Fantazma e ringjallur: socializmi i ri amerikan dhe sfida për konservatorët

Postuar në 27 Tetor, 2026 22:06
Dr. Ernest Nasto

 

Një fantazëm e re, e një socializmi “të ndryshëm”, “modern”, duket se është rikthyer e po sillet sot jo më vetëm nëpër Europë, por në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në demonstratat e përleshjet që vazhdojnë prej disa javësh në qytete të mëdha europiane duke mbjellë kudo dhunë, zjarr e shkatërrim, bie fort në sy prania e përhershme e flamujve të kuq të socializmit e të komunizmit, e të lëvizjeve politike që u referohen atyre. Madje në Francë edhe himni kombëtar, e jo më pak revolucionar, La Marseillaise, ka dalë në plan të dytë krahasuar me Internacionalen famëkeqe.  E veçanta e kësaj ringjalljeje është se ajo po ndihet fort edhe në Shtetet e Bashkuara. Për më se një shekull, sistemi amerikan dukej i paprekshëm nga ajo çoroditje politike e Kontinentit të Vjetër (e më gjerë), dhe vetë fjala "socializëm" përbënte tabu të fortë që sillte përjashtim të menjëhershëm nga çdo diskurs politik normal. Sidomos gjatë Luftës së Ftohtë, socializmi shihej me të drejtë si një ide e praktikë krejt e huaj, një kundërvënie absolute ndaj "ëndrrës amerikane" të lirisë individuale dhe progresit të pakufizuar.

Vitet e fundit është bërë e qartë se tabuja s’ekziston më: pabarazia në rritje, kriza e strehimit dhe kostoja e lartë e jetesës në përgjithësi e kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën sesi brezi i ri amerikan, ngjashëm me sivëllezërit europianë, konsideron konceptet “socializëm” e “kapitalizëm”, si edhe sistemet ekonomike përkatëse. Dhe ndryshimi nuk po shfaqet më vetëm në sondazhe apo në salla leksionesh, por është zhvendosur në terrenin konkret të garave zgjedhore. Fakti që votuesit në New York, në kryeqendrën simbolike të kapitalizmit financiar, zgjodhën para një viti si kryetar bashkie kandidatin socialist Zohran Mamdani, nuk përbën thjesht anomali lokale, por një paralajmërim se i njëjti skenar mund të përsëritet së shpejti edhe në metropole të tjera. Ndërkohë, prania e gjithnjë e më shumë kandidatëve socialistë në garat zgjedhore për Kongresin në fillim të nëndorit dëshmon se kjo valë po depërton edhe në strukturat e pushtetit legjislativ në nivel kombëtar. 

Ky "rikthim i socializmit" në bregun perëndimor të Atlantikut priret të trajtohet si diçka e papritur, si një pasion kalimtar i një brezi të ri të revoltuar nga disa vështirësi të përkohshme, mirëpo e vërteta është më e ndërlikuar e madje më shqetësuese: bëhet fjalë për një prirje me rrënjë të thella teorike, materiale dhe kulturore, që s’mund të kuptohet e të kundërshtohet me sukses veç me refuzim, apo me gjuhë nostalgjike të kohës së Luftës së Ftohtë. Këtu më poshtë do të shqyrtoj kryesisht aspektin amerikan të kësaj vale riciklimi të ideve socialiste, me rikonceptimin përkatës të peizazhit kulturor amerikan, pra mënyrën sesi idetë e majta po priren të shkëputen nga e kaluara e tyre dhe të shndërrohen në një forcë të re në debatin politik. E po ashtu edhe nevojën për t'iu kundërvënë këtyre ideve jo me frikë, por me argumente, sepse sa herë që përgjigja është përqëndruar te refuzimi i thjeshtë e te thirrjet alarmiste, rezultati s’ka qenë dobësimi i socializmit, por përkundrazi forcimi i tij. Për arsye praktike kam lënë jashtë analizës dukurinë e imigracionit dhe të qëndrimit ndaj konfliktit arabo-izraelit.

1. Nga shtypja ekonomike tek shtypja e gjithëpranishme

Duhet të rikujtojmë fillimisht se fantazma e popullarizuar në Manifestin Komunist të dy shekujve më parë i kundërvihej një sistemi ku shtypja ishte ekonomike, ajo e borgjezit ndaj proletarit, pra një koncept i thjeshtë e i matshëm. Shoqëria ndahej mes borgjezisë, pronare e mjeteve të prodhimit, dhe proletariatit, që shiste fuqinë e vet punëtore për të mbijetuar. Shtypja shprehej në paga, në orë të gjata pune e në kushtet e rënda në fabrika, të gjitha këto madhësi konkrete e të verifikueshme(1), prej ku rezultonte një diagnozë e qartë dhe një recetë po aq e qartë: ndryshimi i pronësisë mbi mjetet e prodhimit sjell detyrimisht zhdukjen e shtypjes. Kjo thjeshtësi shpjegimi pati padyshim ndikim të konsiderueshëm në përhapjen e shpejtë të ideve marksiste dhe përgjithësisht në ndikimin e tyre historik.

Ndryshe nga kjo traditë klasike, socializmi i sotëm është rikthyer si një sfidë ndaj strukturave shumë më komplekse. Teoricienët postmodernë, për të cilët kam shkruar edhe më parë(2), e trajtojnë shtypjen si një dukuri që s’kufizohet më brenda mureve të fabrikës e zyrave të City-t apo Wall Street, e as te marrëdhënia klasike mes pronarit e punëtorit, por që është zhvendosur gradualisht drejt një kuptimi shumë më të shpërndarë. Kështu p.sh. Michel Foucault(3), në veprat e tij mbi burgjet, spitalet psikiatrike e seksualitetin, shtjellonte idenë se marrëdhëniet e shtypjes nuk ushtrohen veç nga lart-poshtë, si veprime të jashtme të një klase mbi një tjetër, por qarkullojnë në mënyrë kapilare përmes gjuhës, institucioneve apo normave të jetës së përditshme. Me fjalë të tjera, vetë mënyra se si e klasifikojmë normalitetin, apo edhe njohuritë mjekësore, bëhen transmetuese e riprodhuese të raporteve të pushtetit.

Më tej Judith Butler(4) e thelloi këtë tezë në fushën e gjinisë, ku shtypja sipas saj riprodhohet vazhdimisht përmes performancës së vazhdueshme të normave, duke depërtuar deri në sferat më intime të identitetit. Dhe së fundi, Kimberlé Crenshaw(5) futi konceptin kyç të "shtypjes së ndërthurur" (intersectionality), ku raca, gjinia, orientimi seksual e statusi i imigracionit trajtohen si forma paralele shtypjeje, shpesh më të rëndësishme e më të dukshme se sa ana ekonomike. Pikërisht ky evolucion na ndihmon ta kuptojmë më mirë socializmin bashkëkohor.

Meqë e majta e sotme nuk flet më vetëm me gjuhën e shtypjes ekonomike, por me atë të shtypjes së kudondodhur, kritika e shëndoshë gjendet para një problemi jo të vogël. Kjo sepse sa më shumë të zgjerohet koncepti i shtypjes për të përfshirë çdo marrëdhënie pushteti (gjuhësore, familjare, psikologjike etj), aq më e vështirë bëhet gjetja e një argumenti politik koherent për ta kundërshtuar. 

Marksizmi klasik kishte të paktën avantazhin e qartësisë, ndërsa avatari i tij i sotëm, i mbështetur te tradita postmoderne, operon më tepër me kategoritë e gjuhës e të simbolikës se sa me ato të reformës konkrete ekonomike: kundërshtimi me argumente racionale bëhet gjithaq më i vështirë ngaqë objekti i kundërshtimit ndryshon formë në mënyrë të vazhdueshme

Shpërndarja e konceptit të shtypjes shpjegon gjithashtu se përse debati politik amerikan i dekadës së fundit është përqëndruar aq shumë në sferën akademike e universitare me programet e "diversitetit, barazimtarisë e përfshirjes" (DEI)(6), në korporatat me gjuhën e “mikroagresioneve” dhe "hapësirave të sigurta" (safe spaces), si edhe në programet shkollore mbi historinë e marrëdhënieve racore. Këto çështje, që dikur do të shiheshin si periferike në krahasim me rishpërndarjen e pasurisë, sot kanë dalë në plan të parë brenda vetë lëvizjeve që identifikohen si socialiste. Socializmi i ri amerikan bëhet kësisoj tërheqës, sepse premton liri totale: jo thjesht emancipim ekonomik, por njëfarë çlirimi nga çdo strukturë tradicionale e autoritetit. Por ironia këtu është therëse, sepse pjesa më e madhe e votuesve punëtorë, audienca origjinale e Manifestit, e sheh veten shumë larg kësaj gjuhe të stërholluar akademike, krahasuar me administratorët e shtresës së mesme apo profesionet liberale si avokatë, mjekë, arkitektë e gazetarë, të përqëndruar në qytete të mëdha. Kjo zhvendosje e bazës elektorale, siç shihet te Democratic Socialists of America (DSA), përbën një ndryshim të thellë strukturor që konservatizmi duhet ta lexojë saktë. 

Një gabim i shpeshtë brenda lëvizjes konservatore është vështrimi i këtij rikthimi të ideve socialiste si reaksion ndaj lëvizjes MAGA dhe trumpizmit në krahun tjetër, pra si diçka që do të kalojë vetvetiu sapo Donald Trump të largohet nga skena. Ky interpretim është i thjeshtë, e rrjedhimisht tundues, mirëpo krejt i pamjaftueshëm, sepse vetë trumpizmi s’përbën ndonjë ideologji koherente kundër së cilës mund të ndërtohet një alternativë simetrike.

Trumpizmi nuk paraqet një program ekonomik të argumentuar e të qëndrueshëm: ai lëkundet ndërmjet proteksionizmit tregtar dhe taksave të ulëta mbi korporatat, ndërmjet revoltës populiste kundër elitave financiare në retorikë dhe përkrahjes së interesave të po këtyre elitave në praktikë. Atij i mungon edhe një filozofi të aparatit shtetëror të krahasueshme me atë të konservatizmit klasik të Edmund Burke(7) apo me traditën liberale-tregtare të Hayek e Friedman. Elementi bashkues i MAGA është kryesisht identifikimi personal me një lider karizmatik, përmes gjuhës së përbashkët armiqësore ndaj "establishmentit", dhe një strukturë emocionale e bazuar tek dëmet e perceptuara e tek hakmarrja simbolike: diçka shumë më afër një kulti personaliteti se sa një ideologjie formale

Kjo lidhje emocionale me një person, në ndryshim nga çfarëdo ideologji, nuk kundërshtohet dot aq lehtë me argumente logjike. Prandaj s’mund të thuhet kurrsesi se të rinjtë po bëhen socialistë si kundërvënie ndaj Trump. Faktorët që ushqejnë simpatinë për socializmin, si borxhet studentore, mungesa e sigurimit shëndetësor universal, rritja e pandalshme e qirave dhe e kostos së jetesës, ekzistonin e po përkeqësoheshin mjaft kohë para daljes së Trump më 2015. Mjafton të kujtojmë se Bernie Sanders e kishte ndërtuar bazën e tij politike që në vitet '80-'90 në Vermont, ndërsa lëvizja Occupy Wall Street e vitit 2011, me parullat kundër "1 përqindëshit", tregoi se revolta ndaj pabarazisë ekonomike kishte marrë forma organizative gati pesë vjet para hyrjes së Trump në garën presidenciale. Simpatia për idetë socialiste s’ka pësuar dobësim të ndjeshëm as në periudhat kur vëmendja publike ka qenë më pak e fokusuar tek Trump, gjë që sugjeron shkaqe strukturore e afatgjata, jo reaksione të çastit. Aq më tepër që, siç e përmendëm, e njëjta dukuri po vërehet edhe në Europë.

Për pasojë, nëse strategjia e konservatizmit bazohet në shpresën se trallisja pas ideve socialiste do të shuhet vetë pas largimit të Trump, ajo do të dështojë sepse baza është e gabuar. Beteja e vërtetë s’mund të jetë mes karizmash personale, por mes shqetësimesh reale dhe një grupi idesh që synojnë t'i zgjidhin ato: një betejë që kërkon argumente të shëndosha ekonomike e sociale. 

2. Arsyet materiale: shtrembërimi i tregut të lirë dhe komercializimi i jetës njerëzore

Në këtë kuadër, një analizë objektive e ringjalljes së socializmit amerikan duhet të vështrojë me kujdes natyrën e sistemit ekonomik që sot gjendet në shënjestër të tij. Dhe këtu konservatorët përballen me një paradoks që s’mund të shpërfillet: kritikat më të mprehta s’u drejtohen parimeve baze të tregut të lirë, por një versioni të shtrembëruar të tij, të cilin ekonomistët e quajnë kapitalizëm klientelist-korporatist (crony capitalism). Adam Smith e konceptoi tregun si një mekanizëm vetërregullues të këmbimit të mallrave e shërbimeve, me konkurrencën e lirë, “dorën e padukshme”, që detyron prodhuesin t'i shërbejë sa më mirë konsumatorit. Ai shprehej gjithashtu me dyshim ndaj çdo bashkëpunimi të biznesit me pushtetin shtetëror për manipulimin e ligjeve në dëm të publikut. Mirëpo tiparet e ekonomisë amerikane të dekadave të fundit kanë fare pak ngjashmëri me këtë vizion klasik. Në shkallë kombëtare shihen konsolidime masive në sektorë si teknologjia, bankat, farmaceutika apo agrobiznesi, shoqëruar me lobime agresive për interpretime rregullash në favor të kompanive ekzistuese dhe për subvencione në sektorë me lidhje të ngushta politike.

Shembulli më dramatik i këtij shtrembërimi mbetet ndërhyrja e shtetit më 2008 për të shpëtuar nga falimentimi bankat e konsideruara “too big to fail”, ku humbjet u socializuan ndërsa fitimet mbetën private. Një sërë studiuesish(9), përkrahës të tregut të lirë, kanë dokumentuar se ligjet e rregullat e sotme priren kah favorizimi i kapitalit ekzistues e jo i sipërmarrësve te rinj. Është pra ky lloj "kapitalizmi" ai që ngjall zemërim dhe shtyn shumë amerikanë drejt alternativave socialiste: jo se janë kundërshtarë të pronës private, por sepse sistemi u duket haptazi i manipuluar, me rregulla që ndryshojnë sipas fuqisë ekonomike të pjesëmarrësve.

Kjo ndjesi pabarazie u thellua më tej nga politikat monetare pas krizës në fjalë. Normat e ulta të interesit dhe blerjet e obligacioneve nga Rezerva Federale e lehtësuan rimëkëmbjen e tregjeve financiare, por njëkohësisht rritën në mënyrë të njëanshme vlerën e aksioneve dhe pasurive të paluajtshme të zotëruara nga familjet më të pasura, duke e thelluar në fakt pabarazinë. Prandaj shumë prej kritikave të sotme vijnë nga qarqe që s’janë kundërshtare të tregut të lirë, por të një sistemi që ka të tillë veç paraqitjen. Në këto kushte konservatizmi tradicional duhet të mbrojë me vendosmëri parimet e tij bazë si përgjegjësia individuale, puna e përkushtuar e disiplina, por jo edhe shtrembërimet korporative. Pa këtë dallim, mbështetja legjitime e tregut rrezikon të ngatërrohet me përkrahjen e pandershme të privilegjit korporativ, një ngatërresë që e majta po e shfrytëzon me sukses. Përveç shtrembërimit të konkurrencës, një tjetër aspekt thelbësor i kritikave ndaj sistemit është trajtimi i qenieve njerëzore kryesisht si njësi prodhimi e konsumi, me pasoja të rënda mbi jetën familjare dhe shëndetin mendor.

Kjo shihet konkretisht te rritja e ngadaltë e pagave në krahasim me produktivitetin, që detyron prindërit të punojnë me orë të zgjatura për të mbajtur një nivel modest jetese. E po ashtu te mungesa e garancive federale për leje të paguar prindërore(10) si edhe te kultura e gig economy(11) që ofron fleksibilitet në dëm të sigurisë afatgjatë. Duhet shtuar këtu edhe dalja e mediave sociale, ku valuta kryesore është vëmendja: algoritmet janë ndërtuar qëllimisht për maksimizimin e kohës në ekran, me kosto tashmë të dokumentuara mbi shëndetin mendor të të rinjve. Dukuritë e mësipërme janë analizuar gjerësisht në literaturën sociologjike. Robert Putnam(12), në studimin e tij mbi rënien e kapitalit social, tregoi se pjesëmarrja në organizata qytetare, kisha e shoqata është ulur ndjeshëm që nga vitet '60-'70, duke lënë individët të izoluar përballë tregut. Të tjerë kanë përshkruar dukurinë tragjike të "vdekjeve nga dëshpërimi" (deaths of despair), shkaktuar nga droga, alkoolizmi apo vetëvrasja, sidomos te popullsia e bardhë pa arsim universitar. Këto janë simptoma të drejtpërdrejta të shpërbërjes së komuniteteve që dikur mbaheshin gjallë nga industria prodhuese, tashmë e transferuar jashtë vendit.

Kritikët socialistë i lidhin ato me vetë logjikën e kapitalizmit të parregulluar: nëse çdo aspekt i jetës, si koha, vëmendja e të dhënat vetjake, kthehet në mall, atëherë s’mbetet asnjë kufi natyror për të mbrojtur familjen e shëndetin emocional nga logjika e tregut. Kjo kritikë s’mund të anashkalohet sepse s’vjen vetëm nga e majta: grupime konservatore të orientuara drejt "së mirës së përbashkët", si American Compass(13), ofrojnë diagnoza të ngjashme, duke fajësuar tregun e parregulluar dhe deindustrializimin si shkaktarë të tronditjes së jetës familjare e komunitare.

Kjo dëshmon se konservatizmi tradicional i ka të gjitha bazat e shëndosha për të ndërtuar një kritikë origjinale ndaj deformimeve të sistemit, pa pasur nevojë të huazojë recetat e së majtës socialiste

3. Efektiviteti i propagandës: mediat e pavarura dhe hegjemonia gramsciane

Në praktikë, rigjallërimi i ideve socialiste mund të kuptohet më mirë duke pasur parasysh ndryshimet rrënjësore në peizazhin mediatik amerikan, të përmendura edhe më lart. Vërtet që burimet tradicionale të informacionit mbeten të rëndësishme, por një pjesë gjithnjë në rritje e diskursit politik, sidomos ndër të rinjtë, frymëzohet e nxitet nga një mori podcastesh, platformash online e mediash të pavarura në përgjithësi, që formojnë një ekosistem ndjeshmërisht më të decentralizuar e më të lirë në të gjitha aspektet. Ky ndryshim i përshtatet asaj që teoricieni komunist italian Antonio Gramsci e quante "hegjemoni kulturore", pra ideja se pushteti politik nuk mbahet vetëm nga aparati shtetëror i dhunës, por sidomos nëpërmjet kontrollit të "shoqërisë civile": shkollave, mediave, kulturës popullore, etj, si institucione bazë që formojnë "ndjesinë e përbashkët" të një shoqërie. Gramsci argumentonte se transformimi afatgjatë i synuar nga e majta kërkon jo vetëm marrjen e pushtetit shtetëror, por një “marshim të madh”(14) përmes institucioneve në fjalë për t’i vënë ato nën kontroll. 

Duke ndjekur këtë vizion, krahu progresist (dhe socialist) amerikan ka investuar në mënyrë të vetëdijshme në ndërtimin e një sistemi mediatik paralel, me podcaste të suksesshme të orientuara drejt të rinjve, me platforma të gazetarisë online gjerësisht të pranishme në mediat sociale e që duket se kanë këndvështrime të qarta ideologjike. Ato funksionojnë si përçuese të këtyre të fundit, duke bërë që koncepte e terma dikur krejt periferike, të hyjnë masivisht në diskursin publik, me një fjalë të normalizohen. Efektiviteti i kësaj strategjie qëndron në faktin e të vepruarit jashtë kanaleve e mekanizmave tradicionalë, të njohura historikisht për rolin qëndror të kontrollit editorial. Kështu p.sh. formatet e gjata të podcasteve krijojnë edhe një lidhje më intime, pothuaj sociale, ndërmjet prezantuesit dhe audiencës, që e lehtëson ndjeshëm përcjelljen e ideve te kjo e fundit, krahasuar me spotet e shkurtra televizive. Moderatori perceptohet jo më si burim i largët lajmesh, por si mik dhe zë i besueshëm, brenda rrethit shoqëror të dëgjuesit: një dinamikë që normat editoriale të mediave tradicionale s’mund ta riprodhojnë aq lehtë.

Duhet theksuar, megjithatë, se konservatorët s'kanë fort të drejtë të ankohen për metoda të tilla, sepse ky "marshim përmes institucioneve" është një strategji komunikimi që mund të përdoret prej çdo ideologjie, mjafton të ketë burimet e talentet e nevojshme krijuese. E djathta amerikane e ka përdorur atë me sukses shumë më parë se ta zbulonte e majta: emisionet konservatore të tipit talk-shoë në vitet '80-'90, dhe më vonë televizionet kabllore, kishin krijuar një sistem të tillë paralel shumë vite para daljes së termave si “media sociale” apo "podcast". 

Problemi i sotëm i konservatizmit s'është, pra, mungesa e traditës, por më tepër paaftësia për ta rinovuar atë për brezat e rinj. Këta të fundit përdorin, siç thamë, formatet dixhitale si kanale kryesore të informacionit, në të cilat e majta ka tërhequr talente e ka investuar më shumë burime krijuese, sidomos në dekadën e fundit. Ky sukses i dukshëm i së majtës në ekosistemin e ri dëshmon më tepër për mangësi krijuese e komunikuese në krahun e kundërt, se sa për ndonjë epërsi konceptuale të vetë ideve socialiste

4. Gabimet e krahut të djathtë: fjalori i vjetëruar i Luftës së Ftohtë

Nuk mund të mos vërehet ndërkaq se një pjesë e konsiderueshme e krahut të djathtë i është përgjigjur rigjallërimit socialist me argumente të dobëta e të vjetëruara, të cilat kanë ndihmuar në rritjen e ndikimit të pikërisht asaj çfarë synohej të dobësohej. E meta kryesore është përdorimi automatik i fjalorit të Luftës së Ftohtë, d.m.th. i po asaj strategjie retorike që funksionoi me sukses në kohën e presidencës Reagan në vitet ‘80: evokimi i tmerreve të Bashkimit Sovjetik, Gulagëve dhe diktaturave staliniste të shekullit të kaluar.  Platforma konservatore si Fox News, Daily Wire, Breitbart apo PragerU paralajmërojnë vazhdimisht se propozimet e DSA apo të Bernie Sanders janë hapi i parë drejt një rrugëtimi që përfundon pashmangshmërisht në totalitarizëm të tipit sovjetik apo venezuelian.

Kjo kritikë nuk rezulton aspak efektive sepse bazohet në një analogji historike jo vetëm të pavërtetë, por edhe pa asnjë kuptim në kontekstin e sotëm të SHBA: në supozimin se një diktaturë socialisto-komuniste mund të vendoset në Shtetet e Bashkuara e në vende të tjera perëndimore në mënyrë graduale. Prandaj çdo propozim që përfshin ndërhyrje shtetërore në ekonomi apo zgjerim të aspekteve sociale, si sigurimi shëndetësor universal, leja e paguar e lindjes, dhe forcimi i ligjeve e rregulloreve financiare, përbën një hap drejt "komunizmit" apo "diktaturës staliniste". Ky lloj retorike u përdor edhe kundër reformës së kujdesit shëndetësor në kohën e administratës Obama më 2010, edhe pse ajo reformë bazohej tek një model i mbështetur mbi tregun e sigurimeve private. Elemente kryesorë të saj ishin huazuar nga propozimet konservatore të dekadës së mëparshme, e megjithatë ajo u pagëzua nga rrethe të gjera të krahut të djathtë si "socializëm" në kuptimin ideologjik më strikt të këtij termi, duke e zhveshur atë sakaq nga çdo kuptim i saktë dhe politikisht i dobishëm.

Përdorimi i këtij fjalori tregon shkëputjen e thellë të diskursit konservator nga realiteti i gjallë i jetës së përditshme akademike dhe sociale amerikane. Kur kritikët e lartpërmendur u thonë studentëve njujorkezë se marrja përsipër nga shteti e shpenzimeve të arsimit të lartë dhe e borxheve studentore, ose hapja e magazinave ushqimore bashkiake, janë hapa fillestarë në rrugën drejt kampeve staliniste Gulag, audienca doemos e injoron dhe e vë në lojë si propagandë histerike. Për brezin e ri që s’e ka jetuar Luftën e Ftohtë, këto evokime duken krejt anakronike: kur po ata studentë shikojnë prindërit e tyre të paguajnë shuma absurde për një qëndrim të zakonshëm në spital dhe dëgjojnë se në Suedi apo Gjermani ky shërbim mbulohet nga taksat, ata mendojnë Berlinin e Stokholmin, jo Siberinë. Me fjalë të tjera, lidhja mes një kërkese (p.sh. leje lindjeje) dhe akuzës që rrjedh prej saj (totalitarizëm stalinist) rezulton qartazi si e çekuilibruar deri në absurditet.

Në mënyrë të ngjashme, një fermer i ri në Ohio mund të kërkojë ndihmë nga shteti, sepse ka humbur tokën si pasojë e tarifave të larta nga lufta tregtare, ose ngaqë monopolet e mëdha të agro-biznesit e kanë nxjerrë jashtë tregut. Nësë komentuesit e djathtë paralajmërojnë se kjo është rruga që çoi në shfarosjen e kulakëve në BRSS dhe në urinë masive të viteve ‘30, fermeri do të ngrejë supet: ai s’po dëshiron të krijojë ferma kolektive apo kolkoze, ai veç kërkon që korporata gjigande e plehrave kimike të mos e falimentojë me çmime monopol. Përveç këtyre, analogjia e “rrëshqitjes graduale drejt socializmit” rezulton e pavërtetë edhe nga dy elemente të tjerë, lehtësisht të verifikueshëm. 

Së pari, ajo anashkalon faktin se të gjitha demokracitë e tjera të zhvilluara perëndimore si Kanadaja, vendet e Bashkimit Europian, Australia, etj, kanë prej shumë dekadash sigurim shëndetësor universal dhe shkallë më të lartë ndërhyrjeje të shtetit se sa SHBA, por asnjëra s’ka kaluar në diktaturë komuniste. Ideja se rritja e ndërhyrjes së shtetit apo zhvillimi i aspekteve sociale çon automatikisht drejt një regjimi totalitar mbetet kësisoj pa bazë reale.

Së dyti, dhe kjo është pika më e fortë historike: asnjë regjim komunist në botë s'është vendosur në mënyrë graduale, përmes reformash të njëpasnjëshme brenda një sistemi demokratik parlamentar. Regjimet e tipit stalinist e maoist u vendosën me grushte shteti, luftëra civile e revolucione, apo me pushtime e imponime nga jashtë (si Europa Lindore pas Luftës së Dytë). S'ekziston pra asnjë shembull historik i shndërrimit gradual të një demokracie liberale pluraliste në një diktaturë komuniste përmes votimesh të rregullta dhe rritjes së rolit të shtetit.

Përdorimi i kësaj analogjie false ka pasoja të dëmshme edhe për vetë qendrën e djathtë, sepse e bën kritikën të duket paranojake dhe e shkëputur nga realiteti në sytë e audiencës rinore. Në këtë mënyrë, dhe si për ironi, besueshmëria e argumenteve konservatore bie edhe në rastet kur paraqiten kritika krejt legjitime, sepse audienca mësohet ta shpërfillë çdo paralajmërim si "muhabet të vjetër". Dhe më në fund, ekziston edhe prirja tjetër e dëmshme për ta trajtuar çdo propozim socialdemokrat si të njëjtë me shtetëzimin e plotë, pa veçuar mes tre kategorive konceptualisht të ndryshme në gjirin e së majtës: socialdemokracisë së tipit europian (treg i lirë, aspekte sociale të zhvilluara e të financuara prej taksave masive), socializmit demokratik të tipit Sanders (që shton edhe pronësinë publike në disa sektorë strategjikë si energjia e bankat, por gjithmonë brenda kuadrit elektoral demokratik), dhe socializmit revolucionar marksist-leninist (me shtetëzim të plotë, ekonomi të planifikuar, dhe sistem politik me parti të vetme).

Në të njëjtin kuadër, edhe në krahasimet mes vendeve të zhvilluara të OCDE duhen analizuar politikat specifike të zbatuara në secilin prej tyre, e jo të kundërvihet në mënyrë absurde një treg i lirë absolut, i tipit të përshkruar nga Ayn Rand(15), që s’ka ekzistuar kurrë, me socializmin kriminal të tipit lindor. Mungesa e precizionit në këto çështje e dobëson padyshim kritikën, sepse ua lehtëson kundërshtarëve hedhjen poshtë si karikaturë keqdashëse, dhe e privon konservatizmin tradicional nga mundësia për të bërë një dallim me rëndësi: atë mes propozimeve që meritojnë kundërshtim të vendosur parimor, dhe atyre që kërkojnë diskutim teknik rreth kostove e burimeve të financimit

5. Modelet nordike: kapitalizëm me aspekt të zhvilluar social

Në debatin publik amerikan vendet nordike (Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Islanda) përmenden shpesh nga krahu progresist si dëshmi suksesi të "socializmit". Këtu duhet sqaruar, para së gjithash, se programi real i socialistëve amerikanë të DSA shkon shumë përtej modelit nordik: ndonëse përdorin ato vende si fasadë për të tërhequr votuesit e moderuar, objektivat e shpalluara në dokumentet zyrtare te DSA janë qartazi më radikale. Atje deklarohet hapur refuzimi i një “rendi ekonomik të bazuar në fitimin privat”, përkrahja për “pronësinë publike mbi korporatat më të mëdha dhe degët kyçë të industrisë”, dhe më në fund “zëvendësimi i kapitalizmit"(16). Duket pra nuk synohet për socialdemokraci nordike, por për shembjen e shtyllave kryesore te sistemit, si prona private dhe tregu i lirë. Ndërkaq DSA refuzon me vendosmëri të tregojë se në çfarë shembulli historik bazohet ky objektiv, duke u mjaftuar vetëm në disa aspekte të veçanta të modelit nordik, të programit New Deal të viteve ‘30 në Shtetet e Bashkuara, apo në shembuj ndërmarrjesh kooperative në Itali e Spanjë. Kjo dëshmon se synimi në fjalë është po aq ahistorik sa edhe frika e së djathtës nga “rrëshqitja drejt socializmit” që përshkruam më lart.

Nga ana tjetër, duhet mbajtur parasysh edhe një element bazë që konservatizmi tradicional duhet ta shpjegojë me kompetencë e saktësi, jo thjesht me refuzim: vendet nordike s'janë sisteme socialiste në kuptimin klasik, me pronësi shtetërore mbi mjetet e prodhimit e me ekonomi të planifikuar. Ato janë përkundrazi ekonomi tregu me pronësi private, me tregje të hapura e me korporata të suksesshme shumëkombëshe, të kombinuara me aspekte mjaft të zhvilluara të sigurimeve e të kujdesit social, gjë që theksohet vazhdimisht nga vetë liderët nordikë(17). Ky shpjegim ka rëndësi të dyfishtë. Nga njëra anë ai zhvlerëson pretendimet për modelin në fjalë si dëshmi të "suksesit të socializmit", sepse ajo çfarë funksionon në ato vende është, në thelb, një sistem socialdemokrat në kuadër të ekonomisë kapitaliste. Nga ana tjetër, bie edhe argumenti e disa qarqeve brenda konservatizmit që i hedhin poshtë modelet nordike si të dështuara apo të pazbatueshme: shkalla e tyre e zhvillimit, me nivelet e larta të mirëqenies e të lirisë ekonomike i vendosin ato vazhdimisht në krye të indekseve ndërkombëtare.

Duhet theksuar këtu edhe fakti që modeli social nordik s'lindi si projekt qëndror i planifikuar nga lart, por nga një traditë e gjatë e negociatave kolektive mes sindikatave të fuqishme dhe shoqatave të punëdhënësve, mbështetur mbi kulturën protestante të punës së përkushtuar, kursimit, dhe përgjegjësisë personale. Ky element shpesh injorohet nga vëzhguesit amerikanë të krahut të majtë, të cilët e imagjinojnë modelin nordik kryesisht si rezultat të inisiativës shtetërore. Sistemi i njohur si "flexicurity"(18) në Danimarkë, për shembull, u lejon punëdhënësve liri thuajse të plotë për të pushuar nga puna punonjësit, por duke u siguruar atyre mbështetje të fortë sociale dhe rikualifikim profesional. Kemi pra bashkërendim që synon edhe fleksibilitetin e tregut të punës, edhe sigurinë e individit, dhe jo vetëm mbrojtjen e punësimit, siç ndodh në shtete të tjera europiane.

Modelet nordike janë shumë më të nuancuara se sa kundërvënia e thjeshtë kapitalizëm-socializëm: sistemet e zhvilluara sociale mund të bashkëjetojnë për bukuri me një treg dinamik, por ekuilibri varet fort nga kushtet specifike të çdo vendi. Nordikët kanë popullsi relativisht të vogla e homogjene, me nivele të larta besimi në shkallë shoqërie, dhe me tatime e taksa që përballohen gjerësisht nga klasa e mesme, e jo vetëm nga të pasurit, një tipar tjetër që anashkalohet nga mbështetësit amerikanë të "socializmit nordik". Transferimi i drejtpërdrejtë i modelit nordik në kontekstin amerikan s'është pra aq i thjeshtë sa sugjerohet (nga madhësia e vendit dhe e popullsisë, nga diversiteti, struktura e ndryshme institucionale, etj), pavarësisht se disa elemente specifike mund të jenë të përshtatshme. Por sigurisht ajo që duhet shmangur në këtë debat është demonizimi prej disa qarqeve të djathta i çdo mase të rritjes së rolit të shtetit në ekonomi, pra i çdo afrimi me modelin nordik, sepse një demonizim i tillë, siç sapo e shpjeguam, është i panevojshëm dhe me efekte krejt të kundërta.

6. Sfida për qendrën e djathtë: drejt një kritike të bazuar

Duke pasur parasysh sa me sipër, cila është sfida reale për konservatizmin e shëndoshë tradicional, nëse dëshiron t'i kundërvihet me sukses e me sinqeritet intelektual ringjalljes së ideve socialiste? 

  • Së pari, duhet braktisur përfundimisht analogjia automatike dhe tashmë e vjetëruar,  me fjalor të Luftës së Ftohtë, si përgjigje ndaj çdo propozimi socialdemokrat. Në vend të saj duhet zhvilluar një kritikë e diferencuar, që dallon qartë mes formave të ndryshme të socializmit dhe angazhohet seriozisht me versionin specifik që debatohet konkretisht, pa i trajtuar të gjitha njësoj.
  • Së dyti, duhen pranuar kritikat rreth arsyeve materiale që ushqejnë simpatinë për socializmin, si kostot e larta të kujdesit shëndetësor, borxhet studentore, problemet akute të strehimit, apo korrupsioni korporatist-klientelist që përshkruam. Këto probleme jane të vërteta e serioze, dhe e djathta duhet t’i trajtojë si të tilla. Në rast të kundërt, të gjitha zgjidhjet e mundshme lihen në duart e së majtës, e ashtu kjo mbetet e vetmja alternative e besueshme për votuesit që ndeshen rregullisht me ato probleme. Kjo nënkupton edhe angazhim konkret në terrenin e politikave publike që s’janë doemos të djathta apo të majta si reformat territoriale për të nxitur ndërtimin e më shumë banesave e për të ulur çmimet nëpërmjet ofertës, rritja e transparencës lidhur me koston në kujdesin shëndetësor, apo transferimi i përfitimeve (portable benefits) për punonjësit e gig economy që u lejojnë të mbajnë përfitimet edhe kur ndryshojnë punëdhënësin.
  • Së treti, qendra e djathtë duhet të rikthehet në traditën e saj historike të skepticizmit ndaj ndërthurjes së biznesit të madh me pushtetin shtetëror, një traditë e nisur nga vetë Adam Smith e deri te disa rryma të konservatizmit amerikan të shekullit XX, duke zhvilluar një kritikë koherente ndaj kapitalizmit korporatist-klientelist. Ajo do t’i drejtohej kësisoj të njëjtit elektorat, pra të zhgënjyerve nga sistemi, duke ofruar një diagnozë alternative, atë të dështimit të kapitalizmit të vërtetë të tregut të lirë për shkak të ndërhyrjeve korporatiste.

Kjo do të ishte mjaft domethënëse për publikun, krahasuar me mbrojtjen e status quo-së ekonomike, e cila perceptohet me të drejtë si e favorshme ndaj interesave të korporatave. Kritika ndaj korporatizmit dhe qasja më agresive ndaj zbatimit të ligjeve kundër monopoleve, do të duhej të konkretizoheshin pastaj edhe në ndërtimin e një ekosistemi efektiv mediatik, në vend të mbështetjes tek formatet e vjetra apo tek ankimet ndaj mediave të majta.

Së fundi, dhe ndoshta më e vështira, është zhvillimi i një përgjigjeje serioze ndaj kritikave lidhur me rolin e individit në sistemin ekonomik, pra shqetësimit se ky i fundit i trajton qeniet njerëzore kryesisht si njësi prodhimi e konsumi, duke injoruar pasojat mbi familjen e mbi shëndetin mendor. Ky aspekt s'mund të jetë kurrsesi ekskluziv për të majtën socialiste: ai ofron bazë të shëndoshë për një kritikë konservatore origjinale, të bazuar tek vlerat familjare e komunitare.

S’është fjala pra për të kërkuar zgjidhje socialiste, por nga ana tjetër është krejt e pamjaftueshme edhe mbrojtja pasive e tregut, siç konceptohet sot në rrethe të gjera të së djathtës. Një sërë politikash familjare mund të promovohen fare mirë, si p.sh. ulja e konsiderueshme e taksave sipas numrit të fëmijëve, mbështetja financiare për prindët që dëshirojne të qëndrojnë në shtëpi, apo kontrolli ligjor i platformave dixhitale për të mbrojtur shëndetin mendor të të rinjve, etj.

Politika të tilla mund të bëhen kështu një terren ku qendra e djathtë ofron zgjidhje të posaçme, të bazuara tek vlerat e saj, në vend që t'i lërë ato në duart e së majtës. 

Përfundim

Ringjallja e ideve socialiste në Shtetet e Bashkuara është një dukuri komplekse, me përbërës teorikë, materialë, kulturorë e psikologjikë, që s'mund të reduktohet tek reagimi ndaj një figure politike të vetme si Donald Trump, sado e jashtëzakonshme e imponuese qoftë ajo. Për rrjedhojë, sfida reale për konservatizmin tradicional s'është vetëm fitorja retorike, duke përsëritur analogji të konsumuara që bien sot në vesh të shurdhër, por të zhvillojë një kritikë të bazuar, të diferencuar, dhe intelektualisht të ndershme e të sinqertë. Një kritikë, pra, që i merr seriozisht shqetësimet reale materiale, që është e aftë të dallojë format e ndryshme të socializmit e majtizmit, dhe që ofron alternativa konkrete e jo vetëm refuzim.  Nga zgjidhja e kësaj dileme varet, si edhe në momente të kaluara të historisë amerikane, jo vetëm rezultati elektoral i njërit krah, por edhe shëndeti afatgjatë i vetë procesit demokratik. Sepse një qendër e djathtë, e aftë të argumentojë me bindje e jo me frikësim, mbetet ende, siç ka qenë prej kohësh,  garancia më e mirë kundër ndikimeve e dalldive totalitare të çdo ane të spektrit politik.

=======

(1) përshkrimi me hollësi i të gjitha këtyre nga Engels në “Gjendja e klasës punëtore në Angli” më1844, ishte bazë e frymëzim konkret për Manifestin vetëm katër vjet më vonë, dhe revolucionet e vitit 1848.

(2) https://www.panorama.com.al/mbi-origjinen-e-levizjes-se-sotme-majtiste-n...

(3) filozof dhe mendimtar kritik francez (1926-1984), i njohur për studimet mbi marrëdheniet e pushtetit, institucionet sociale dhe mënyrat e komunikimit publik.

(4) filozofe amerikane (1956), me kontribute sidomos në fushën e studimeve gjinore.

(5) profesore dhe aktiviste amerikane (1959) e njohur për studimet rreth teorisë kritike të racës.

(6) nga anglishtja diversity, equity, inclusion.

(7) politikan, filozof dhe orator i shquar anglo-irlandez (1729-1797), i cili formuloi në mënyrë sistematike parimet bazë të konservatizmit modern.

(8) kështu ka ndodhur edhe me peronizmin argjentinas apo lëvizje të tjera populiste karizmatike të Amerikës Latine, që s'janë zhdukur nga dalja e platformave programatike të kundërta, por vetëm kur kanë humbur burimin e tyre afektiv.

(9) si p.sh. Brink Lindsey dhe Steven Teles në librin e tyre të vitit 2017 mbi "ekonominë e kapur" (The Captured Economy).

(10) SHBA janë i vetmi vend i OCDE pa një garanci të tillë.

(11) ky term nënkupton një sektor të tregut të punës të karakterizuar nga punësime të shkurtra e pa kontroll të drejtpërdrejtë, ku të punësuarit trajtohen si kontraktorë të pavarur dhe ku i vetmi detyrim i punëdhënësit është pagesa. Shembuj jane çuarja e porosive për ushqime e artikuj të përditshem tek adresa e porositësit, shërbime si Uber apo të tjera të ofruara online.

(12) sociolog e politolog amerikan(1941) i njohur sidomos për studimin e tij Boëling alone (Të luash vetëm), 2020.

(13) institut studimor në Washington DC.

(14) analogjia e strategjisë gramsciane me “marshimin e madh” të Ushtrisë së Kuqe gjatë Luftës Civile Kineze të viteve ‘30 u përdor për herë të parë nga revolucionari gjermanoperëndimor Rudi Dutschke (1940-1979).

(15) filozofe dhe shkrimtare ruso-amerikane (1905-1982), përkrahëse e një sistemi ekonomik me liri absolute të tregut, pa asnjë kontroll nga ana e shtetit.

(16) sipas programit të DSA, korrik 2026, në https://program.dsausa.org/

(17) kështu kryeministri danez Rasmussen u ndje i detyruar ta sqaronte atë ngatërresë gjatë një seminari në Harvard University më 2015 duke thënë se “një numër amerikanësh e lidhin modelin nordik me një lloj socializmi… Danimarka është shumë larg nga një ekonomi e planifikuar socialiste… ajo ëhtë ekonomi tregu e suksesshme… modeli nordik u ofron qytetarëve siguri të lartë, por edhe me liri në shkallë të gjerë … për të jetuar jetën sipas dëshirës…”

(18) nga kombinimi i fjalëve “flexibility” (për punëdhënësin) dhe “security” (për të punësuarin).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.