Rama e ka marrë lehtshëm këtë punën e armëve kimike

Kryeministri Rama e ka marrë lehtshëm këtë punën e armëve kimike. E ka marrë lehtshëm në shumë mënyra. Po veçoj dy sosh. Në radhë të parë, është një negociatë (ose një vendim, nëse vendimi është marrë), që ai e ka bërë krejt individualisht, larg syve të të tjerëve, pa i marrë mendimin askujt. Të vetët nuk kanë folur deri më sot, dhe kjo heshtje e tyre nuk vjen prej shtysave solidare brenda maxhorancës; përkundrazi, vjen prej faktit që ata janë të painformuar. Çfarë kanë dëgjuar, e kanë dëgjuar nga mass-media. Ka rrezik që edhe Ilir Meta ta ketë marrë vesh nga mass-media këtë lojë, dhe nuk është çudi që qëndrimi i tij “pak kundër” të jetë më shumë shprehje e zemërimit ndaj Ramës që ia ka mbajtur të fshehtë këtë punë, se sa qëndrim i veti politik.
Në radhë të dytë, Rama po jep shenja se protestat po i sheh si një “mistrecllëk” të shoqërisë civile, “mistrecllëk” i destinuar të mbetet pa mbështetje, si të gjitha “mistrecllëqet” e bëra deri më tani nga shoqëria civile; në mos, po i sheh si lëvizje të frymëzuara nga eksponentë të caktuar të opozitës. Në fakt, nuk është kështu. Protestat janë inicjuar përveç të tjerash nga njerëz që e kanë mbështetur atë vetë, e partinë e tij para zgjedhjeve të 23 qershorit. Tok me ta, e pas tyre, kanë qenë edhe njerëz që “hanë djathtas”. Dhe kjo do të thotë se kjo protestë nuk është si të tjerat. Kjo është një protestë që, pavarësisht nga fakti se fut hundët njëri apo tjetri për qëllime që s’kanë të bëjnë me qëllimet e protestës, ka lindur nga një shqetësim gjenuin i shoqërisë shqiptare. Është hera e parë që shqiptarët janë mobilizuar në mënyrë transversale. Këto ditë është parë një mobilizim jo i frikshëm në pikëpamje numerike, por me çfarë duket, përshkallëzimi i protestës është punë ditësh. Në këto rrethana është pak e zorshme të besosh se Rama ka për t’iu mbajtur fjalës që u ka dhënë amerikanëve (ai është me idenë se dhe opozita do të rrijë sus përpara sugjerimit amerikan). Të bëhet se janë shqiptarët që nuk kanë për ta lejuar klasën politike shqiptare ta çojë deri në fund zullum. Më të madhin e zullumeve që janë bërë deri tani, sidoqë nuk bëhet për motive korrupsioni banal.
Comments
Ky eshte spiun i Rames.
<p>Ky eshte spiun i Rames.</p>
Po he si doli Muci. Si i
<p>Po he si doli Muci. Si i behet kur Llafazanet behen me kimiste edhe me eksperte se ekspertet.</p><p> </p>
Add new comment