Është me vend të flitet për sukses në dogana?

Para mbylljes së vitit 2013, teksa ish i ftuar në programin tim ‘Jamais Vu’, Ora News, Rama u ngut të shpallte para kohe se të ardhurat e mbledhura në dogana ishin rritur në një nivel, që përbënte një befasi edhe për atë vetë. Pas kësaj, pritej që lajmin ta konfirmonte Elisa Spiropali. Dhe Kreu shpuzë i Doganave e bëri këtë gjë dje. “Të ardhurat gjatë tre muajve të fundit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, janë rritur me 60 milionë dollarë; ndërsa rritja gjatë dhjetorit (gjithnjë krahasuar me dhjetorin e shkuar) është në masën 40 milionë dollarë” – tha ajo në thelb, sipas Top-channel-it. Spiropali bëri me dije, gjithashtu, se plani për këta tre muaj është realizuar me 129%, dhe në këtë rrethanë foli për një rezultat historik, por kjo e dhënë në përqindje nuk na thotë ndonjë gjë të madhe. Përkundrazi, kjo e dhënë, duke qenë se të ardhurat e planifikuara u ulën nga qeveria ‘Rama’ gjatë shtatorit, na bën ta shohim me dyshim pretendimin për sukses.
Të vetmet të dhëna pra që duhen marrë për bazë, e që thonë shumë, janë ato që bëjnë të mundur ballafaqimin e periudhave të njëjta për dy vitet e fundit. Në këtë kuptim, rritja prej 40 milionë dollarësh e të ardhurave gjatë dhjetorit është domethënëse. Por për një vlerësim të saktë të kësaj shifre, neve na duhen ca të dhëna të tjera, të cilat nuk gjenden në sitin e Drejtorisë së Doganave. Kush shkon në adresën www.dogana.gov.al, do të gjejë buletinin fiskal janar-dhjetor 2012, dhe buletinin fiskal janar-tetor 2013. Mungojnë të dhënat për dy muajt e fundit të vitit 2013.
Mirëpo, neve na duhet të dimë, fjala vjen, se sa karburant është zhdoganuar gjatë dhjetorit. Po cigare, birrë, pije alkoolike, kafe? Nëse i bie që janë zhdoganuar sasira të mëdha të këtyre mallrave (për t’i bërë një dribbling rritjes ‘socialiste’ të akcizës, që ka hyrë në fuqi në 1 janar 2014), atëherë i bie që rritja ka ardhur prej një hileje që kanë bërë operatorët në treg, e jo prej efektit ‘Spiropali’. Dhe për ta ndriçuar këtë situatë, Drejtoria e Doganave duhet të na thotë se në ç’sasi këto mallra janë zhdoganuar në dhjetor 2012 e në ç’sasi në dhjetor 2013. Nëse diferencat janë të vogla, Spiropali meriton një përgëzim të fortë, dhe më pas mbështetje në punën e saj. Nëse diferencat janë të mëdha, atëherë suksesi historik është një mufkë historike, së cilës do t’i dalë tymi gjatë gjysmës së parë të vitit që sapo ka hyrë.
Dita

Comments
aty ku punoj (tregeti
aty ku punoj (tregeti karburantesh), gjate dhjetorit dogana beri me shume se 300% te planit.
Nuk besoj se do ndnj sqarim pse ky "sukses".
Add new comment