Epoka e artë e gjuhëve mund të ketë qenë para 2 mijë vjetësh
Banorët e planetit tonë flasin më shumë se 7 000 gjuhë dhe secila prej tyre vjen me një bagazh unik njohurish, kulture dhe historie. Megjithatë, diversiteti gjuhësor sot mund të jetë vetëm hija e një kohe kur njerëzit bisedonin në 10 herë më shumë gjuhë.
Për dy mijëvjeçarë, nga viti 1000 p.e.s. deri në vitin 1000 të e.s., planeti ynë ka qenë Kullë e vërtetë Babeli, sipas një studimi të botuar në “Science”. Gjatë kësaj kohe që studiuesit e cilësojnë epokë e artë, numri i gjuhëve u rrit në dhjetëra mijëra.
Më pas erdhi një rënie e shpejtë, që mund të jetë nxitur nga ngritja e shteteve hegjemonike dhe shumëkombëshe si Perandoria Romake.
"Kishte diversitet gjuhësor dhe kulturor që ziente ngadalë", thotë autori kryesor i punimit Damián Blasi, i cili studion evolucionin e gjuhëve në Universitetin e Harvardit. "Në një moment, disa nga këto [gjuhë] shpërthejnë dhe fshijnë gjithçka përreth tyre."
Duke qenë se shumica e gjuhëve të lashta nuk lanë pas të dhëna, Blasi dhe ekipi i tij e rindërtuan historinë e tyre në mënyrë indirekte.
Në periudhën e Holocenit, 12 000 vjet më parë, sipas ekspertëve, popullsia e globit ishte rreth 4-7 milionë. Duke supozuar se grupet e banorëve të atëhershëm të tokës flisnin secili gjuhën e vet, gjasat janë që të jenë folur 5 000 deri në 6 000 gjuhë në të gjithë botën.
Për të gjurmuar rrugën e diversitetit gjuhësor nga ai moment deri në ditët e sotme, ekipi i Blasit modeloi në mënyrë kompjuterike mijëra trajektore të mundshme. Një model i qartë bie në sy: Ndërsa kalimi nga gjuetia te bujqësia bëri të mundur rritjen e popullsisë, numri i gjuhëve u rrit vazhdimisht, duke arritur midis 20 000 dhe 75 000 gjuhëve rreth 2 000 vjet më parë, përpara se të hynte në një rënie që vazhdon edhe sot: çdo disa javë, një gjuhë humbet edhe folësin e saj të fundit.
Edhe pse shkalla aktuale e vdekjes së gjuhëve shpesh i atribuohet 500 viteve të fundit të zgjerimit kolonial, i cili shpesh i eliminonte plotësisht gjuhët indigjene, ky studim sugjeron që shoqëritë e para në shkallë të gjerë kishin një efekt të ngjashëm homogjenizues. "Duhet shumë më pak se një fuqi koloniale për të shkatërruar diversitetin gjuhësor", thotë Blasi.
Gjuhëtarët kanë tendencë të supozojnë se gjuhët që flasim sot pasqyrojnë tingujt dhe strukturat gramatikore që truri ose trupi i njeriut mund të akomodojë.
Megjithatë, jo të gjithë e besojnë skenarin e "epokës së artë". Lyle Campbell, gjuhëtar në Universitetin e Havait, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, thotë se ekipi i Blasit po "përballet me elementë të së kaluarës së largët për të cilat nuk mund të flitet me siguri". Shumë variabla, të tilla si sa të mëdha ishin grupet e lashta etnolinguistike dhe si i ndikoi bujqësia ato, janë të pamundura të përcaktohen me siguri. Sipas tij, ndërsa ky hulumtim “mund të jetë në rrugën e duhur”, njëkohësisht është edhe “shumë spekulativ”.

Add new comment