Franca dhe Gjermania, drejt një pakti për makinat “Made in Europe”
Franca dhe Gjermania po bashkojnë përpjekjet për të gjallëruar industrinë e makinave “Made in Europe”. Liderët e dy ekonomive më të mëdha të BE-së synojnë të arrijnë një marrëveshje të madhe që, sipas tyre, do të forcojë mbrojtjen industriale të Evropës dhe do të ringjallë industrinë automobilistike të Bllokut - përparësi kyçe për të dy vendet.
Pakti do të bashkojë përpjekjen e Francës për të rezervuar më shumë kontrata prokurimi publik dhe subvencione për industrinë evropiane me përpjekjen e Gjermanisë për të shpëtuar prodhuesit e saj të makinave në vështirësi, kriza e të cilëve ka arritur në një fazë akute pasi Volkswagen paralajmëroi kohët e fundit se do të duhej të shkurtonte 100,000 vende pune në të gjithë botën.
Në kuadër të marrëveshjes së re, Berlini angazhohet të mbështesë dispozita më të ashpra "Made in Europe " të kërkuara nga Parisi në Aktin historik të Përshpejtuesit Industrial të BE-së. Kjo do të thotë kufizim i partnerëve që kualifikohen për statusin e "partnerit të besuar" ekuivalent të BE në programet kryesore të prokurimit publik dhe subvencioneve.
Në këmbim, Franca do të ngadalësojë heqjen graduale nga qarkullimi të makinave të reja me motor me djegie, e planifikuar të BE-së për vitin 2035.
“Na është ngarkuar detyra të ndërtojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi këto terma”, tha Ministri Francez i Industrisë, Sébastien Martin, për POLITICO. “Do të ishte shumë mirë të kishim një marrëveshje në vjeshtë. Jam i sigurt se mund të përfshijmë edhe vende të tjera si Italia. Të gjitha vendet presin një marrëveshje franko-gjermane.”
Dy zyrtarë të lartë gjermanë, të cilët preferuan të mbeten anonimë, kanë konfirmuar se pakti po negociohet dhe pritet që të dy palët të bëjnë lëshime për të arritur te akordi final, i cili parashikohet përpara takimit të ministrave të industrisë të BE-së më 24 shtator dhe samitit të liderëve të BE-së më 15-16 tetor.
Marrëveshja vjen ndërsa Berlini dhe Parisi përballen me mundësinë që udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen të pasojë Macron vitin e ardhshëm, një skenar që mund ta ndërlikojë ndjeshëm punën e përbashkët në nivel të BE-së.
Një zyrtar i partisë së Le Pen është shprehur se ajo do ta bëjë të ditur qasjen e saj për marrëdhëniet franko-gjermane në platformën e saj të fushatës në vjeshtë.
Ndërkohë, nga e majta ekstreme janë kundër. Kandidati Jean-Luc Mélenchon është shprehur se çdo marrëveshje midis Parisit dhe Berlinit është marrëveshje e Macron, por jo e Francës.
Gjermania dhe industria e saj e fuqishme automobilistike kërkon prej kohësh ngadalësimin e nxjerrjes nga tregu të makinave të reja me motor me djegie, duke argumentuar se prodhuesve të makinave duhet t'u lejohet fleksibilitet më i madh dhe se karburantet alternative duhet të luajnë një rol më të madh.
Franca e ka mbrojtur prej kohësh këtë objektiv që sheh vitin 2035 si finish, duke e cilësuar atë një gur themeli të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane. Por Macron është bërë gjithnjë e më kritik ndaj disa aspekteve të axhendës së gjelbër të Bllokut, dhe Parisi kohët e fundit ka sinjalizuar se është i hapur për fleksibilitet më të madh për prodhuesit që forcojnë zinxhirët e furnizimit evropian dhe prodhimin vendas.
Mosmarrëveshje ka më shumë lidhur me Aktin e Përshpejtuesit Industrial.
Projektligji i industrisë, i mbështetur nga Komisioneri Francez i Ekonomisë Stéphane Séjourné, u jep kompanive evropiane avantazh në skemat e prokurimit publik dhe subvencioneve. Gjermania ka qenë e kujdesshme ndaj dispozitave që ajo ka frikë se mund të krijojnë burokraci ose të armiqësojnë partnerë të rëndësishëm tregtarë.
Për të shmangur çdo përplasje, Komisioni Evropian ka propozuar të zgjerojë përfitimet e rregullave të reja në një grup "partnerësh të besuar" jo-BE, mallrat e të cilëve do të kualifikoheshin si "Made in Europe" nëse përmbushnin një listë kontrolli me kritere që do mbetet të përcaktohen.
Gjermania ka hedhur idenë e përfshirjes se aleatëve “të jashtëm” si Britania ose Kanadaja, ndërsa Franca këmbëngul ta kufizojë "Made in Europe" fillimisht në 27 shtetet anëtare të Bllokut përpara se të shqyrtojë zgjerimin e tij rast pas rasti.
"Made in Europe ka kuptim vetëm nëse është prodhuar në Evropë", tha Martin.

Add new comment