Ministria e Jashtme: Shqipëria nuk ka ekstraduar asnjë gulenist në Turqi

Postuar në 25 Dhjetor, 2019 11:37

Shqipëria nuk ka dorëzuar pranë autoriteteve turke asnjë person që sipas Ankarasë zyrtare është anëtar i organizatës FETO, të themeluar nga filantropi Fetullah Gulen. ResPublica iu drejtua Ministrisë së Jashtme dhe për Evropën me disa pyetje për këtë çështje duke qenë se që nga njoftimi zyrtar i dorëzimit të listës nga autoritetet turke, nuk ka patur ndonjë deklarim për ekstradim personi.

Autoritetet turke iu kanë dorëzuar autoriteteve shqiptare një listë emërore të personave që  pretendohet se janë anëtarë të FETO-s, por për shkak të sensitivitetit të çështjes nuk mund të japim më shumë informacion.

Deri tani nuk është ekstraduar në Turqi asnjë shtetas turk me këtë motivacion

përgjigjet Ministria e Jashtme duke iu referuar ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin  e klasifikuar "Sekret Sshtetëror”, i ndryshuar, që përcakton edhe nivelet e klasifikimit.  

Në të njëjtën përgjigje Ministria shton se:

Autoritetet shqiptare kanë një komunikim dhe bashkepunim konstant me homologët turq në përputhje të plotë me  kuadrin ligjor dhe Kushtetutën e RSH, në respekt të lirive themelore që rrjedhin nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe detyrimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE

çka ndoshta shpjegon bllokimin e procesit të ekstradimit përveç largimit në masë të të ashtuquajturve gulenistë.

Por një çështje që mbetet për t’u sqaruar këtu është ajo që lidhet me detyrimet e Protokollit Plotësues të Konventës së Këshillit të Evropës mbi Parandalimin e Terrorizmit, që është firmosur edhe nga Turqia, por edhe nga Shqipëria me ligjin 17/2016. Në momentin e firmosjes, pala turke e ka deklaruar FETO si objekt të veprimit të Protokollit, diçka që nuk njihet nga BE. Të paktën deri më tani.

Një tjetër paradoks ka të bëjë edhe me faktin se Tirana zyratre e ka shpallur Turqinë aktuale si partner strategjik rajonal, ndonëse një gjë e tillë ka mbetur vetëm në letra.

Ekziston një kuadër i plotë ligjor që rregullon bashkëpunimin institucional në të gjitha fushat midis Shqipërisë dhe Turqisë, që e konsiderojmë një partner strategjik rajonal. Është punuar për hartimin e një Deklarate të Partneritetit Strategjik për ngritjen e Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Shqipëri-Turqi që do të firmoset  gjatë vizitës së ardhshme të nivelit të lartë. Deri tani nuk është zhvilluar asnjë takim i Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit Shqipëri-Turqi

shton Ministria e Jashtme e Shqipërisë që shton të panjohurat për llojin e marrëdhënies mes të dyja vendeve.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Dhe sa gyleniste, erdoganiste, fetiste, turkiste, ka ne Shqiperi? A kane gazetaret nje shifer te perafert?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.