Aleanca e të majtëve i ndal vrullin ekstremit të djathtë në Francë

Ndryshe nga ajo që pritej, francezët nuk i dhanë shumicën ekstremit të djathtë. Megjithatë, këtë privilegj nuk e kanë më as centristët e presidentit Macron.
Exit pollet por edhe rezultatet e para flasin për një fitore të ngushtë të aleancës së partive të majta, të grupuara nën siglën e Frontit të Ri Popullor, i drejtuar nga Jean-Luc Mélenchon.
Megjithëse nuk ka ende një shumicë absolute, ai deklaroi se është gati të qeverisë Francën dhe kryeministri Gabriel Attal duhet të japë dorëheqjen.
Fronti i Ri Popullor është një aleancë e socialistëve, ekologëve, komunistëve dhe Partisë Franca e Papërkulur e formuar pasi Presidenti Macron thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 9 qershor.
Këto parti kanë kritikuar më parë njëra-tjetrën dhe kanë disa dallime kryesore në ideologjinë dhe qasjet në raport me çështje të ndryshme. Por ata vendosën të formojnë një bllok për të mbajtur të djathtën ekstreme larg qeverisë.
Fronti i Ri Popullor ka premtuar të anulojë reformat e pensioneve dhe imigracionit të miratuara nga qeveria aktuale, të krijojë një agjenci shpëtimi për migrantët pa dokumente dhe të lehtësojë aplikimet për viza.
Ai gjithashtu do të vendosë çmime dysheme për mallrat bazë për të luftuar krizën e kostos së jetesës dhe ka premtuar se do të rrisë pagën minimale.
Reflektimi Presidenti Macron
“Presidenti Emmanuel Macron aktualisht është duke analizuar rezultatet e fundit të zgjedhjeve dhe do të presë që tabloja e plotë të shfaqet në Parlament përpara se të marrë vendimet e nevojshme të ardhshme”, tha Presidenca franceze në një deklaratë pas rezultateve të para.
“Presidenti, si garantues i institucioneve tona, do të respektojë zgjedhjen e popullit francez”, thuhet në deklaratë.
Macron ka zgjedhur të heshtë sot, ndërsa kryeministri i tij deklaroi se do të dorëhiqet.
Fitorja e shtyrë e Le Pen
Marine Le Pen, e cila drejton Bashkimin Kombëtar, partia e ekstremit të djathtë që mori numrin më të madh të votave të francezëve në zgjedhjet europiane, foli për një fitore të shtyrë.
"Fitorja e partisë sonë vetëm është vonuar" dhe ajo duke shtuar se "e sheh farën e fitores së nesërme në rezultatin e sotëm".

Add new comment