Arrestimi i Xhelal Mziut, “provincialit në krye të periferisë”

Gazetari Vladimir Karaj i gazetës “Mapo” ka marrë sot në shqyrtim krahasues dy çështje penale: atë ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika dhe atë ndaj kreut të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Sipas tij procedimi ndaj të dyve zbulon dy standarde të drejtësisë, por edhe të politikës. “...E njëjta gjykatë vendos të hetojë në gjendje të lirë një kryetar tjetër bashkie, atë të Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili akuzohet për falsifikim të lejeve të ndërtimit të dy godinave. Të dyja akuzat nëse personat gjenden të fajshëm parashikojnë një dënim prej 7 vitesh burg, por përtej kësaj trajtimi që po i bën gjykata është i ndryshëm dhe shumëkush mund të flasë për dy standarde. Njëri hetohet i lirë dhe tjetri pas hekurave”, shkruan Karaj. Në këtë ekran me dy pamje, gazetari i “Mapo” qëmton një dallim, një paragjykim të shoqërisë shqiptare, i cili ndonëse nuk thuhet me zë të lartë, po përcillet edhe përmes vendimeve të gjykatës. “Xhelal Mziu nuk është i famshëm dhe i përfolur për shkak të historisë së tij politike, edhe pse ai i ka fituar bindshëm zgjedhjet në Kamëz, me shumë mundësi të njëjtën gjë do të bënte edhe një kandidat tjetër i Partisë Demokratike. Mziu është i famshëm, sepse ai është provinciali, në krye të periferisë së kryeqytetit, atje ku përgjithësisht vëmendja drejtohet sa herë ka ndonjë barcaletë apo edhe thjesht sepse ai është një shënjestër e lehtë dhe nga ana tjetër edhe mjaft i vështirë për t’u mbrojtur”, shkruan Karaj. Dhe këtu të gjithë duhet të bien dakord se ka një të vërtetë. Mziu është në perceptimin e përgjithshëm provinciali në politikë, por që merr kuptim dhe ekzistencë në kontekstin e bashkisë së vet, parë përgjithësisht si ‘zonë më vete’, si pushtetar, por edhe si etalon për “të tjerët”; aty ku edhe emrat e rrugëve i ka zgjedhur si të ishin kërkesa për Babagjyshin e Vitit të Ri, por ndaj të cilit edhe arrestimi po i shoqërohet me një lloj ironie. Mziu shfaqet kështu si përforcues i kontrastit të madh që përjeton shoqëria shqiptare e që Karaj e ka kapur mjaft mirë. “Masa e arrestit duket pikërisht sikur përmbush paragjykimin”, shkruan ai duke parashtruar me këtë rast idenë se në këtë proces Mediatik dhe Publik, por jo në atë penal, ka një përgjegjësi të vetën edhe shoqëria.
Më shumë në: http://mapo.al/2013/12/25/mziu-gjykohet-dy-1-per-korrupsion-dhe-nje-si-provincial/
s.z
Add new comment