Në gjurmët e Odisesë
Odisjea e Homerit ndjek udhëtimin dhjetëvjeçar të Mbretit Odise për në shtëpi në Itakë pas Luftës së Trojës. Rrëfimi ka dimensione të dallueshme gjeografike, hapësinore dhe kohore. Nuk është çudi që për shekuj me radhë, njerëzit janë intriguar nga vendet e përmendura të “Odiseja”, duke ngritur pyetjen se sa prej tyre ishin të vërteta.
Disa historianë dhe studiues klasikë argumentojnë se Odiseja është vetëm poezi. Si një vepër arti dhe mitologji e pastër, pohojnë ata, nuk ka kuptim t’i kërkosh këto vende në një hartë.
Eratosteni, polimati i lashtë grek, i cili ishte personi i parë që mati perimetrin e Tokës, kundërshtoi që Odiseja kishte të bënte me gjeografinë. Ai tha: "Do ta gjeni trajektoren e endjeve të Odiseut kur të gjeni atë që qepi trastën e erërave."
Unë e kam hulumtuar historinë e kartografisë dhe hartëzimit mendor për më shumë se dy dekada. Për mua, elementët gjeografikë të kësaj historie janë ato që e mbështesin. Dëshira e Odisesë për të gjetur rrugën që do ta çojë në shtëpi qëndron në zemër të poemës. Dhe Odiseja ndryshon ndërsa lëviz nëpër këto vende dhe hapësira të ndryshme.
Hartografia e mitit
Historiani i lashtë grek Polibi, i cili jetoi 600 vjet pas Homerit, besonte se Odiseja ishte një histori e vërtetë me disa mite, dhe jo e anasjellta. Ai këmbënguli që disa nga praktikat e peshkimit pranë Skilës, për shembull, ishin të ngjashme me ato në ishujt e Sicilisë, kështu që Skila duhet të jetë diku pranë brigjeve të Sicilisë.
Straboni, filozof dhe gjeograf grek, ka shkruar pothuajse shtatë shekuj pas Homerit. “Gjeografika” e tij me 17 vëllime është një atlas dhe enciklopedi gjithëpërfshirëse e jetës greke gjatë sundimit të Perandorit August. Ajo gjithashtu tregon historinë e ishujve në Oqeanin Indian, njësoj siç i përshkruan Homeri te “Odiseja”.
Legjendat dhe mitet e kohës flasin për gratë që joshnin burrat dhe i çonin ata drejt rrezikut. Ato ishin gra si Circja e Homerit, të cilën ai e përshkruan si "një perëndeshë të frikshme me flokë të bukur". Ajo jeton vetëm në ishullin e Aeaes me ujqër dhe luanë që i binden dhe josh Odisenë dhe burrat që e shoqëronin, për t’i kthyer më pas në derra.
Homeri përshkruan edhe Kalipson, e cila e mban Odisenë në "robëri seksuale" në ishullin Ogjia për shtatë vjet. Nga ana tjetër, ky është vendi ku Odiseja qëndroi vullnetarisht derisa vendosi se i kishte ardhur në majë të hundës, kjo në varësi të përkthimit që i bëhet këtij episodi.
Në hartat e lashtësisë, mitet dhe bota reale mbivendosen dhe kryqëzohen. Matematikani dhe astronomi romak Ptolemeu, i cili bëri hartën e botës që njihte në vitin 150 para Krishtit, vendos shumë nga këto vende homerike në hartat e tij, të tilla si Lotophagitis (toka e ngrënësve të Lotusit), Circaeum Promontorium (Aeaea, mbretëria e Circe) dhe Sirenusae Insulae (ishulli i sirenave).
Përpjekjet për t'i transpozuar këto vende me saktësi në hartat moderne kanë qenë të vështira. Llogaritjet e Ptolemeut për gjerësitë dhe gjatësitë gjeografike bazoheshin në një projeksion dhe kuptim shumë të ndryshëm të perimetrit të Tokës. Një përputhje e përafërt e vendndodhjeve me hartat moderne lë të kuptohet se Lotofagitis ndodhet në Afrikë.
Në fund të shekullit XVI, hartografi holandez Abraham Ortelius hodhi në hartë udhëtimin e Odisesë për herë të parë të plotë, në veprën e tij “Theatrum Orbis Terrarum”. Ajo u quajt Harta e Udhëtimeve të Uliksit, sipas emrit latin për Odisenë.
Ortelius i paraqet si botën mitike, ashtu edhe atë imagjinare të Odisesë, si fakte shkencore dhe pohon se Itaka është Korfuzi modern. Homeri e kishte vendosur ishullin e Kalipsos pranë brigjeve të Sherisë, një strehë mitike dhe ndalesa e fundit për Odisenë para se të kthehej në Itakë.
Por në perëndim të Korfuzit nuk kishte ishull, ndaj Ortelius vuri një të tillë imagjinar në hartën e tij. Duke qenë se kjo shërbeu si bazë për hartat e ardhshme, ishulli imagjinar vazhdoi të shfaqej gjatë shekujve XIX dhe XX.
Në vitin 1912, Victor Bérard, politikan dhe udhëtar francez, u përpoq të ndiqte gjurmët e udhëtimit të Odisesë duke ndjekur të njëjtën rrugë. Ai e vuri ishullin e Kalipsos pranë Gjibraltarit dhe tokën e Lotusngrënësve në Xherba, në jug të Tunizisë. Ndërsa tokën e Ciklopëve e vuri në Posillipo në Napoli.
Teoria e Bérard ishte se Odiseja e Homerit ishte e ndikuar nga udhëtimet dhe hartat e fenikasve - drejtime lundrimi bregdetar që përdornin yjet si udhërrëfyes. Por shumë nga këto harta i takonin imagjinatës dhe historive të njerëzve, në vend që të ishin objekte reale.
Në kërkim të Itakës
Një nga debatet më të rëndësishme në zbardhjen e gjeografisë së “Odisesë” ka qenë përcaktimi i vendit ku ndodhej vërtet Itaka.
Për një kohë të gjatë, studiuesit kanë argumentuar se duhet të jetë ishulli Itaki në detin Jon. Problemi është se Itaki është malor, ndërsa Itaka e Homerit është "e ulët".
Studiuesit e Kembrixhit dhe Aberdeeni-it kanë propozuar së fundmi se Itaka nuk përshkruhet si ishull në përshkrimin e Homerit. Në vend të kësaj, ata sugjerojnë që ai e përshkruan atë si tokë ose vend, që është pjesë e një ishulli më të madh.
Kjo do të sugjeronte që Paliki, i shtrirë në bregdetin perëndimor të Qefalonisë, është kandidat më i mirë për të qenë. Vlerësimet gjeoshkencore dhe gërmimet arkeologjike kanë zbuluar se Paliki ishte një vend i rëndësishëm i epokës së bronzit, dhe për këtë arsye mund të jetë një vendndodhje e besueshme.
Vendet nëpër të cilat kalon Odiseja mund të përputhen me vende të botës reale, ose mund të jenë thjesht mit. Sidoqoftë, marrëdhënia e këtyre vendeve na tregon historinë e dëshirës së t’u kthyer në vendin të cilit i përket. Gjithashtu hedh dritë mbi mënyrën se si shkrimtarët e lashtë e shihnin botën si të mbushur me mister dhe rreziqe.
Gjeografia e Odisesë është një lente përmes së cilës mund të kuptohen dobësitë dhe frikërat e njerëzve në botën e lashtë greke. Hartat e udhëtimit të Odisesë mund të mos jenë reale, por atëherë të gjitha hartat gënjejnë.
Hartat janë vetëm një histori që i tregojmë vetes - një udhëtim në të panjohurën, shumë përtej kufijve të imagjinatës sonë. Te “Odiseja”, Homeri jo vetëm bëri hodhi piketat e një pjese të hartës së botës, por edhe ndërtoi një të tillë.
*Profesore e Pabarazive dhe Padrejtësisë Sociale, Universiteti Loughborough
/ The Conversation /

Add new comment