SHBA, operacione sekrete për të rrëzuar Maduron

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë një fazë të re të ushtrimit të presionit ndaj Venezuelës me përdorimin e operacioneve të fshehta specifikisht për të rrëzuar qeverinë e Presidentit Nicolas Maduro. Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar burime në administratën amerikane.
Nuk dihet se kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump e ka marrë vendimin për t’i nisur këto operacione dhe cila do të jetë shkalla e tyre, por ato do të nisin të zbatohen në ditët në vijim.
Pentagoni i është drejtuar me disa pyetje Shtëpisë së Bardhë, ndërkohë sipas Reuters, CIA nuk pranoi të komentojë.
Një zyrtar i lartë i administratës të shtunën nuk përjashtoi asgjë në lidhje me Venezuelën.
"Presidenti Trump është i përgatitur të përdorë çdo element të fuqisë amerikane për të ndaluar vërshimin e drogës në vendin tonë dhe për t'i sjellë ata që janë përgjegjës para drejtësisë", tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
SHBA-të kërkojnë të intensifikojnë presionin ndaj autoriteteve venezueliane në këtë mënyrë, shkruan Reuters.
Operacionet e fshehta, sipas burimeve, do të jenë pjesa e parë e masave të reja kundër udhëheqësit të Venezuelës. Një përpjekje për të rrëzuar Maduron po merret në konsideratë ndër të tjera.

Add new comment