Topalli: Të mos riciklohen në PD ish-zyrtarët që përfituan nga pushteti

Postuar në 04 Mars, 2014 06:37

Gazeta ‘Mapo’ ka zbardhur e ka publikuar një pjesë të intervistës që Jozefina Topalli ka dhënë për televizionin ‘Channel One’ në programin e Roland Qafokut. Dhe aty bie në sy një qëndrim kritik e një animozitet i saj ndaj një numri ish-ministrash, pro edhe ndaj kreut de jure të PD-së. Sipas saj, PD-ja ka qenë e është Sali Berisha. Për këtë ‘lajm’, respublica ju ka informuar, por ndërkohë ju ofrojmë atë pjesë të intervistës së publikuar në Mapo:

Pse nuk sulmoni asnjëherë z. Meta?

Më 2009-ën shqiptarët i dhanë shumicën Berishës dhe 4 deputetë LSI-së. Me LSI-në nuk ishte koalicion paraelektoral dhe shqiptarët vendosën që Sali Berisha do të ishte kryeministër, por do të qeveriste me koalicion. Ai kishte 70 vota dhe PS-ja kishte më pak, 66. Koalicioni fitues kishte të drejtë të krijonte qeverinë. Besoj se as LSI nuk ka patur shumë dëshirë për të bërë koalicion me ne, por as ne nuk kishim ndonjë dëshirë të madhe për të bërë koalicion. Pavarësisht mendimit personal që kam patur për LSI-në, së bashku kemi bërë disa gjëra të rëndësishme. Janë arritje të mëdha dhe nuk mund të them që nuk duhej të kishim bërë këtë koalicion. Sot do të thosha se nuk do të doja një mandat të tretë me LSI-në.

Përse?

Nuk do të doja të ndalesha tek problemet dhe nuk do të doja të zgjatesha shumë në këtë pikë. Ajo që mund të them është se nuk do të doja që Partia Demokratike nesër apo pasnesër të bënte koalicion me LSI.

LSI e ka ndihmuar apo dëmtuar PD-në?

Në zgjedhjet e 23 qershorit është shpërblyer një pjesë e qeverisjes dhe u dëmtua pjesa e PD-së. Dhe po t’i kthehesh edhe një herë rezultatit, si ka mundësi që LSI të trefishohej? Ne shqiptarët ose një përqindje e shqiptarëve nuk pyet për korrupsionin, që blihen me lekë, një përqindje janë pragmatistë? Por kjo është njëra pjesë, por rezultati i 23 qershorit vjen padyshim nga konsumi disavjeçar. Së dyti, për shkak të situatës ekonomike dhe së treti, segmente të caktuara të administratës defektuan gjatë viteve të fundit të qeverisjes.

Çfarë do të thotë kjo?

Administrata ka bërë reforma të rëndësishme, por segmente të caktuara, ose karrigen e kanë parë për interesa të tyre të caktuara dhe këto nuk do të doja të ricikloheshin në PD. Sali Berisha ka dhënë dorëheqjen dhe përgjegjësinë e ka marrë ai përsipër. Por nuk është përgjegjësia e tij, por e atyre zyrtarëve që menduan për interesat e tyre dhe jo për interesat publikë.

Këta zyrtarë janë të deleguar nga z. Basha për zgjedhjet në PD…

Unë jam Jozefina Topalli dhe kam mendimin tim. Humbja e 23 qershorit nuk ishte përgjegjësia e z. Berisha.

Ju keni përgjegjësi personalisht?

Të gjithë kemi përgjegjësi, përfshi dhe mua. Përgjegjësia ime është aq sa kam qenë kryetare Kuvendi dhe që nuk kam qenë asnjëherë në qeveri. Unë di të marr përgjegjësitë e mia. Kjo nuk matet me peshë. Matja e kontributit po edhe përgjegjësisë që gjithsecili ka, ka të bëjë me integritetin e tij, me përgjegjësinë që ai ka ushtruar dhe që ka mbajtur. Detyra ime ka qenë si kryetare Kuvendi dhe nuk kam qenë asnjëherë në qeveri. Nuk kam qenë zyrtare dhe nuk kam qenë në qeveri. Sigurisht që unë do të mbaja përgjegjësinë time, por duke patur një eksperiencë të gjatë në opozitë, duke ditur sa çfarë është shteti dhe pushteti, do t’i sugjeroja partisë sime se moraliteti nuk është demode dhe anakronik. Opozita është pushteti moral. Më shumë se kurrë, opozita duhet të jetë përfaqësuese e qytetarëve, të përcjellë integritet dhe kjo kërkon punë të madhe për interesat publikë përtej interesave meskine, të një titulli apo diçka tjetër.

Nuk jeni sjellë dhe aq mirë me PS-në, keni përjashtuar nga salla. Keni dhënë dënime dhe jeni përmendur në raportet ndërkombëtare. Ndjeni pendesë?

Pas z. Berisha, Jozefina Topalli ka qenë target. Pse?

Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të çojmë përpara reformat e Kuvendit, por shumë herë kam qenë vetëm.

Çfarë do të thotë vetëm?

Jo gjithmonë kam patur kryetarin e grupit në detyrën e tij.

E keni fjalën për z. Topi?

Ndaj mua më është dashur të mbuloj dhe punën e tyre dhe PS-ja ka gjetur ndoshta hapësira. Unë nuk kam shkelur rregulloren e Kuvendit. Unë ia kam dhënë fjalën z. Ruçi aq sa ka dashur. Z. Ruçi është një shtyllë në PS dhe vlerësoj avokatinë që i bën PS-së, pavarësisht se nuk do të thotë asgjë pasi jemi në dy kampe të ndryshme.

E zbatuat ligjin më 21 janar?

Sigurisht që zbatuam ligjin.

U vranë 4 njerëz….

Kur tentuan të hyjnë në Kryeministri… Ishte një ngjarje e rëndë shumë. Bëni një analizë, ishte një puç shteti. Si ka mundësi që Edi Rama i tërhoqi njerëzit kur u vranë njerëzit?

Si e shikoni opozitën?

Edhe në artikulim duhet të flasim si parti e qendrës së djathtë dhe e djathtë. Si e tillë, ne i qëndrojmë parimit ‘shtet i vogël’, sigurisht duke patur në majë të piramidës, por duke patur në axhendë të saj kryesore interesin publik. Ndaj PD i ka potencialet për energji. Do të kisha patur dëshirë që organizimi të ishte bërë në dhjetor, dhe nuk i di arsyet dhe kjo nuk i bën mirë PD-së. Kur vendi është në kolaps ekonomik, kur vendi është tritol, sigurisht që është emergjente që PD të riorganizohet për të gjetur njerëzit me integritet, që i përgjigjen kësaj force në të gjitha transformimet që ajo ka bërë.

Cili është mendimi juaj për kryetarin Basha?

Për organizimin, unë thashë mendimin tim personal. Z. Basha është kryetari i ri i PD-së. Është tjetër gjë Partia Demokratike dhe tjetër gjë është kryetari. Berisha është personaliteti që rrëzoi diktaturën, që udhëhoqi proceset demokratike dhe ishte fryma e PD-së.

Kur dha dorëheqjen, ju qatë…

Ajo që pamë ishte më e rënda për demokratët dhe këtu mbyllet.

Po ju pyes për z. Basha?

Partia Demokratike është shumë më tepër se kryetari.

Z. Basha ka caktuar një grup koordinatorësh. A jeni dakord për këtë mënyrë riorganizimi të PD-së?

Janë disa faza të riorganizimit të PD-së. Dikujt i pëlqen ta quajë ‘kjo është pika zero’, por nuk është. Regjistrimi i anëtarësisë nuk bëhet për herë të parë dhe është shumë gjë pozitive e është detyrë elementare dhe duhej bërë. Por duhej bërë. PD duhet të riorganizohet për shkak edhe të situatës së rëndë që po përjeton vendi sot.

Në këto kushte, ju jeni e mendimit që z. Berisha duhet të kthehet në krye të PD-së?

Z. Berisha ka dhënë dorëheqjen. Unë nuk jam z. Berisha, por jam Jozefina Topalli. Ai ka qenë i qartë në vendimin e tij, por sot në kushtet e rrokullisjes ekonomike, e rritjes së papunësisë, në kushtet e zbritjes së investimeve, në kushtet kur po mbyllen bizneset, në kushtet e tritolit, të hapjes së kanaleve të drogës nga të gjitha drejtimet, ndaj misioni dhe detyra e PD-së janë më thelbësore dhe më jetësore se asnjëherë tjetër. Vendi është në udhëkryq. Ky është alarm. Kjo është mungesë sigurie, ku askush nuk është i sigurt.

E mbështesni z. Basha?

Sigurisht që e mbështes. E kam mbështetur dhe do ta mbështes deri në fitoren e Partisë Demokratike.

Nëse LSI shkëputet nga qeveria, do të bëni koalicion me LSI-në?

Unë do t’i sugjeroj PD-së që kurrë të mos bëjë koalicion me LSI-në. Nuk do t’ia sugjeroja dhe nuk do ta mbështesja.

Comments

Submitted by Blendi (not verified) on

Po kjo ku e fut "vedin"? Nuk ishte zyrtare e PD-se? Nuk perfitoi?

Tung,

Blendi

Submitted by Albi (not verified) on

Zonja Topalli po perpiqet te mbroje veten dhe kaq, ne PD-ne e Bashes ajo nuk ka asnje vend me dhe kjo duket qarte. Do te doja te thoja qe eshte antidemokratike po te them te drejten nuk e di sa demokrat shkodran vazhdojne ta mbeshtesin si perfaqesuese te tyre.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.