Arabia Saudite hap dyqane të reja alkooli
Arabia Saudite planifikon të hapë dy dyqane të reja alkooli, përfshirë një që i shërben stafit të huaj jo-mysliman. Kjo vjen në kuadër të liberalizimit që ka ndërmarrë sundimtari de facto Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman.
Dy pikat e reja të shitjes do të vendosen në provincën lindore të Dhahranit, ndërsa një e tretë për të huajt do të hapet në qytetin portual të Xhedës.
Dyqani i parë i alkoolit në Arabinë Saudite u hap vitin e kaluar dhe u shërben diplomatëve jo-myslimanë në kryeqytetin Riad. Ai është pika e parë ku shitet alkool që nga vendosja e një ndalimi 73 vjet më parë.
Sipas Reuters, e cila u referohet burimeve që kanë dijeni mbi planet, dyqanet e reja në Dhahran do të jenë në një kompleks në pronësi të gjigantit të naftës, Aramco.
Përpara dyqanit të Riadit, alkooli ishte kryesisht i disponueshëm vetëm përmes postës diplomatike, tregut të zi ose prodhimit të birrës në shtëpi.
Ndërsa pijet alkoolike janë ende të ndaluara për shumicën dërrmuese të popullsisë, sipas reformave të bin Salman, si sauditët ashtu edhe të huajt tani mund të marrin pjesë në aktivitete dikur të paimagjinueshme, nga vallëzimi në shkretëtirë deri te frekuentimi i kinemasë.
Reforma të tjera përfshijnë ë lejimin e grave për të ngarë makinën, që nga viti 2017, lehtësimin e rregullave mbi ndarjen e burrave dhe grave në hapësirat publike dhe uljen ndjeshëm të pushtetit të policisë fetare.
Mbretëria ka lehtësuar kufizimet për të tërhequr turistët dhe bizneset ndërkombëtare si pjesë e një plani ambicioz për të diversifikuar ekonominë e saj dhe për ta bërë veten më pak të varur nga nafta.
Para disa kohësh, mediat ndërkombëtare raportuan se autoritetet saudite mund të lejojnë shitjen e alkoolit në mjediset turistike, ndërsa vendi përgatitet të presë Kupën e Botës në futboll në vitin 2034.
Ky raportim u mohua në atë kohë nga një zyrtar saudit dhe hapi një debat të madh online në endin mysliman, mbreti i së cilës mban gjithashtu titullin e Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta - vendet e pelegrinazhit në Mekë dhe Medinë.
Liberalizimi social ka ecur me një ritëm marramendës, por udhëheqja ka ndjekur një qasje më graduale dhe të kujdesshme ndaj çështjes së alkoolit.
Arabia Saudite ka zgjeruar në mënyrë agresive portofolin e saj të turizmit lokal me zhvillimin gjigant Red Sea Global, i cili përfshin plane për të hapur 17 hotele të reja deri në majin e ardhshëm.

Add new comment