Kur nuk ke çfarë të humbësh, ke edhe sedër: “Jam zgjedhur nga shqiptarët, jo ndërkombëtarët”

Postuar në 17 Shtator, 2015 14:17

Elvis Roshi nuk ikën nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Edhe nëse zotëria në fjalë ka patur ndërmend diçka të tillë, është kryeministri ai që mendon ndryshe. Kryeministër që po luan në politikë me presion kundër presionit. Ja se çfarë tha sot në Parlament i zgjedhuri i popullit shqiptar: “Se po e dëgjoj shpesh këtë punën e ndërkombëtarëve. Mua s’më kanë zgjedhur ndërkombëtarët kryeministër, më kanë zgjedhur shqiptarët. Ndaj dhe ato që bëj, i bëj për shqiptarët, jo për ndërkombëtarët. Edhe dekriminalizimin nuk e bëjmë për ndërkombëtarët. Jeni bërë si shtëpia e diplomatëve dhe spekuloni me ambasadorin amerikan. Me juve nuk ia vlen të harxhosh frymën. Ju keni marrë edhe para dy muajsh, të njëjtat shpulla që morët para dy vitesh. Jeni katandis 30 dele me një çoban të lodhur, që s’e tërheq dot kopenë pas. Më përmendni pse dal në Foto me kryetarin e Bashkisë së Kavajës. Atë e kanë zgjedhur qytetarët e Kavajës dhe do dal në foto, sepse as për të dhe as për kryetarin e Bashkisë së Krujës, nuk ka asnjë vendim gjykate që janë dënuar për ndonjë vepër kriminale. Nëse keni ndonjë vendim të tillë, ma tregoni dhe atëherë ata do të largohen”. Pabesia nuk është më lajm te ky kryeministër. Por nëse nuk na gënjen memoria, ardhja e tij në pushtet u parapri nga një sërë vizitash jashtë. E dimë se këto vizita janë prezantimi dhe garancia për ata që i quajnë partnerë e që ky kryeministër është ndër ata që shqiptarëve ua ka prezantuar si kumbarë të politikës. I kujtojmë shpesh kohët e opozitarizmit të tij. Po kështu, pak ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, zotëria në fjalë, ishte për viItë në Ankara, tek Erdogan. Nuk dihet që kjo të ketë qenë vizitë private dhe vota e Shqipërisë për Palestinën së fundmi, e zbulon më së miri këtë. Të sjellim këtu në vëmendje, se pak muaj pas zgjedhjeve të 2013-ës, Sali Berisha, ish-Kryeministër shkruante se Edi Rama kishte premtuar në Ankara pikërisht qëndrimin për çështjen e Palestinës. Sot jemi dy vjet më pas: Shqipëria është në krizë, ka një parlament të mbushur me njerëz me të shkuar kriminale, BE-ja e ka dhënë tanimë verdiktin: kësaj radhe nuk ka gjë për negociatat. Ky dështim ndoshta i lejon kryeministrit të trashë zërin e të bëjë të zgjedhurin e shqiptarëve, që u ka dhuruar një Rilindje me njerëz që kanë dosje problematike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.