Degradimi i dy Superfuqive

Postuar në 11 Gusht, 2026 19:54

Nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022 inuaguroi një fazë të re kritike në peizazhin e sigurisë ndërkombëtare, që sot shihet qartë në një rezultante me pasoja dramatike: dy ish-superfuqitë e Luftës së Ftohtë nuk janë më në gjendje të përfundojnë konfliktet rajonale, as edhe të diktojnë formula paqeje apo armëpushimi të besueshëm.

Lëngata ushtarake ruse në lindje të Ukrainës është mësimi më i hidhur që mund të merrte një superfuqi si Rusia që donte të trashëgonte autoritetin ushtarak të Bashkimit Sovjetik. Më keq se kaq vështirë se do të mund të bëhet.

Nga ana tjetër, konfliktet e ngrira në Ballkan, apo ato në evoluim në Siri, ilustrojnë se rendit ndërkombëtar i mungon tanimë një kokë që di të vendosë dhe të disiplinojë eksese që nuk mund të zgjasin pafundësisht pa provokuar dëme pa kthim.

Për më keq akoma, lufta në Gaza është shndërruar tanimë në liçencë për të vrarë civilë në emër të një projekti spastrimi që nuk po përmbushet dot, ndërkohë që pika derdhet me sulmin ndaj Iranit I cili nuk arriti gjë thelbësore.

Nëse sheh metodën e raportimit mediatik mund të vëresh interesin e dy shteteve në fjalë për të theksuar krizat reciproke: SHBA, Ukrainën dhe Rusia Gazën dhe Iranin.

Reciprociteti në propagandë dëshmon nevojën e përbashkët për të gjeneralizuar krizën si gjendje globale e cila nuk duhet lidhur me probleme të caktuara të Rusisë apo të SHBA, statusit të tyre të diskredituar dhe më e rëndësishmja, paaftësisë së tyre për të ofruar rrugëdalje si pjesë e përgjegjësisë kryesore që presupozohet se këto dy shtete kanë.

Konfliktet në fjalë kanë nisur të riformoësojnë profilin ndërkombëtar të SHBA dhe Rusisë që sa vjen e i ngjajnë aktorëve rajonalë që nuk ngrihen dot në nivelin e përgjegjësive që kanë trashëguar nga Lufta e Ftohtë. Sigurisht që fuqia është zhvendosur, ajo ka tanimë referenca të reja, por qoftë Ukraina, qoftë Gaza, qoftë Irani janë akte të shmangshme dhe të menaxhueshme në një botë që po konfirmon daljen në periferi të Perëndimit. Dhe atij që përkufizohet si qytetërimi Kristian.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.