Avokatja e Shtetit e bindur se ka shpëtuar Shqipërinë me qëndrimin e mbajtur në marrëveshjen me CEZ

Postuar në 15 Tetor, 2015 13:33

Një ditë pas kallëzimit penal nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim detyre në përgatitjen e marrëveshjes së mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe CEZ ka reaguar edhe avokatja e shtetit Alma Hicka, e cila është një nga dy personat e akuzuar. Hicka po ashtu si ministri Gjiknuri flet për sulm politik, duke e mbështetur reagimin e saj në insinuata që vijnë prej Sali Berishës, por pa argumentuar ligjërisht ku çalon kallëzimi i KLSH.

"Nuk ia vlen asnjë fjalë për kompetencën e këtij të ashtuquajturi auditim me pasojë një të ashtuquajtur kallëzim. Sepse ca gjoja hetues që vinin vërdallë nëpër zyrat tona sa herë nuk kuptonin shënimet që kishin marrë me vete për të mbështetur porosinë, me ngjallin vetëm keqardhje. Por duhet të them dy fjalë për thelbin e kësaj historie politike që ka prodhuar aktin e ulët të këtij procesi auditimi pa asnjë kompetencë profesionale e referencë ligjore. Ju siguroj se çdo njeri me pak mend dhe dy pare zanat nuk do mund të shpjegonte se si janë zgjedhur individët e kallëzuar, përfshirë edhe mua personalisht, kur grupi i punës për negociata përbëhej nga rreth 15 persona. Akuzat për mua në fakt kanë filluar një vit më parë në sallën e Kuvendit, ku në vazhdën e turpshme të fjalimeve me libër shtëpie për kundërshtarët realë apo imagjinarë, u përmend edhe bashkëshorti im. Për shkakun tim natyrisht, bashkëshorti im quhet ndryshe nga bashkëshorti që caktoi për mua prodhuesi i mirënjohur i akuzave, shpifjeve e sharjeve në Kuvend. Akuzat pastaj u përshkallëzuan në përgojimin tim lidhur me përfshirjen e studios Clifford Chance në çështjen DIA, ndërkohë që është tërësisht e qartë dhe publike që çështja DIA nuk u ndoq asnjëherë në arbitrazh nga Avokatura e Shtetit"- theksohet në reagimin e avokates së shtetit.

Hicka është e bindur se profesionalizmi i saj dhe grupit negociator me nënshkrimin e maraveshjes së mirëkuptimit shpëtuan Shqipërinë. "Si profesioniste mund të them me siguri se çështja CEZ e ka gjenezën tek mënyra e privatizimit, tek marrëdhëniet klienteliste me investitorin gjatë qëndrimit të tij këtu dhe tek ekseset e paligjshme të epilogut të një marrëdhënieje të sëmurë Shtet - CEZ. Këto janë shkaqet që prodhuan përfundimisht dështimin e privatizimit. Së fundi, për sa më takon, jam krenare që kam kontribuar në një operacion shpëtimi për shtetin tim dhe të fëmijëve të mi, falë të cilit Shqipëria i shpëtoi një dëmi financiar marramendës dhe sektori i energjisë u çlirua nga një tumor që rrezikonte t’i merrte jetën"-e mbyll reagimin e saj zonja Hicka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.