Ish-ministrat; këta tigra pa dhëmbë

Ka një kolerë që ka prekur prej vitesh politikën shqiptare të Prishtinës dhe të Tiranës. E kam fjalën për «Ishat», për ish-ministrat.
Sa janë ministra, flasin pak, tuten, dridhen, peshojnë çdo fjalë dhe shmangin çdo përplasje me shefin, me «miqtë ndërkombëtar» apo me partinë. Por sapo largohen nga posti, medemek nga fotelja, ndodh diçka e çuditshme: fillojnë të shohin gjithçka që më parë nuk e shihnin hiq. Papritur flasin për korrupsionin, kapje të institucioneve, mungesë demokracie, klientelizëm, ndikim të biznesit në politikë, vendime të gabuara me Serbinë e shumë të tjera gabime tragjike.
Dhe njeriu, me dy palë mend në krye, nuk mund të mos pyesë: Po këto gjëra kur i kuptuat? Kur ishit ulur në karrigen e ministrit, apo vetëm pasi ta grabitën karrigën?
Në Shqipëri, për shembull, ish-ministri Ditmir Bushati ka qenë më kritik ndaj mënyrës së qeverisjes pasi u largua nga kabineti. Edhe ish-ministra të tjerë kanë vendosur të flasin më lirshëm vetëm pasi nuk kanë më përgjegjësi ekzekutive. Në Prishtinë, po ashtu, nuk kanë munguar ish-ministra që sot analizojnë gabimet e qeverive ku kanë qenë pjesë, ndërsa në kohën kur merrnin pjesë në mbledhjet e qeverisë, lëshonin pe Serbisë, byrokracisë Europiane, Rusisë e Greqisë; rrallë, shumë rrallë dëgjohej ndonjë kundërshtim publik. E, kjo nuk është vetëm çështje frikacake; është tradhti ndaj përgjegjësisë publike, apo jo?
Në Tiranë, nën kabinetet e Edi Ramës, ministra të tërë janë sjellë si qyqana. Kanë parë dhe shohin se si pushteti përqendrohet në një dorë të vetme, se si Shqipëria zbrazet nga shqiptarët, si dRama puthet me Vuçiqin dhe si oligarkët gllabërojnë buxhetin. Ncuk! Asnjë reagim. Ama sapo mbetën pa post, disa ish-ministrave nisi t'u kthehej "integriteti" nëpër studio televizive, duke na bërë moral mbi mënyrën se si duhet të qeveriset. Maskarrallëk hesapi!
Në Prishtinë, situata është edhe më e dhimbshme sepse u luajt me kufijtë e Kosovës; me gjakun e shqiptarëve; Pyes, ku ishin ministrat e Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Agim Cekut, Avdulla Hoti apo Isa Mustafës kur në tavolinat e regjimit të tyre shtroheshin pazaret e rrezikshme për "korrigjimin e kufijve" të Kosovës ,ku sot mu atje, në veri, kemi edhe gjetje të eshtrave të civilëve shqiptarë të vrarë nga Serbia, të cilën «duhet ta kuptojmë» (fjalë këto të një ministri shqiptar), faljen e tokave Serbisë apo nënshkrimin e Asociacionit një-etnik? Po, ju more (pa)kryeministra ishit aty.
Në të njëjtat dhoma. Në të njëjtat mbledhje qeverie; Lëshonit pe ndaj Serbisë së 1878-ës, byrokracisë evropiane dhe çdo presioni tjetër, vetëm e vetëm që të mos humbisnin karrigen. Marre, poshtërsi dhe thika pas shpinës popullit; e sot hani m*t.
Në vend që ta grushtoni tavolinën e të jepnit dorëheqjen për parime kombëtare, ju maskarenjë, zgjodhët heshtjen. Dhe sot, të shndërruar në "analistë" e "ish-ministra", na shisni mend nëpër televizione se si paska “gabuar shteti”! Pakurrizorë, bre! M*ta bre! Një ministër nuk është sekretare e kryeministrit. Ai/Ajo nuk është aty vetëm për të zbatuar urdhra. Kushtetutat dhe ligjet nuk e njohin ministrin si figurë dekorative; si hu gardhi!
Ministri dhe Ministrja kanë përgjegjësi personale.Nëse sheh se po bëhen gabime serioze, ai/ajo ka detyrim moral dhe politik të reagojë. Jo pas katër apo tetë vjetësh. Atë ditë. Atë monemnt, atë situatë. Po pse nuk ndodh kjo?
Sepse në politikën shqiptare, besnikëria ndaj liderit shpërblehet më shumë sesa besnikëria ndaj shtetit. Ministrat e dinë se një kritikë publike mund t'u kushtojë postin, karrierën, privilegjet dhe të ardhmen politike. Prandaj këta idiotë politik zgjedhin heshtjen. Është një llogari i një shitësi të djathit: "Më mirë të hesht sot, sesa të mbetem pa karrige nesër." Pazargji të poshtër!
Politika botërore, ajo e përparuara, jo kjo si e jonja, faqezeza dhe marrja e botës, ofron shembuj krejt ndryshe; Ja për shembull në Britaninë e Madhe, disa ministra kanë dhënë dorëheqje pikërisht sepse nuk janë pajtuar me drejtimin e qeverisë. Ish-ministri i shëndetësisë Sajid Javid dha dorëheqje në vitin 2022 duke deklaruar publikisht se nuk kishte më besim te mënyra si drejtohej qeveria. Pak minuta më vonë dha dorëheqje edhe ministri i financave Rishi Sunak. Ishte një akt politik me pasoja të mëdha dhe kontribuoi në rënien e qeverisë së Boris Johnson. Ju kujtohet? Mua po!
Në vitin 2003, ministri britanik Robin Cook dha dorëheqje për shkak të kundërshtimit të luftës në Irak. Fjalimi i tij në Parlament konsiderohet edhe sot një nga shembujt më të fortë të integritetit politik: ai zgjodhi të humbte postin, por jo bindjet.
Doni tjerë shembuj të mirë; Në Gjermani, dorëheqja shihet si pjesë e përgjegjësisë politike. Karl-Theodor zu Guttenberg u largua nga posti i ministrit të Mbrojtjes pas një skandali për plagjiaturë. Edhe pse nuk ishte detyrim ligjor, ai mori përgjegjësi politike.
Ish-Ministri tha... ish Ministrja tha
Nuk është se reagimi i një ish-ministri a i një ish-ministre nuk ka vlerë. Ka, posi. Por pesha e tij/saj është shumë më e vogël. Kur je ministër, ke në dorë dokumente, informacione, votë në qeveri, mundësi për të bllokuar vendime, për të kërkuar diskutim, madje edhe për të dhënë dorëheqje. E kur je ish-ministër, ke sall mikrofonin. Dhe mikrofoni nuk e ndryshon një vendim, që është marrë vite më parë, për themelimin e asociacionit një-etnik serb, apo për themelinin e Gjykatës një-etnike kundër UÇK-së. Apo jo?
E siq po shihet, në fund të fundit, çmimin nuk e paguan ministri; E paguan populli i shkretë. Kur ministrat heshtin për interesa personale, gabimet institucionalizohen. Korrupsioni zgjatet. Vendimet antishtet bëhen politikë shtetërore; Njerëzia humbë besimin se brenda sistemit ka ende ministra që kanë bythë të thonë "ndal, o idiot". Dhe ky është dëmi më i madh. Sepse demokracia nuk vdes vetëm nga autokratët.
Ajo vdes edhe nga ministrat dhe deputetët që e shohin problemin, por zgjedhin të heshtin. Qyqana bre!
Konsekuent deri në fund; Kur një ish-ministër del sot në televizion dhe tregon gjithçka që nuk ka funksionuar, nuk mund të mos lindë një pyetje e thjeshtë: Nëse e dije atëherë, pse more idiot/idiote nuk fole atëherë kur ishe në pushtet?
Bir, guximi nuk matet me intervistat që jepen pasi t’a kanë grabitë postin. Guximi matet me atë që je i gatshëm të thuash e ta kundërshtosh kur ende ke veturën zyrtare, kravata, parfuma Gucci, Armani e sekretaren, vulën dhe privilegjet. Atëherë fjala jote ka peshë; Më vonë, ajo mbetet vetëm një kërkimfalje e vonuar. Sepse kombi nuk shpëtohet nga ish-ministrat që belbëzojnë dhe aktrojnë vonë, shumë, shumë vonë. Kosova, Shqipëria, shqiptarët shpëtohen nga ministrat (dhe deputetët) që kanë guxim të flasin në kohën kur fjala mund t'u kushtojë karrigen, qebesa edhe jetën.
Dhe në Prishtinë, sot, pas 87 vjetëve, kemi, më në fund, Ministra të tillë, por edhe ish-ish, ish-ministra të telvizioneve dhe facebookut, të cilët sa ishin në poste na e copëtuan Kosovën, na e rehabilituan Serbinë e na e themeluan Gjykatën një-etnike për UÇK-në. Pikë!

Add new comment