Historia alternative e botës që desh u shkrua në Peenemunde

Peenemunde është një kufi në fundin e tokës. Në buzë të Balltikut melankolik, rripi i tokës që zgjatet në formë lagunore nuk ka ku shkon më tej. Aty historia vendosi të ianuguronte fatin e saj gjeografik me një sipërmarrje para apokaliptike. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, në atë rajon, në buzë të detit verior, Gjermania vendosi krijimin e një qendre kërkimore dhe testuese për raktetat e para kruiz dhe ato me rreze të gjatë. Tabelat e vendosura në ekspozitor shpjegojnë procesin e nisur, sfidat e hasura, arritjet, testimet, arsenalin e përdorur, infrastrukturën mbështetëse dhe mandej bombardimin nga anglezët. Muzeu i Peenemundes – i quajtur Teknik – është I rindërtuar me artefaktet origjinale në të njëjtin kompleks industrial ku u operua nga ushtria. Raketa e famshme V2, trubina masive, copa materialesh testimi, periskopë, dokumente, skica, librat udhëzues dhe shkencoë që mundësuan zgjidhjet inxhinierike për shtytjen me karburant të lëngshëm të raketave që marketuan si armët e hakmarrjes.
Për ta kuptuar Peenemunden duhet të kesh lexuar mirë dhe të jesh i fushës. Por gravitetin e asaj që ka ndodhur aty, mund ta ndjesh shumë mirë. Fillimisht që nga Godina e ndërtuar me tullë të kuqe në fomën e një L-jë që vendos komunikimin mes byrosë projektuese dhe grupit të zbatimit. Një godinë me vetrata të larta, shkallë të gjera, nën mure pa asnjë dekorim e ku mund të dëgjosh çdo hap. Diçka mes një spitali psikiatrik, shkolle dhe laborator.
Peenemunde dhe program gjerman ishte më shumë sesa ambicioz. Ai synonte zgjidhjen teknologjike të luftës duke arritur me “armën sekrete” atë që nuk e arriti dot Vermahti. Por diçka e ndali. Diçka që nuk ka të bëjë me njeriun, shtetin, apo rrethanat. Është diçka që lidhet me Fatin Historik. Diçka e ndali të keqen aty, në momentin e saj inaugurues të kalimit në shekullin e 21-të, të modernitetit që përjetojmë sot në mëyrë civile. Sepse për arsye që ndoshta duhet të jenë fshehur thellë në psikologjinë njerëzore, rekuizita e Nazizmit ushtron një ndikim të errët, gati frikësues, mistik mbi njeriun e kohës sonë. Diçka që ngacmon ato që ndoshta janë qendrat e ankthit tonë – që nga ngjyrat, rregulli, kapaciteti për të kuptuar, menaxhimi, strategjia e sekretit, synimet dhe organizimi. Një militarizim prusian i kohës, materies dhe ekzistencës që na bën të kuptojmë se për asnjë moment të historisë, inxhinieria nuk ka qenë neutrale.
Në vitin 1962, NASA autorizoi një libër voluminoz me titullin: Nga Peenemunde në Hapësirën e Jashtme, duke njohur kështu se programi hapësinor nis në atë fshat të Balltikut, ku edhe sot gjendet “rafti” i Verner fon Baun, që më pas drejtoi programin amerikan.
Muzeu i sotshëm – ideologjik përveçse Teknik, pasi flet edhe për punën e detyruar aty – është vetëm ajsbergu i një historie shumë më të ndërlikuar që gërsheton ëndrrat, entuziazmin me ambicien për sundim global. Të gjitha të kapsuluara në një objekt, ku ende ndihet era e grasos, vajit, ku manivelat ende lëvizin, skicat janë aty, ku vetë koha ka mbetur në ato vite që përherë e më shumë bëhen të vështira për t’u kuptuar. Ndoshta sepse asnjëherë më parë, por edhe asnjëherë më pas, njerëzimi nuk përjetoi një rend aq intensiv ngjarjesh prej nga ku buroi edhe nevoja për të konsideruar dhe koordinuar zgjidhjet përfundimtare.
Të cilat si të tilla i shkojnë aq për shtat kostumit të Gjermanisë Naziste. Asnjë shtet dhe ideologji nuk ka arritur ta simbolizojë kaq shumë të keqen, fundin e historisë, me aftësinë, ambicien, me organizimin, perfeksionin me mposhtjen. Duke mbetur një relike unikale në mbarë historinë e njeriut, një arritje e pashoqe e shembullit se i humburi nuk është përherë i dështuar. Joshja dhe kurioziteti që ndiejmë ende sot mbi “atë që mund të ishte bërë në mënyrën gjermane” na flet për nevojën e madhe që kemi për të kuptuar historinë alternative të botës që për një çast desh u shkruan në Peenunude. Prej nga ku na vjen edhe paralajmërimi ogurzi se, politika sado malinje dhe e deformuar të jetë, i jep teknologjisë një qëllim, një kuadër, me synimin final, sundimin e botës. Dhëntë Zoti që të mos arrijmë në ditën kur inxhinierët të jenë në krye të punëve, pasi entuziazmi eksitues për vetitë e materies kthehet në qëllim në vetvete, në garë pas synim duke sabotuar rendin njerëzor që në fund kërkon pak siguri.

Add new comment