Bashkia e Tiranës kërkon ndërhyrjen e Akademisë së Shkencave për ruajtjen e gjelbërimit

Postuar në 04 Gusht, 2017 11:00

Bashkia e Tiranës me propozim të kryetarit të saj, Erjon Veliaj, i është drejtuar me një letër Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përmes së cilës i kërkon me kortezi formale që të lejohet një përfaqësues i saj, pra Bashkisë, në institucionet përkatëse që merren me gjuhën shqipe. Asgjë nuk konfirmohet zyrtarisht, por nga burime pranë Akademisë, bëhet e ditur, se kërkesa buron nga shqetësimi I Bashkisë për nevojën e heqjes nga qarkullimi të disa shprehjeve që nuk i përgjigjen më realitetit estetik dhe urban të Tiranës, por në një farë mënyre rrezikojnë edhe investimet e bëra deri më sot. 

P.sh, është fakt i njohur publikisht se hapësira e gjelbër në Tiranë është shtuar shumë falë vizionit të kryebashkiakut. Për këtë arsye, gjykohet e pavend dhe madje kërcënuese, që fjala e përdorur shpesh “prit gomar të mbijë bar”, të vijojë të konsiderohet legale dhe madje gjerësisht e letrarizuar.

Ne duhet të solidarizohemi të gjithë me ruajtjen e barit, të cilit në të gjitha regjimet duket se i jemi vënë që ta asgjësojmë me çdo kusht”, shprehet Bashkia.

Bashkia përmend në letër edhe maninë e periudhës së fundit të regjimit të Enver Hoxhës, që nuk gjente dot viktimë tjetër për dështimin e vet, përveç barit që gjelbëronte qytetet. “Edhe bar do të hamë…”, ja thënia që përcaktoi mentalitetin  e mëpasshëm që solli shkatërrim dhe kioskëzimin.

Shqiptarët për shkak të politikës harruan edhe mësimet e vyera të Pitkinit, që në filmin “Fshirësi i dritareve” e ka shqetësim kryesor ruajtjen e barit”, thuhet në letër.

Ndonëse nuk thuhet hapur, ndihma që i kërkohet Akademisë së Shkencave lidhet me disa të dhëna për mbarështimin masiv të gomerëve nga Xhelal Mziu në Kamëz, çka shihet nga Veliaj si një përpjekje për të dëmtuar Tiranën vegjetative. Dy botë, dy qytetërime, dy kultura. Është një situatë që patjetër kërkon trajtim akademik, edhe pse duhet thënë se Akademia e Shkencave është shumë e zënë me punë. Po kështu bëhet e ditur se një propozim që të shmanget ngrënia e barit, është krijimi i parcelave me bar sintetik, ku gomerët apo të apasionuarit e shumtë, mund të mjaftohen duke lëpirë barin sintetik. Kjo është nisma e dytë me vlerë historike për kryeqytetin pas asaj për ndalimin e urinimit në mjedise publike, për të cilën mjerisht nuk ka të dhëna. Thuhet se për të rrumbullakosur trajtimin e saj, do të vendoset një taksë simbolike, por po shqyrtohet kuadri ligjor përkatës pasi taksa vendos diskriminim gjinor në këtë drejtim.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.