Kush janë liderët politikë shqiptarë?

Në një shënim të disa ditëve më parë, gazetari i njohur grek, Alexis Papachelas, bënte një përshkrim dhe vlerësim të shkurtër për Antonis Samaras, ish-kryeministër i Greqisë, aktualisht në prag të krijimit të një partie të re.
Samaras vjen nga një familje e njohur; ai shkëlqeu që fëmijë në rrethet e ngritura të Athinës, njeh disa gjuhë të huaja dhe ka shkollim shumë të mirë. Asgjë në fatin e tij nuk dukej se do ta pengonte në rrugën e vet drejt majës. Dhe Papachelas na thotë se Samaras kishte një bindje të thellë dhe këmbëngulje për t’u bërë dikur kryeministër i Greqisë. Ia arriti. Por jo ashtu siç dikush do të priste. Sepse Samaras nuk ndoqi rrugën konvencionale. Një njeri i bindjeve të thella dhe me gjasë i nënshtrimit inetelektual ndaj një etike publike, ai ndoqi pikërisht atë rrugë duke çuar në krizë politike partinë e Demokracisë së Re.
Mbijetesa e tij u sigurua nga një vendosmëri e egër dhe një rrjet lidhjesh politike shumë i dendur duke siguruar rikthimin më të bujshëm në historinë e politikës greke. Kriza financiare greke ishte në këtë kuptim momenti për të cilin Samaras ishte gatuar dhe roli i tij vlerësohet nga të gjithë. Por në fund demonët e vunë përpara dhe ai nuk hapi rrugë në parti.
Shënimi prezanton një rast atipik në politikën greke, e karakterizuar nga ballkanizmi tradicional i tufëzimit, ku individualiteti përputhet edhe me disa bindje të thella që në fund të fundit, pavarësisht se provokojnë kriza, e mbajnë të shëndetshme hapësirën publike.
Kush është Antonis Samaras? Kjo do të vlerësohet nga historia, por gazetari tërheq vëmendjen në një personazh të kthyer në pikë referimi për virtytet e veta politike.
Profilizimi i liderëve politikë dhe njerëzve me përgjegjësi publike ka rëndësi historiografike dhe shoqërore. Duke qenë një zhanër i letërsisë politike që mëton të shpjegojë historinë, neutraliteti dhe paanësia janë të vështirë. Pa folur për faktin se disa vendime lidhen strikt me cilësi psikologjike që janë shumë të vështira për t’u hetuar. Dhe ky profilizim historiografik në Shqipëri mungon thuajse tërësisht duke krijuar një boshllëk të madh dhe hapësirë për abuzim. Politikanët e vendit tonë, apo më mirë rrugaçët me imunitet, e caktojnë vetë vendin në librat e historisë duke u sjellë si shefa tribush që janë njëherazi edhe shamanë.
Ende sot ne nuk kemi një ide mbi figurën e Ahmed Zogut, Enver Hoxhës, qeveritarëve të atyre viteve që vijojnë të shihen bardhë e zi, duke pranuar për një injorancë të përgjithshme si të virtytshëm vetëm Ismail Qemalin.
Rrugëtimi i tyre dhe pasojat që lanë shihen përherë nën lupën e aktualitetit, duke vështruar në aspektin personal te ta vetëm kriminalen, apo heroiken sipas rreshtimit që kanë narratorët. Historia është edhe ajo e akteve zyrtare, politikave të adoptuara, që nuk shkëputen nga konteksti i kohës. Vlen këtu të shtohet edhe fakti se portreti psikologjik I një lideri vepron shpesh si shpjegim për shumë akte, por në kësi rastesh ne nuk jemi në gjendje ta shkëpusim atë nga e tëra, epoka e identifikon.
Politikanët në perëndim shpesh krijojnë fondacione që vijojnë edhe pas vdekjes, përmes të cilave çojnë para, apo mbajnë gjallë kontributin historik të tyre, duke shërbyer edhe si përçues idesh dhe politikash. Jemi padyshim larg një kulture të tillë, edhe pse politikani në Shqipëri është shpesh një anonim që katapultohet për arsye të tjetërkujt, por së paku për figurat kryesore të shekullittë 20-të ka nevojë të vihet një rend. Të krijohet një konsensus historik për disa aspekte që nuk mund të lihen në mëshirën e gossipit dhe qasjes nihilizuese të politikës së ditës, dominuar nga të prezumuar të drejtësisë.

Add new comment