Zëri i trashë i Lali Erit

Postuar në 11 Shkurt, 2019 15:05

Erjon Veliaj është i pakorrigjueshëm. Në mënyrën sesi flet, reagon dhe shikon nga kamera. Në fytyrë ka të stamposur patologjinë e mashtrimit dhe gënjeshtrës, ndërkohë që i duhet të punojë parreshtur për të bërë djalin e mirë. Mirëpo autolegjendimi nuk funksionon, sepse gabimet dhe gafat e këtij zotëri, e sidomos irritimi natyral që provokon kimia e zërit të tij, kotësia e vet politike, gënjeshtra si institucion shpirtëror, janë kaq flagrante, saqë e bëjnë të duket qepur trashë çdo përkëdheli me popullin dhe shoqërinë.

Sot z. Veliaj ka vendosur të trashë pak zërin, të flasë në emër të qytetarëve dhe të ardhmes. Është një sëmundje që e kanë të përbashkët të vilanosurit e Partisë Socialiste që njësoj si gjyshërit që këndonin për Shqipërië e re, vazhdojnë të trashin kuletën me pronën e tjetrit duke predikuar po njësoj të ardhmen.

Ngatërresa qesharake ku z. Veliaj është përfshirë për çështjen e terminalit të autobuzëve ka sjellë përplasje me një biznesmen nga Kosova - Ramiz Kelmendi - që sot ka publikuar një letër të hapur përmes së cilës kundërshton shtetëzimin e pronës së tij. Zoti Veliaj ka zgjedhur këtë reagim:

Kemi kërkuar nga Ministria e Transporteve që të përshijmë në terminal edhe Stacionin e Trenit, duke qenë se edhe treni do të rikthehet në Tiranë me një stacion kryesor, tek terminali i autobusëve tek Kthesa e Kamzës, dhe pastaj me një stacion qytetas. Për të gjithë ata privatë që një tokë shteti, siç ishte zona e Kthesës së Kamzës në librat e Bashkisë së Tiranës, e kanë tjetërsuar me lloj-lloj marifetesh për të ndërtuar qendra tregtare, dua t’iu them sot publikisht se nuk më intereson sa deputet i pushtetshëm apo milioner i madh mund të jesh, interesi publik është mbi interesin privat. Në zonën e Kthesës së Kamzës, pavarësisht çudirave, poshtërsive dhe falsifikimeve që janë bërë me tokat, do të ndërtohet terminali i autobusëve të Tiranës, dhe stacioni i trenit i qytetit të Tiranës. Duke thënë këtë, dua t’i garantoj edhe deputetët, edhe milionerët, kush ka letra prone, sigurisht do të shpronësohet sipas ligjeve që ka Republika e Shqipërisë dhe vendimeve të Bashkisë së Tiranës. Tirana nuk ka më kohë për të humbur, Tirana nuk mund të shantazhohet, dhe Tirana do të respektojë çdo pronësi kundrejt pagesës. Tirana nuk mund të rrijë pa terminal autobusësh e pa stacion treni, teksa hyn në 100-vjetorin e dytë të saj

Ç’djalë që ka bërë nëna! Vetëm se kthejmë kokën pas e na kujtohet se i vetmi individ që u ka kushtuar një përshkrim gishtërinjve të Ilir Metës, është po ky kodosh kryetar bashkie që sot ha dreka e darka me pronarin e atyre gishtave që tashmë firmosin dekrete. Zoti Veliaj mund të ketë megjithë mend të drejtë në këtë çështje  - edhe pse siç publikuam dje një material ai duket se nuk e ka mbajtur fjalën për terminalin – por shpronësimet për interes publik janë nëj temë delikate përderisa në këtë sistem që jetojmë ato kalojnë për trajtim edhe në gjykatë. Dhe aty pagesën e bëjmë të gjithë. Kryebashkiaku nuk është zgjedhur aty që të trashë zërin e të ndajë qytetarët në të mirë dhe të këqinj, as edhe të përcaktojë se kush pronë është legale apo kush jo. Kryebashkiaku nuk është përmbarues i ndonjë organizate apo klike që vepron me pushtet të pakufizuar. Ai është i zgjedhur – edhe me votat e gishtëtrashit – që të sillet mirë, konform ligjit dhe jo duke i lejuar vetes tagrin të përcaktojë se kush interesa kanë kuptim e kush jo. Dhe ky njeri i ardhur nga rruga e fikut ndoshta duhet ta kuptonte se interesa janë edhe ato të shitësit ambulant, njësoj si ato të kompanive të ndërtimit.

Interes i pastër publik është fakti pse ne shkruajmë kundër këtij zotërie, i cili njësoj si ustai në qeveri te kritikat sheh qëllimisht gjoba, kurse te faktet e dokumentuara që e vënë me shpatulla për muri konsideron shpifje. Zoti Veliaj është i vetmi zyrtar socialist i këtyre pesë vjetëve që ka dy viktima në ndërgjegje për të cilat referon prokurorinë kur e pyesin, ndërkohë që kërcënon gjykatësit kur vendimet nuk i konvenojnë. Pisi i Bashkisë së Tiranës nuk mund t’i lejojë më vetes të bëjë moral sepse është shndërruar me ato që ka bërë në dordolec shkretëtire: rri aty duke kujtuar se tremb njeri, pa kuptuar se në shkretëtirë as qaset njeri. Për shkak të tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.