Një dështim i madh i Berishës, neglizhimi kronik dhe abuzimi ndaj mjedisit - thotë Miranda Vickers

Historiania e njohur britanike dhe autore e disa botimeve mbi çështjet shqiptare dhe ato të Ballkanit, Miranda Vickers ka dhënë një intervistë nga Londra për të përditshmen DITA, ku flet për shumëçka por ndër të tjera i bën një analizë qeverisjes së Sali Berishës pas 2005-s dhe ndër të tjera thotë:
“Që nga rizgjedhja e qeverisë Berisha në vitin 2005, ka pasur disa arritje pozitive, të tilla si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave për në vendet anëtare të BE, që u mundëson shqiptarëve të udhëtojnë ligjërisht dhe të kërkojnë punë jashtë vendit. Gjithashtu arritje janë shënuar në programin e ndërtimit të rrugëve, i cili ka hapur lidhjet me rrethe të largëta dhe ka ndihmuar komunikimin e mbarë shqiptarëve. Megjithatë, kanë dështuar të trajtohen probleme serioze. Strukturat demokratike të Shqipërisë mbeten kronikisht të dobëta dhe kryesisht kozmetike. Korrupsioni i shfrenuar në të gjitha sferat e jetës dhe mungesa e një gjyqësori të pavarur, kanë penguar seriozisht procesin e reformave të vendit dhe rrezikojnë shanset e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Evropian. Hendeku social dhe ekonomik midis zhvillimit të shpejtë të korridorit Tiranë-Durrës dhe pjesës tjetër të vendit vazhdon të zgjerohet. Në zonat rurale papunësia është e rëndë, shëndetësia dhe arsimi janë tejet të dobëta, duke nxitur emigrimin pandërprerje jashtë vendit dhe në qytetet e mëdha dhe, rrjedhimisht, këto pengojnë zhvillimin rajonal. Një dështim i madh i administratës aktuale është neglizhimi kronik dhe abuzimi ndaj mjedisit. Njëzet vjet më parë, Shqipëria ishte një nga vendet më të pastër dhe më të pandotur mbi tokë. Sot vendi po mbytet në një det të mbetjeve dhe degradimi mjedisor shihet kudo. Zhvillimi i pakontrolluar ka shkatërruar qytete dikur të bukura si Saranda. Neglizhenca të tilla të papërgjegjshme të mjedisit do të ndikojnë në jetën e të gjithë shqiptarëve dhe dëmtojnë seriozisht industrinë turistike. Kjo është trashëgimia nën drejtimin e qeverisë së Berishës pas vitit 2005…”
Intervista e plote:
http://gazetadita.al/misteri-i-faksit-te-berishes-per-vrasje...
Add new comment