Deja vu me demokracinë rrugaçe të PS-së

Postuar në 10 Dhjetor, 2020 00:16

Vrasja e një qytetari nga një pjesëtar i policisë, në kushte dhe rrethana ende të panjohura, duket se ka provokuar një protestë të ndezur që ka zgjatur me orë mbrëmjen e djeshme. Qytetarët e pranishëm në protestë kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, drejtorit të Policisë si dhe kanë bërë thirrjet “Rama ik”. 

Ky është repertori i opozitës së Lulzim Bashës dhe nuk ngjan si një intonacion dhe aq popullor, pasi protestat spontane nuk koagulojnë kaq shpejt opozitarizmin e devizave të lodhura tanimë. Sigurisht që ka arsye për të protestuar, por puna është interesi publik, ai reali, nuk ka shumë lidhje me largimin e Sandër Lleshajt e të tjerëve, por me dhënien e drejtësisë. Pra hetim, gjykim, vendim. Kështu edhe qytetari i vrarë merr drejtësinë, punonjësi i policisë të vetën dhe opinioni vihet përballë një shembulli të zbatimit të ligjit. Kjo është edhe një shprehje e demokracisë.

Të kërkosh largimin e Lleshajt, përpara se të kërkosh drejtësi në këtë rast, kompromenton protestën si akt qytetar. Protesta do të kishte kuptim si e tillë, kur drejtësia do të pengohej, por ne ende nuk e dimë këtë gjë. Ka shumë njerëz që duan të protestojnë, ka shumë të tjerë që urrejnë qeverinë, që neverisin këtë parlament dhe këtë shumicë. Dhe me të drejtë. Ndoshta kjo neveritje shpëton edhe opozitën e Lulzim Bashës dhe Ilir Metës nga pështirosja që krijojnë me marifetet e tyre në 8 vjet, gjobave dhe qokave, pazareve dhe komisioneve. Por për momentin.

Kush ka sy të shohë dhe kokë të dëgjojë veten, duhet ta ketë kuptuar se protesta po kërkon një kurban për zgjedhjet, një goditje për avantazh dhe asgjë më shumë. 

Edi Rama e vrau! Kjo është thirrja e dëshpërimit që synon të imitojë në forma të tjera atë brohorimën “Para partizanë” sepse ky është fisheku i fundit.

Edi Rama nuk vret dhe ky është problemi për një segment të opozitës. Ai as nuk do të përplaset dhe kjo dihet. Siç dihet fare mirë, sidomos nga opozita, se Edi Rama është njeri i Pazarit. 

Ne e kemi parë edhe më parë këtë ritual të asaj që nuk quhet më as demokraci direkte, e rrugës, por një demokraci rrugaçe. E cila shpërdoron mjetin e protestës për të kanalizuar synime politike që as kanë të bëjnë fare me drejtësinë. Kemi parë marshime funebre në bulevard për Gërdecin, videon Meta-Prifti, por drejtësia nuk u pa kurrë. Mos të shpresojë kush se ky teatër reagimi i djeshëm – pa paragjykuar të drejtën e gjithkujt për të protestuar – do të sjellë ndonjë gjë të mirë. Zhurmë, atë zhurmë që u duhet disave për të rregulluar punët e veta. Asgjë më shumë. 

s.zaimi

Comments

Submitted by t (not verified) on

Kur ke akumuluar te gjithe pushtetin ne doren e nje njeriu,ai eshte pergjegjes per gjithçka

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.