Një “mirëseardhje” për presidencën greke të BE-së nga“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: “Kalimera, Kalinichta”

Marrja e Presidencës së Bashkimit Europian nga Greqia nuk ka shpëtuar edhe pa shpotitje, e madje cinizëm në Europë. Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka publikuar dje një artikull mbi këtë temë, të cilit i ka vënë një titull që flet vetë: “Kalimera, Kalinichta”. (Mirëdita, natën e mirë”. Faqja “Greek Reporter” e ka rimarrë artikullin duke nxjerrë në pah mosbesimin dhe pse jo antipatinë e thellë që ndan tanimë një pjesë të madhe të opinionit publik në të dyja vendet. Sipas GR, edhe fotoja shoqëruese e shkrimit të FAZ, luan një rol ironik. Aty jepet një pikturë e Ansel Feuerbacht ku tregohet Alqivjadhi (Alcibiades) i dehur që hyn në shtëpinë e poetit Agathon. Dhe ja sesi autori luan me këtë element: “Është e pasigurtë nëse presidenca greke do t’u kthejë grekëve identitetin e tyre të humbur, do të nxisë vetëvlerësimin, apo do t’i bëjë ata krenarë, sikurse Soible deklaron. Sigurisht grekët mund të jenë krenarë për të kaluarën e tyre të lavdishme, një e kaluar kur Alqivjadhi i dehur mund të mbante ndonjë fjalim interesant”. Dhe më tej, në mënyrë thuajse të pamëshirshme, gazeta gjermane përmes një “autokritike” e shtyp edhe më shumë plagën. “Gjatë presidencës greke ndoshta nuk do të organizohen simpoziume luksoze si këto në pikturë, por kjo nuk do të thotë që ne të bëhemi sarkastikë, si Çurçilli me Etlin”, të cilin ky i fundit teksa e “vlerësonte” për modestinë shtonte se: “Në fakt ai ka shumëçka për të qenë modest”. Ndonëse përfaqëson gjithsesi një gazetë në Gjermani është e qartë se pas saj qëndron edhe një pjesë e opinionit europian. Çka do të thotë se presidenca greke mund të përballet me probleme. FAZ nuk ka lënë pa shtuar edhe faktin se tashmë kundrejt gjermanëve në Greqi “ka urrejtje”. Po kështu, më datën 30 dhjetor, versioni gjermanisht i gazetës “Wall Street Journal” fliste për një dalje të Greqisë nga Eurozona, pasi kështu mund të kishte një përmirësim real të ekonomisë së këtij vendi. Ndonëse WSJ pranonte se dalja e Greqisë nga eurozona do të trondiste tregjet financiare.
Më shumë në: http://eu.greekreporter.com/2013/12/31/frankfurter-allgemeine-zeitung-to-greece-kalimera-kalinichta/
s.z
Add new comment