Lëmshi sirian, ShBA, Rusia dhe Irani, aktorët realë që po vendosin

Postuar në 06 Tetor, 2015 20:39

Ndërhyrja ruse në Siri ka acaruar në kulm marrëdhëniet me Perëndimin, që po i përmbahet versionit se avionët rusë nuk po godasin militantët e Shtetit Islamik. Mirëpo ndërkohë që Kremlini ka autorizuar publikimin e videove që provojnë goditjen e ISIS, në dritë kanë dalë incidentet me Turqinë. NATO ka deklaruar se Rusia duhet të heqë dorë nga provokimet dhe se ajo që ndodhi në Turqi nuk ishte incident. Gjithsesi situata nuk është aq e thjeshtë. Ish-këshilltari për Sigurinë në Shtëpinë e Bardhë, Zbigniev Brzezinski, shkruan në një opinion në “Financial Times”, se Perëndimi ka interes që të koordinohet me Rusinë në fushatën kundër terrorizmit; në të kundërt, pra nëse Kremlini vijon me këtë sjellje, atëherë kundërpërgjigja duhet të jetë ushtarake. Por Brzezinski e bën këtë sugjerim si formë të ruajtjes së interesave dhe prestigjit amerikan, e ca më tej si premisë në vendosjen e një bashkëpunimi tripalësh mes ShBA-së, Rusisë dhe Kinës në zgjidhjen e problemeve në këtë rajon. “Rusia ka çdo të drejtë që të mbështesë z. Assad, nëse kështu dëshiron, por përsëritja e asaj që ka ndodhur, duhet të shoqërohet me kundërpërgjigjen amerikane. Prezenca detare dhe ajrore ruse në Siri është e ekspozuar, e izoluar gjeografikisht nga vendi i origjinës. Ato mund të “çarmatosen” nëse këmbëngulin me provokimin e ShBA. Por Rusia mund të bindet që të veprojë me ShBA në gjetjen e një zgjidhjeje më të plotë të problemeve në rajon...dhe nëse kjo ndodh, mundet që të çojë në zhvillime gjeopolitike pozitive: angazhimin e Kinës në frenimin e shpërthimit të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme...Franca dhe Britania nuk mund të luajnë më një rol vendimtar në Lindjen e Mesme. ShBA e ka të vështirë të luajë një rol të tillë e vetme...”, shkruan Brzezinski. Kjo pak ditë pasi kryeministri britanik Cameron konfirmoi se për arsye të sigurisë, përdorimi i armëve bërthamore është i mundshëm, si dhe pasi presidenti francez Holande autorizoi sulmet ajrore në Siri. Është e qartë se loja po risjell skemën e Luftës së Ftohtë, ose më saktë kjo skemë preferohet si më funksionale në vendosjen e stabilitetit. Assad në këtë drejtim po kthehet gradualisht në një mjet në duart e më të mëdhenjve dhe stigmatizimi i tij i skajshëm thjesht e ka humbur vlerën. Revista gjermane “Spiegel” referon një diplomat rus në Damask, sipas të cilit kërkesa e Assadit për ndihmë ushtarake nga Rusia, lidhet më së pari me penetrimin radikal të iranianëve. Sipas këtij diplomati, Irani, më saktë Garda Revolucionare, synon vijimin e Revolucionit Islamik të ’79-ës, duke ecur me qëllimin e mposhtjes së sunitëve nga shiitët. Por kjo nuk po kursen as alevitët, prej nga vjen vetë Assad. Diplomati rus referon se Assad po ndjen se për Iranin ai nuk është zgjidhja finale, pasi Teherani e trajton Sirinë si koloni. “Në fillim të vitit 2013, Hojatoleslam Mehdi Taeb, një nga planifikuesit e e angazhimit iranian në Siri tha: “Siria është provinca e 35-të e Iranit dhe është strategjike për ne”. Duke përdorur shumë mënyra, Teherani po realizon instalimin e pushtetit të vet në Siri. Operacionet ushtarake janë përdorur për të fuqizuar praninë e milicisë shiite Hezbollah në kufirin me Libanin. Në Damask, Latakia dhe në Jabla, po hapen një numër në rritje husenitesh –qendra fetare shiite - që synojnë kthimin e sunitëve dhe vetë alavitëve në shiitë. Me hapjen e xhamisë në Latakia, imami deklaroi: “Ne nuk kemi nevojë për ju, por për fëmijet dhe nipërit tuaj”. Emisarë iranianë po blejnë toka dhe ndërtesa në Damask; atë kanë blerë thuajse të gjithë lagjen hebreje dhe po sjellin aty shiitë nga vende të tjera”, shkruan “Spiegel”(http://www.spiegel.de/international/world/syria-leader-assad-seeks-russi...). Siç shihet qëllimet iraniane përkojnë me shpërbërjen finale të strukturës që mbështet sot pushtetin apo legjitimitetin relativ të Assad. Ndërhyrja ruse ishte karta e vetme për të, e cila jo rastësisht u kundërshtua nga Turqia, por edhe Arabia Sauidte, që ka sot probleme serioze me Jemenin, pas të cilit qëndron sërish Irani. Nga ana e vet Rusia ka ndërmend ta vazhdojë fushatën për rreth katër muaj dhe kaq është edhe dislokimi ushtarak i raportuar.

Po çfarë synon Rusia? Do besuar se në themel është ekonomia, apo më saktë burimet energjetike. Në vitin 2013, faqja “Follow the Money” shkruante se kriza e vërtetë për Assadin nisi kur ai ra dakord për ndërtimin e gazsjellësit Iran-Irak-Siri, që sfidon rrugët e gazit të vendeve të Gjirit. Për vende si Katari dhe Arabia Saudite ky është një gazsjellës shiit që e vendos Iranin dhe satelitët e tij në kushte strategjike të reja, teksa merr në kontroll furnizimin e Europës me gaz. Loja është po ajo që luante dikur Rusia me South Stream, për të cilën kujdesej që të kalonte në aksin orotodoks. Qysh në atë kohë, autori, Jerry Robinson shkruante se ky gazsjellës i jep një mundësi Rusisë që të luajë në rol thelbësor aty, sa kohë Irani është nën izolim dhe nuk eksporton dot(http://ftmdaily.com/what-jerry-thinks/whysyria/). Marrëveshja me ShBA-të e ka ndryshuar lojën dhe prezenca ruse ngjan sikur e konfirmon këtë tezë. Moska është rikthyer edhe në Egjipt, duke ndryshuar kështu balancën në të gjithë Mesdheun Lindor. Natyrisht edhe goditja e grupeve islamike është e rëndësishme, të cilët po të shihet në këtë dritë, deri më tani kanë destabilizuar vende me përkatësi të afërt me shiitët. Kthesa që po ndodh aktualisht i shkon si kredencial forcës së Iranit që po përvijohet si fuqia kryesore dhe më me ndikim në terren, që po krijon kushtet që të negociojë me letra të tjera marrëveshjet ekonomike. Opsioni i Brzezinskit për një koordinim ruso-amerikano-kinez, edhe pse i dhimbshëm për Europën, është më pranë raportit të forcave. Kur vjen puna te Lindja e Mesme, me sa duket ka vetëm një mall që është në lojë: nafta apo gazi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.