Autoritetet shqiptare nuk lejojnë hyrjen në vend të teologut të njohur Imran Hossein

Teologu islam, Sheikh Imran Hossein, një nga qindra njerëzit më me ndikim në botën islame, nuk është lejuar të futet në Shqipëri. Mësohet se Hossein është ndaluar nga Antiterrori në aeroportin e Rinasit rreth orës 14:00 dhe pas verifikimeve në orën 15.00, i është njoftuar ndalimi i hyrjes në territorin shqiptar. Ai ishte ftuar nga imam Ervis Jangulli për të mbajtur një leksion me nxënësit dhe mbështetësit e tij. I pyetur nga ana jonë, Ervis Jangulli tha se policia dhe autoritetet në Rinas nuk kanë dhënë asnjë shpjegim.
Ishte ftuar nga unë. Në orën 14. 00 u ndalua nga Antiterrori në Rinas, por pa një arsye specifike. I thanë se emri juaj ndodhet në listën e personave të padëshiruar dhe duhet të kthehesh mbrapsht për në Beograd. Është hera e tretë që do të vinte. Ka qenë në vitin 2021 dhe në vitin 2023 për vizitë. Por tani nuk e kuptuam se çfarë ndodhi dhe as policia dhe as autoritetet përgjegjëse në aeroport nuk na dhanë përgjigje. Imran Hossein do të presë deri në orën 04:00 të mëngjesit, kur është fluturimi i radhës për në Beograd
tha për MCN imam Elvis Jangulli.
Jangulli tha se teologu Imran Hossein do të qëndronte vetëm në hotel dhe nuk kishte ndonjë axhendë tjetër përveç takimit me nxënëse dhe mbështetës të tij. Gjatë ditës së sotme, imam Emran Hossein ka qenë në Beograd ku ka mbajtur një leksion me studentët e fakultetit të drejtësisë.

Add new comment