjeshta, që kombinojnë probabilitetet e çdo degëzimi të rrjedhjes së ngarjeve).

Në një situatë të ngjashme ishte marrëdhënia PD-LSI gjatë qeverisjes së tyre të përbashkët (2009-2013), kur Meta i kërkoi Berishës shkarkimin e Dritan Priftit si ministër, si dhe pas publikimit të videos Meta-Prifti. Dhe zgjidhja atëhere u gjet siç e parashikon teoria matematike e sipërcituar – situatat u zgjidhën në mënyrë racionale, me një ekulibër ku të dyja palët dolën pa lagur.

Me pak fjalë, mund të thuhet se, për sa kohë mbetet në fuqi sistemi aktual elektoral, tri partitë kryesore janë të burgosuara në “dilemën e të burgosurve” – asnjëra nuk mund të luftojë njëkohësisht  kundër dy të tjerave, pa i bërë gropën vetes.

A do të ndryshojë sistemi elektoral apo do të dalë në skenë një parti e katërt, që ta prishë këtë ekulibër vicioz?

Kjo mbetet të shihet…  

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.