Zgjohet OKB. Plot 6.5 miliardë usd ndihma për Sirinë

Kriza siriane është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, këtë herë për mirë, për aq kuptim sa ka kjo fjalë në vendin e shkatërruar: OKB zhbllokoi këtë të hënë ndihmën më të madhe humanitare për Sirinë që prej fillimit të konfliktit në Mars 2011. Është fjala për akordimin e 6,5 miliardë dollarëve ndihma, që do të përdoren për furnizimin e civilëve sirianë brenda vendit dhe në kampet e refugjatëve në vendet fqinje me ushqime, mjekime dhe batanije për të përballuar dimrin. Ndihma rekord vjen si pasojë e përkeqësimit të vazhdueshëm të kushteve në të cilat jeton popullsia civile në Siri. Sipas vlerësimeve të OKB-së, tashmë më shumë se 3/4 e popullsisë së Sirisë, prej 22,4 milionë banorësh, do të kenë nevojë për ndihmë humanitare gjatë 2014-s. Raportime nga Siria thonë se buka tregtohet me çmimin e paraluftës vetëm në furrat e subvencionuara nga shteti në Damask. Në rrethinat e kryeqytetit, ashtu si në të gjithë pjesën tjetër të vendit, çmimi i saj është rritur me 500% dhe krahina të tëra përballen me zi buke.
a.k
Add new comment