Shqipëri-Kosovë, tregu shqiptar “luftë” mielli dhe qumështi

Politika shqiptare dhe ajo kosovare artikulojnë prej vitesh tregun e përbashkët gjashtë milionësh. Por ky treg asnjëherë nuk mundi të funksionojë, madje tensionet mes palëve sa vijnë e rriten. Nëse vetëm para pak javësh u bllokua qumështi në tregun kosovar, tashmë në doganën e Morinës prej pesë ditësh është bllokuar një sasi e konsiderueshme mielli. Mungesa e çertifikatës së analizës së aflatoksinës është gjetur si argument për bllokimin e një sasie prej 135 tonë miell që vinte nga Kosova në Shqipëri. Bllokimi i miellit është bërë nga Agjencia Kombëtare e Ushqimit në Kukës, në pikën e kalimit kufitar të Morinës. Ngarkesa, sipas drejtorit lokal të AKU-t, nuk është e shoqëruar nga çertifikata e cila saktëson përmbajtjen e saktë të aflatoksinës. “Deri në momentin që ata të sjellin analizën nga Prishtina, ngarkesat do të jenë të bllokuara”, u shpreh Bilbil Myftari, drejtor i AKU-t në Kukës duke shtuar se “edhe në rast të marrjes së fletës të analizës, ne me këtë kontigjent kemi detyrimin që të kryejmë proçedimet ligjore dhe të marrim masa për analizë. Deri në ardhjen e përgjigjes, subjekti nuk ka të drejtë të tregtojë këtë kontigjent”. Mediat kosovare këtë veprim e kanë cilësuar hakmarrje të institucioneve shqiptare. Sipas mediave të këtij vendi, të njëjtin arsyetim është duke e bërë Shqipëria për miellin nga Kosova, duke mos e lejuar të futet nën arsyetimin se duhet bërë analizat. Por, pronarët e “M-Sillosit” bëjnë të ditur se tre herë me radhë iu kanë dërguar analizat autoriteteve në Tiranë për t’iu dëshmuar se gjithçka është në rregull. Sipas tyre, autoritetet shqiptare kur e kanë parë se analizat janë në rregull, kanë kërkuar që në secilin thes të vendosen edhe disa kode. Kanë shtuar se, alfatoksinë nuk mund të ketë në miell. E.Shehu
Add new comment