Nuk shitet vendi për mirëqenie

Postuar në 26 Korrik, 2026 21:43
Ali Sh. Mehmeti

 

Ka deklarata që harrohen brenda ditës dhe ka deklarata që zbulojnë filozofinë e vërtetë të një pushteti dhe që nuk mund të hiqen nga mendja. Në kulmin e debatit për projektet në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, Kryeministri Edi Rama, duke ironizuar kundërshtarët, pyeti me përçmim:

"Me çfarë po mendojnë të sigurojnë mirëqenien këta patriotë? Do shesin flamuj? Do shesin qeleshe? Do shesin çifteli? Apo do shesin shqiponja? Çfarë do shesin këta?"

Në pamje të parë, ishte një batutë.

Në të vërtetë, ishte një rrëshqitje e sinqertë dhe e (pa)vetëdijshme(?) që zbuloi mënyrën se si pushteti e koncepton zhvillimin: nëse nuk pranon t'ua japësh investitorëve tokat më të bukura të Shqipërisë, atëherë qenke kundër mirëqenies.Por kush e tha se alternativat janë vetëm dy? Ose shet Shqipërinë, ose shet flamuj? Në fakt, duke shitur Shqipërinë, jo që e ke shit edhe flamurin, por e ke shit edhe qeleshen edhe çiftelinë. Apo edhe më saktë, i ke falur, pa ti kërkuar askush.

Sepse askush nuk pretendon se ekonomia ndërtohet duke shitur qeleshe apo çifteli. Por po aq absurde është të pretendohet se mirëqenia ndërtohet duke nxjerrë në treg territorin kombëtar. Nëse një qeveri, pas më shumë se një dekade në pushtet, nuk arrin të imagjinojë burime të tjera zhvillimi përveç betonizimit të brigjeve, resorteve luksoze dhe tjetërsimit të tokës publike, atëherë problemi është vizioni i munguar i qeverisë.

Toka shtetërore nuk është mall

Së shpejti, Kuvendi pritet të diskutojë një projektligj që, sipas denoncimit të bërë publik në Kuvend nga deputeti Agron Shehaj, i pa mohuar nga askush, prek rreth 120.000 hektarë (120 km2) tokë bujqësore shtetërore, një sipërfaqe që përbën 4.17% të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Çdo qeveri ka të drejtë të zhvillojë ekonominë, por asnjë qeveri nuk ka të drejtë ta trajtojë territorin kombëtar sikur të ishte një mall që i përket mandatit të saj. Sepse toka nuk është pronë e qeverisë. Është pronë e kombit. Është pasuria që kemi trashëguar nga të parët dhe që kemi detyrim moral e kushtetues t'ua lëmë brezave që do të vijnë.

Çdo brez ka të drejtë të zhvillojë vendin. Asnjë brez nuk ka të drejtë ta konsumojë në mënyrë abuzive apo tjetërsoj atë, pa pajtimin e gjerë shoqëror, siç po ndodh sot. Një mendje e ndritur e paska thënë: “Ne nuk e trashëgojmë tokën nga etërit tanë; e marrim hua nga fëmijët tanë."  Nëse çdo problem ekonomik zgjidhet duke nxjerrë në shitje ose duke kaluar në duar private një pjesë tjetër të Shqipërisë, çfarë do të trashëgojnë fëmijët tanë? Një vend me ekonomi të fortë? Apo një vend ku brigjet, malet, tokat bujqësore dhe pasuritë natyrore janë privatizuar njëra pas tjetrës?

KUSHTETUTSHMËRIA

Kushtetuta nuk e trajton territorin kombëtar si një mall tregu. Përkundrazi, në nenin 3 ajo e shpall tërësinë e territorit një nga bazat e shtetit shqiptar dhe i ngarkon shtetit detyrimin për ta mbrojtur, madje duke theksuar identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare. A është respektuat ky nenë kur nga privati është grabitur edhe një pjesë e “voçkël” e zonës së mbrojtur nga Butrinti? Prandaj debati nuk është vetëm ekonomik. Ai është edhe kushtetues: a përputhet tjetërsimi në shkallë të gjerë, 4,17% vetëm për tokat bujqësore, me detyrimin kushtetues për të mbrojtur territorin dhe trashëgiminë kombëtare?

Në të njëjtën filozofi duket se mbështetet edhe e ashtuquajtura "Paketa e Maleve", e cila synon të lehtësojë zhvillimin e investimeve në zonat malore. Askush nuk është kundër zhvillimit të maleve shqiptare. Por zhvillimi nuk mund të jetë sinonim i privatizimit të pakthyeshëm të territorit. Shqipëria ka nevojë për male të banuara, jo për male të privatizuara. Ka nevojë për fshatra që jetojnë, jo vetëm për resorte që funksionojnë disa muaj në vit.

Pêrgjegjësia shtetërore

Deklarata e Kryeministrit përpiqet ta zhvendosë fajin te “patriotët” (duke ironizuar këtë term), që në një moment tjetër nuk nguron ti quaj sorra dhe korba duke munduar ti ndaj nga flamingot! Por kush po e qeveris Shqipërinë për mandatin e katërt? Kush i kishte në dorë politikat ekonomike? Kryeministri aktual ishte Ministër i Kulturës nga viti 1998, pastaj kryebashkiak i Tiranës për 8 vjet dhe nga viti 2013 Kryeministër. Pas shkatërruesit të Shqipërisë, diktatorit dhe përgjegjësit për vrasje, Sali Berisha (Piramidat 97, Gërdeci 2008, Bulevardi 2011), Edi Rama dukej sikur një shpëtimtar që do e kthej Shqipërinë në rrugë të mbarë, duke premtuar industri moderne, bujqësi konkurruese, eksporte, dekanabizimin, vende pune dhe rikthimin e emigrantëve. Për fat të keq, ai u shndërrua në zhgënjim më të madh të shqiptarëve që po manifestohet 56 ditë rresht në sheshin e Tiranës, dhe timin personalisht. Edhe më keq, u shndërrua në anën tjetër të monedhës së njëjtë të quajtur Sali Berisha, me të cilin bashkë, kanë një marrëveshje të heshtur, që ta mirëmbajnë njëri tjetrin, duke futur kështu shqiptarët "Mes çekanit dhe kudhrës"! Mbetet të shpresojmë se revolucioni i flamingove të dy ti dërgoj në plehrat e historisë     

Nëse, pas gjithë këtyre viteve, alternativa kryesore që ofrohet është dhënia e territorit për resorte, vila luksoze apo projekte të ngjashme, atëherë problemi është mungesa e një modeli zhvillimi që krijon pasuri pa konsumuar pasurinë kombëtare “pa dhimtë”. Mirëqenia ndërtohet duke prodhuar, duke shpikur, duke investuar në dije, duke zhvilluar industrinë, duke modernizuar bujqësinë, duke mbështetur sipërmarrjen, duke luftuar krimin dhe korrupsionin, të shpërndarë në çdo hallkë të administratës shtetërore!

Jo duke e trajtuar tokën si mallin e fundit që ka mbetur për t'u shitur. Një burrë shteti nuk sillet si kumarxhi. Kumarxhiu, kur humbet, vë në tavolinë edhe pasurinë që nuk e ka krijuar vetë, pasurinë e githë familjes. Një qeveri nuk ka të drejtë ta trajtojë territorin kombëtar si bastin e saj të fundit.

Kumarxhia, pasi i humb të gjitha, në fund i fut në bast edhe rrobat e trupit të vet, për tu kthyer pastaj në shtëpi vetëm me brekë (ngjarje e vërtet). Pra, jo vetëm i fikur, por edhe i poshtëruar.

Një shtet serioz nuk mendon vetëm për investimin e sotëm. Ai mendon edhe për sigurinë kombëtare pas shumë vitesh. Nëse ligji lejon që toka të blihet edhe nga shtetas ose subjekte të huaja, atëherë lind një pyetje që nuk është aspak paranojë por përgjegjësi shtetërore.

Po sikur nesër blerësit të jenë kompani që fshehin pronësinë reale? Po sikur pas tyre të qëndrojnë interesat e shteteve që historikisht kanë pasur dhe ende kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë (verio epiri) apo Kosovës? Po sikur pronësia strategjike të kalojë, pak nga pak, në duar që nuk kanë asnjë lidhje me interesin kombëtar shqiptar?

Shtetet serioze vendosin kufizime pikërisht sepse e dinë se toka nuk është thjesht aset ekonomik. Është edhe çështje sovraniteti.

Patriotizmi

Ironia e Kryeministrit ndaj flamurit, qeleshes dhe çiftelisë është absolutisht e pavend dhe e papranueshme. Patriotizmi nuk është as flamuri, as qeleshja, as çiftelia, ato janë vetëm simbole. Patriotizmi është përgjegjësia për të mos e lënë Shqipërinë më të vogël nga sa e gjetëm. Është detyrimi për t'ua dorëzuar brezave të ardhshëm, jo vetëm kujtimin e vendit, siç bëjmë sot për Mollën e Kuqe apo Çamërinë, por vetë vendin. Madje vendin më të zhvilluar, më të pasur, me më shumë banorë të lumtur dhe mirëqenë.

Një qeveri mund të ndërtojë hotele, mund të sjellë investitorë, mund të zhvillojë turizmin, por nuk mund ta paraqesë shitjen ose tjetërsimin e territorit si kusht për mirëqenie. Sepse mirëqenia që ndërtohet duke konsumuar pasurinë kombëtare në mënyrë abuzive nuk është zhvillim. Është një iluzion afatshkurtër, faturën e të cilit do ta paguajnë ata që vijnë pas nesh.

Shtrohet pyetja domethënëse:

A është misioni i një qeverie të ndërtojë mirëqenie duke krijuar pasuri të reja, apo duke i shitur ato që nuk i ka krijuar vetë?

Sepse Shqipëria nuk është pronë e asnjë qeverie. Ajo është amaneti i brezave të shkuar dhe obligim ndaj brezave që vijnë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.