A mund të quhemi ende një Komb?
Sot ka patur një protestë të disa qytetarëve në Vlorë që janë ngritur kundër ngritjes së një muzeu hebraik në qytet në një zonë që e konsiderojnë me rëndësi për historinë e qytetit. Është e qartë për këdo se Edi Rama ka një politikë personale filohebreje për arsye që nuk kuptohen dhe po e ndjek atë megjithë provokimin e saj.
Por kjo nuk është një gjë e re. Kemi të bëjmë me episodin e radhës të shpikjes së historive dhe nevojës për të shërbyer që elitat e këtij vendi kanë përherë, duke qenë se asjëherë nuk e ndien veten të sigurtë në karrige. Sa monumente jugosllavësh dhe sovjetikësh ngriti Enver Hoxha? Sa simbole u emetuan për miqësinë me Kinën? Sa objekte kemi trashëguar nga koha e Italisë?!
Të gjitha shfaqje absurde e një servituti politik që e bën këtë vend një Karneval të përjetshëm. Me liderë që luftojnë për një histori të cilën e kanë përherë të dekretuar nga të tjerë.
Të gjitha monumentet tanimë janë zhdukur nga sheshet dhe rrugët që dikur mbanin emra liderësh globalë e që janë zëvendësuar me nocionet nënurbane shqiptare të tipit: Vëllezërit…
Në fund të fundit kjo është historia e shqiptarëve përkundër historisë së Shqipërisë e cila ka mbajtur rreth 16 pushtime, por zgjedh të celebrojë vetëm ato që preferon politika. Ku është epoka e Bizantit, po koha e sllavëve, po epoka otomane? Nuk janë histori ato vallë?
Në këtë kuadër grotesk të një shoqërie që po shpërbëhet përfundimisht, del në skenë edhe një tjetër episod që hyn te akademizmi i rrugës. Në Lezhë, me nismën e një personi komik të quajtur Marin Mema, është inauguruar monumenti i Mbretëreshës Teuta, një figurë periferike e historisë së këtyre territoreve, ardhur në analet e historisë për përballjen me romakët. Befas Teuta e sheh veten të instaluar si mbretëresha e Ultësirës Perëndimore edhe pse sot, vështirë se ajo do të njihte diçka nga Shkodra e dikurshme.
Sigurisht që koha do t’i shuajë këto idiotizma që vijnë nga lart dhe nga poshtë, do ta harrojë këtë histori të shpikur dhe rishpikur nga emëruesi i përbashkët i mungesës së identietit, të identifikimit me një histori reale, për ta lënë këtë vend edhe njëherë, ose më mirë pëjetësisht Pagan dhe të zhveshur nga çdo e vërtetë. Duke ikur nga historia e vet, duke u përpjekur ta rimodelojë atë si modernitet dhe duke u rikthyer tek e ashtuquajtura autoktoni, jo siç ka qenë, por sërish, siç do të duhet të ishte. A meriton një shoqëri e tillë të quhet me të vërtetë Komb?
s.zaimi

Add new comment