Hapat e parë të Opozitës

Postuar në 24 Gusht, 2013 07:35
Ben Andoni

Njoftimin se seancën e parë të parlamentit të ri shqiptar nuk do ta hapë ish-kryeministri Berisha, si deputeti më i vjetër në moshë i mandaturës, jep një mesazh se Opozita e ardhshme nuk do jetë aq korteziale me Mazhorancën e re. Jo vetëm kaq, por duket se fillimi i punimeve të parlamentit të ri, do të ketë gjithnjë një reagim tepër kundërshtues të Partisë Demokratike, që pas tetë vitesh drejtimi të vendit, e shikon veten papritmas në Opozitë. Themi papritmas, sepse jo shumë muaj më parë, ishte vetë ish-kryetari i saj Berisha dhe ish-aleati i tij Meta, që thoshin se me këtë Ramë si kryetar Opozite, ata do të drejtonin tej viteve ’20 të shekullit tonë. Kuptohet se as më shumë e as më pak bënë gabimin e përgjithshëm të politikanëve shqiptarë të regjimit parlamentar, që nuk e kuptojnë se ligjet e politikës shqiptare janë shumë më ndryshe sesa ligjet normale të politikës.

Por, a do mundet vallë me këtë forcë kartonash, Aleanca e drejtuar nga Rama të çojë përpara idetë e veta dhe të mos i lerë kohë kundërshtarëve ta pengojnë? Deri më tash, ministrat e tij, në një akt që i ngjan disi patetizimit politik, pretendojnë për transparencë totale dhe vizion të ri. Është ende herët për të folur pa parë hapat e parë zyrtare të tyre. Megjithatë, si në ndryshimet e tjera, si lum janë derdhur militantët e Majtë për të zëvendësuar kolegët e tyre të Djathtë. Ata që kanë sakrifikuar, kjo fjalë e fundit ka lidhje me grevën e urisë para kryeministrisë, “21 Janarin”, numrin e pjesëmarrjeve në mitingje dhe kontributet, do të kërkojnë vendet e tyre në piramidën e administratës shqiptare. Ka shumë të ngjarë, që të mos ndryshojë aq shumë siç ndodhi edhe me politikanët e djathtë apo dhe me ushtrinë që ata ofruan. Por, në realitet, militantët e dy krahëve janë të turbulluar. Të Majtët për Punën e munguar, kurse të Djathtët për vazhdimësinë.

“Ne nuk e dimë se çfarë është duke ndodhur dhe kjo është tamam ajo që po na ndodh, mosnjohja e asaj që po na ndodh: njeriu i sotëm ka filluar të jetë i çorientuar në lidhje me veten, i paorientuar, ai është jashtë vendit të vet, gjendur në rrethana të reja, që i ngjajnë asaj të terra incognita”, shprehej Ortega y Gasset te Revolta e Turmës. Si dy pika uji, kjo po ngjet me shqiptarët e sotëm.

Nuk është aq e lehtë me një fjalë të përshfaqësh Opozitën e re, që tash drejtohet nga dy kryetarë, nga ai de jure, Basha që nuk është në parlament; dhe de facto ai që është ende i fortë, Sali Berisha. Ky i fundit me reagimet e para ka treguar se jo vetëm s’do logjikojë normal, por do të bëjë një oponencë pa shkak për gjithçka. Me sa duket i duhet më shumë të ketë veten në fokus dhe t’i ruhet me zhurmë e anarki transparencës për bëmat e tij, që e frikësojnë para funksionimit të ligjit. A ka mundësi që fytyra e re e Opozitës shqiptare të ishte më afër logjikës? Me sa duket jo. Vitet e Ramës në Opozitë treguan se ajo ishte shpesh spontane dhe me flirtet politike, jo pak herë i dëmtoi zemrat dhe shpirtin e mbështetësve. Anipse fitorja e madhe në zgjedhje duket se e ka justifikuar gjithçka. Nga ana tjetër, ajo vazhdoi në një masë shumë më të moderuar traditën e Opozitës së Berishës së ‘98-‘05, ku konfliktualiteti ishte pjesë përbërëse e gjithçkaje.

Jo më kot, në të dy rastet, analistët politikë kanë gjetur pa fund nonsense, që nga lufta e korrupsionit që u bë ndaj Nanos dhe e kaloi Berisha vetë që e anatemoi; reagimet pa rezultat të Ramës pas përmbytjeve dhe katastrofave të tjera; dhe deri te Lufta e Ftohtë me fqinjët, që edhe pse ka qenë e vazhdueshme paradoksalisht kulmoi me lëshimin e një pjesë të territorit detar ndaj Greqisë!

Megjithatë vështirësia e argumentit tonë për Opozitën e nesërme shtrohet në faktin, se Berisha ka shumë të ngjarë që të drejtojë më shumë pas kuintave. Përvoja e Nanos (në fakt ky e braktisi fare politikën), që nuk vinte fare në parlament për shumë kohë dhe nuk penalizohej, do t’i shërbejë dhe atij shumë mirë si model të tregoj se është një patriark. Nëse kryetari i ri i parlamentit do t’i bëjë lëshimet që i bëri znj. Topalli, ish-kryeministrit Nano, që e etikonte dikur njeriun më korruptiv pastaj e quante si burrë shteti, atëherë do të kemi një mirëkuptim për t’i dhënë një mundësi që të dalë më lehtë në pension dhe ta ketë udhën më të lehtë në pjesën e mbetur të jetës.

Por ky lluks i tij, nuk përkthehet si do ai në bazën e PD-së. Përçarja e dukshme e dy krahëve të PD-së që në ditët në vazhdim ka të ngjarë të duket më haptas, nga ana tjetër nuk do t’i japë shumë motiv atyre protestave që mendon Berisha, t’i drejtojë pas kuintave. Në mos të ndonjë katastrofe natyrore në vjeshtë ose krize energjetike, asgjë nuk i motivon më njerëzit të ngrenë zërin, në këto kushte të vështira ekonomike ku gjenden sot. I vetmi paralelizëm si motiv mbetet viti 1998, kohë kur Shqipëria vinte nga anarkia e ’97 dhe nga një motiv të madh që lidhej me vrasjen e Azem Hajdarit. Kurse 15 vjet më vonë, në vitin 2013, PD vjen me një gropë të madhe në ekonominë e vendit. I vetmi fat i PD-së, hë për hë, që duhet quajtur sidoqoftë i madh ka lidhje me faktin se njerëzit që mund të merren nga ana teknike ligjërisht me ta, jo shumë kohë më parë kanë qenë Aleatë.

Nga ana tjetër, i vetmi kazus, që duan të ngjallin këto kohë njerëzit e PD-së, si Shtëpia e Oficerave, nuk besohet se mund të ngjallë shumë protesta. Më shumë akoma, shumica e ish-ministrave të PD-së jo vetëm nuk gjenerojnë më frymë te mbështetësit, por janë duke pritur malin me akuza, që shpejt mund t’u bëhet i dukshëm. Jo më kot, në mbledhjet e fundit të qeverisë, ku Berisha po ushqen më shumë Unin e vet, e ndjekin fytyra meite zyrtarësh pa asnjë motiv. Për të mos thënë se ata që kanë mbetur nga PD, megjithë shpresën e madhe për luftë opozitare nuk janë më aq të motivuar. Batutat e Palokës, Strazimirit janë më shumë kompleksive, sesa mund të ringjallin gjë. Të përdorur keqazi, një sërë si e tyre, me sa duket do të vazhdojnë me këto deklarata më shumë të trembin frikën që i ka zënë dhe t’i kthejnë Berishës nderin që i çoi deri më aty. E mbi të gjitha, Berisha vetë, megjithë vitalitetin natyral, tashmë po i mbaron energjia. Kjo për shkak të moshës dhe faktit, që e kupton më mirë nga të gjithë, mungesën e forcës së vendimmarrjes zyrtare. Jo shumë larg, do vi koha, që edhe njerëzit më afër, pak nga pak t’i shmangen.

Njerëzit duan alternativa sesi të kthehen në pushtet dhe jo inatin e një plaku inatçi, që ka marrë çfarë ka dashur nga jeta dhe që madje tashti bën dhe naze, duke mos pranuar të drejtojë njëherë të vetme edhe de jure parlamentin, si një njeri neutral.

Në fund, larg të gjithave, ajo që do të donin të gjithë ishte kristalizimi i një PD-je tjetër, që të kishte bërë një katarsis siç duhet, dhe që të shpaloste fytyrën moderne të së ardhmes, asaj që konsiderohet si aset i vërtetë politik i kombit për një opozitë cilësore sot, dhe një mazhorancë produktive nesër. Pikërisht, atë frymën e vërtetë të këtij formacioni, që ka shkarë aq shumë nga idealet e bukura të Dhjetorit prej duhmës së rëndë të Berishës and co.

GSH

Comments

Submitted by dashnori i gjuh... (not verified) on

<p>Thuhet opozite <strong>kordiale </strong>dhe jo<strong> korteziale</strong>. Pike se pari jane keta puthadoret e kryeministrit &quot;te zgjedhur&quot; (se gjithe te meparshmit kane qene te vetzgjedhur) , ata qe paskan probleme jo vetem me shqipen por edhe me gjuhet e huaja dhe kjo duket nga forma e gabuar qe i eshte dhene fjales nga puthadori i rradhes Andoni. Rama ben mire qe dhe ketyre birbove te tij tu ngjise nga nje redaktor gjuhe, si shqipe sepse nuk dine te shqiperojne tekstet e tyre, ashtu edhe te huaj per perdorim jo te drejte e te shformuar te fjaleve te huaja. Per cka mbetet i uroj lexuesve nje lexim te kendshem sipas bindjeve te tyre politike.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.